RCCOLA

Kamufllazha nacional-kulturore për 100-vjetor

/ 7 minuta lexim

Kemi pasur flamuj kuq e zi kudo: në ballkonet e banesave, në mbindërtimet e Prishtinës, në bodrumet e lagura, kemi pasur edhe gjuajtje dhe gara vrapimesh mbi tortën e kombit. Krejt afër festës së 100- vjetorit të shtetit shqiptar kemi pasur edhe përgjimet telefonike, në të cilat përkundër fjalimeve protokollare nuk është folur për pavarësinë, pos për sharje e ofendime mes “miqsh”. Nëntori i këtij viti nuk ka zbardhur se sa fakultete i kanë (ose jo) të përfunduar politikanët tanë, kjo tek e fundit nuk i ka interesuar askujt.

Për 100 vjetor kemi nisur edhe burra drejt Shqipërisë, kemi pranuar të tillë në Kosovë, kemi dalë me një mal mustaqesh në sheshet shqiptare për të treguar se burrat tanë ishin burra “në kuptimin e plotë të fjalës”. Në anglisht, politikanët kanë lulëzuar, ndërsa në shqip nuk kanë mundur t’i thurin dy fjalë pa e pasur një dokument paraprak, të krijuar shpesh me mungesë gramatikore.

100 vjetori i shtetit shqiptar ka sjellë Mesharin, armët e Skënderbeut, Rita Orën e zbulimet e shtatoreve dhe arteve tjera bashkëkohore, në një eufori që sot nuk shihet askund. Sot nuk ka më flamuj, në 10 komplekse banesash sot sheh vetëm 2 të tillë. Tirana i është kthyer përditshmërisë.

Retorika politike dhe patriotizmi artificial

Sipas publicistit Shkelzen Gashi, për këtë 100 vjetor ka pasur vetëm festime, por jo edhe reflektime, për ta kuptuar se pse jemi këtu ku jemi dhe pse na kanë ndodhur ato që në të vërtetë na kanë ndodhur gjatë tërë historisë.

“Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundshme, që të binden shqiptarët se historinë duhet ta mësojnë pa glorifikime e falsifikime. Nëse vazhdojmë kështu, jo vetëm që do të kemi vështirësi për ta kuptuar aktualitetin, por edhe do t’i përsërisim gabimet që kemi bërë” ka thënë Gashi. Ai e ka lidhur kulturën edhe me politikanët. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë politikanë, por biznesmenë që merren me politikë për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre e që në kësi mënyre nuk kanë projekte as për shtetin, kombin, qytetarin.

“Pas shumë dekadave, kur studiuesit e ardhshëm do të hulumtojnë nëpër arkivat e vendeve më të fuqishme të botës, vende këto që i kanë nën kontroll Shqipërinë e Kosovën, do të gjejnë raporte të ambasadorëve të këtyre vendeve në Shqipëri e Kosovë, përmes të cilave ata raportojnë se: “…politikanët shqiptarë na thonë se deklaratat e zjarrta nacionaliste janë të shtyrë t’i bëjmë për konsum të brendshëm” ka thënë Gashi për gazetën.

Enver Robelli, në anën tjetër, thotë se festimet e tilla të nëntorit të sivjetmë ishin krejtësisht të kuptueshme dhe njerëzit do të duhej të tregonin entuziazmin qoftë ai i pazakonshëm me ngarendjet me kuaj apo në këmbë drejt Vlorës. Për lirinë, ai thotë se ajo ende konsiderohet “pronë private”, me të cilën edhe abuzohet. Duke e quajtur festën kosovare të patriotizmit të bërë me lecka e jo me bindje, Reflektimin në këtë 100 vjetor ai nuk ka si mos ta lidhë mes dy shteteve, Kosovës e Shqipërisë.

“Shoh një rrezik që Kosova të përdoret e keqpërdoret nga kastat politike të Tiranës në garën e tyre “patriotike”. Në Tiranë gara duhet të zhvillohet kundër krimit e korrupsionit dhe për një shtet funksional që ec drejt Evropës së bashkuar. Kaq mjafton për t’i ndihmuar Kosovës. Të gjitha brohoritjet për bashkim kombëtar, në fakt, janë

ikje nga debati i vërtetë: politikanët i ikin ballafaqimit me krimin dhe korrupsionin e tyre (në Shqipëri Sali Berisha shet parulla patriotike, në Kosovë Hashim Thaçi dhe klani i tij përqafojnë flamurin kombëtar)” përfundon Robelli. Hajrulla Çeku thotë për “Zëri” se një shoqëri e shëndoshë kulturën patriotike e kupton si proces të përditshëm dhe të pandalshëm.

Fidanishtja

“Në shoqëritë ku mungon ky dedikim i përditshëm, ndodhin shpërthime sezonale dhe momentale patriotike. Këto shpërthime nuk janë asgjë përveç një nevoje për të kompensuar mungesën e patriotizmit të vërtetë. Një muaj pas euforisë dhe ekzaltimit të përgjithshëm patriotik, ne iu kthyem realitetit të përditshëm – vazhdojmë të jemi të korruptuar në secilin nivel të shoqërisë. Fatkeqësisht, gjatë ditëve të festimit kishte mjaft patetizma, arkaizma, kaos, kiç dhe mungesë sinqeriteti” thotë Çeku. Muja gjithçka e quan eufori, retorikë politike.

“Për mua është patriotizëm me punu për vendin tënd e jo vetëm me vendos një flamur ose me pasë retorikë të thatë patriotike, këto i dëgjojmë kryesisht kur ka ndonjë festë të tillë apo para zgjedhjeve” thotë artisti Alban Muja.

Euforia kulturore, arti në 100 vite

Mrekullitë e premtuara për kulturën në këtë festim 100 vjetori, Robelli i quan pallavra.

“Sali Berisha kishte paralajmëruar shumë mrekulli arkitektonike me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë: parlament të ri, stadium të ri etj. Asgjë nga këto s’u realizua. Andaj Berisha iku në popullizëm, me fjalime turbopatriotike në Shkup e gjetiu. Prej këtyre përrallave të Berishës nuk ka fituar as Shqipëria, as Kosova asgjë” thotë Robelli.

“Sjellja e shpatës së Skënderbeut dhe aktivitete të këtij niveli do të ishin interesante vetëm nëse do të kombinoheshin me veprimtari që e prezantojnë Shqipërinë jashtë Shqipërisë. Me vlera e ide, qëndrime e botime, ekspozita dhe vepra” vazhdon Robelli.

Artisti Alban Muja, duke u kthyer në retrospektivë na kujton se ky 100 vjetor ishte edhe një “festë” tjetër, ajo e 100 vjetorit të ndarjes së kombit shqiptar, gjysmak pa Kosovën, e për të cilin aspekt nuk u fol fare. Patriotizmin e kamufluar në këtë festë ai e quan të shëndoshë, përkundër krijimeve artistike.

“Besoj se të gjitha ato krijime artistike që kanë provuar me qenë shumë patriotike kanë dalë pak qesharake në kualitet. Shihni disa filma të gjate që kanë si temë luftën, shumica janë shumë dobët të bërë dhe nuk kanë pasur shumë hapësirë ekspozuese për shkak të nivelit të dobët të krijimtarisë” shton Muja. Artin dhe kulturën ai e quan si injeksion të mirë për një popull në tranzicion, ndërsa thotë se shpesh festimet e tilla si këto për 100 vjetor e trishtojnë dhe mundohet ti evitojë. Ai ka përmendur zbukurimin e qytetit për 28 nëntor, si diçka fort të pashije.

“Në një hapësirë të vetme ishin 3-4 lloje të flamurit shqiptar, të gjitha të shtypura marrëzisht, kjo më thotë se duhet të punojmë në shije më shumë se në gjithçka tjetër” vazhdon Alban Muja. Çeku për artin në 100 vjetor thotë se ishte kiç.

“Pjesa më problematike e artit shqiptar mbetet modernja, pasi që në tërësi forma dhe përmbajtja e festimeve nuk ishin edhe aq larg kiçit. Shqiptarët nuk kanë ndonjë krijimtari madhështore artistike. Megjithatë, marrë parasysh kontekstet e vështira historike, mendoj që ekziston një pasuri solide artistike, pjesë të caktuara të së cilës u ekspozuan gjatë festimeve” vazhdon Çeku.(zeri)