Kadri Veseli merr në dorë PDK-në

Kadri Veseli vetëm pak vite pasi i hyri politikës arriti ta marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai mori besimin e Këshillit Drejtues që ta udhëheqë PDK-në deri në konventën e jashtëzakonshme, e cila u caktua të mbahet më 7 maj, në të cilën pritet të konfirmohet në krye të saj.
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ia besoi udhëheqjen e saj Kadri Veselit, i cili qysh moti ia kishte përgatitur vetes terrenin për të ardhur në krye të PDK-së.
Veseli, i cili ka pak vite që i hyri politikës, arriti t’i marrë votat unanime të Këshillit Drejtues të PDK-së që ta drejtojë partinë më të madhe në vend deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Por, ish-kreu i SHIK-ut duket se nuk do të ketë konkurrencë dhe se edhe në konventën e jashtëzakonshme të 7 majit pritet të konfirmohet lider i ri i PDK-së. Ai është përkujdesur që në deklaratën e miratuar në mbledhjen Këshillit Drejtues ta sigurojë mbështetjen e partisë për t’u zgjedhur kryetar i ri i PDK-së.
“PDK-ja mbështet fuqishëm zgjedhjen e zëvendëskryetarit, Kadri Veseli, në krye të PDK-së, e bindur në legjitimitetin demokratik, në punën dhe përkushtimin e Veselit për zhvillimin dhe fuqizimin e PDK-së”, thuhet në pikën 12 të kësaj deklarate, e cila pati disa vërejtje./zeri/