Kurti bëri homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi: Janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varret e vëllezërve Bytyqi, të cilët tha se u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb në vitin 1999, menjëherë pas luftës.
Kurti tha se trupat e vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, të cilit ishin shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, u zbuluan dy vjet më votë në një varrezë masive në Petrovo Sello, në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës.
“Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit dhe gatishmërisë së shtetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e bëra dhe për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar se “Thirrjet tona bashkë me ato të shtetit amerikan, kanë qenë pareshtur të zëshme në kërkim të vendosjes së drejtësisë dhe zbardhjes së krimit. Në New York, vizituam varrezat e tyre, aty ku kujtimi për ta, është rikujtim për drejtësinë që ende mungon”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë disa herë thirrje që përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi të dalin para drejtësisë. /Telegrafi/