Uji Dea

Ka aplikuar tri herë dhe është refuzuar, historia e pafund e natyralizimit të Yllka Gashit*

/ 8 minuta lexim

Yllka Gashi* është emri fiktiv që gazeta Tages Anzeiger i vë një gruaje të re 33 vjeçe nga Kosova, e cila prej 23 vitesh jeton në Zvicër.

Ajo që karakterizon rastin e saj është historia tashmë shumëvjeçare e përpjekjeve të Yllkës për të marrë shtetësinë zvicerane, të cilën albinfo.ch e sjell me shkurtime.

Ishte 18 vjeçe kur kishte provuar për herë të parë të natyralizohej por e kishin këshilluar të hiqte dorë. Kjo, për shkak të një kundërvajtjeje në trafik, kur Yllka ishte gjobitur, gjë që do të kishte qenë pengesë në procesin e natyralizimit. Kështu, ajo pati hequr dorë.

Që nga ajo kohë, Yllka Gashi ka paraqitur edhe dy kërkesa të tjera për natyralizim. Kështu, asaj i është dashur të dilte shtatë herë para Komisionit për të Drejtat Civile, t`u përgjigjej dhjetëra pyetjeve, dhe të dorëzonte shumë dokumente mbështetëse.

Por, përkundër të gjithave, ajo ende nuk është bërë shtetase zvicerane, transmeton albinfo.ch. “Ata nuk më dëshirojnë këtu, jo”, thotë ajo. Yllka Gashi tani është 33 vjeç edhe ka jetuar në Zvicër tashmë 23 vjet.

Por, përse ajo të mos jetë e dëshiruar në këtë fshat? Yllka Gashi ka ardhur në vitin 1998 si vajzë 10-vjeçe bashkë me prindërit dhe vëllain e vogël, nga Kosova në Hochdorf (LU). Babai i saj ka punuar si suvatues (gipser), nëna, në një fabrikë. Ajo shkonte në shkollë gjatë javës ndërsa të dielave, qëndronte me mantel të bardhë para altarit të kishës vendore me pastorin dhe i shërbente atij.

“Këtu jam në shtëpinë time”

Sot ajo punon si juriste. Ka një djalë (4) dhe një vajzë (1) me partnerin e saj. Ajo e flet gjermanishten zvicerane si banorët e këtushëm dhe thotë, ashtu si ata “Hoofdere”, në vend të Hochdorf. Në shkurt, ajo shkon në karnaval me fëmijët e saj, në verë merr pjesë në festimin e 1 gushtit.

“Unë jam rritur këtu, këtu jam në shtëpinë time. Nuk mund të më thonë: ju nuk i përkisni këtij vendi”, thotë Yllka Gashi. Sepse ku tjetër duhet të përkiste?

Këtë të dielë ajo është ulur përpara një pirgu letrash. Me to dëshiron të dëshmojë se e ka qendrën e saj të jetës pikërisht në Hochdorf.

Në moshën 22 vjeçare, pasi kishte jetuar në Hochdorf për 12 vjet, pasi kishte mbaruar shkollimin për komercialiste, ajo kishtev bërë përpjekjen për herë të dytë për natyralizim. Dhe… ishte refuzuar.

Arsyetimi i refuzimit ishte: “integrimi i pamjaftueshëm”.

Pastaj, në moshën 30 vjeçare ajo e bëri kërkesën për herë të tretë. Tani, edhe me fëmijët e saj. Në komunë, asaj i kishin thënë: “Provoje përsëri, edhe njëherë “.

Hochdorf- i është një fshat në regjionin Seetal midis Lucernit dhe Lenzburgut, larg nga arteriet kryesore të trafikut. Ka një restorant kinez dhe një shisha bar, transmeton albinfo.ch.

Komunën e drejton një shumicë dërmuese e djathtë (72%) ndërsa, si përqindja e të huajve ashtu dhe ajo e natyralizimit, është më e ulët se në kanton dhe në vend.

Një grua tjetër kosovare qe larguar e dëshpëruar, madje kishte mbledhur nënshkrime në mënyrë që të natyralizohej, pas disa refuzimesh.

Yllka Gashi ishte e ftuar në tre takime. Së pari ajo u ul përballë tre personave pastaj pesë, pastaj dhjetë – i gjithë komisioni për të drejtat civile, plus sekretari. Ajo ishte shoqëruar nga një avokat; pasi në bisedat e mëparshme ishte ndier e ngacmuar, dhe kishte ndodhur që ndonjëri ta kishte përqeshur kur ajo nuk kishte ditur ndonjërën nga përgjigjet.

Komisioni e kishte pyetur kësaj radhe për pjatat (gjellët) tipike zvicerane, profesionet tipike, instrumentet tipike. Po kështu komisioni donte të dinte se në cilat ngjarje kulturore bllokoheshin rrugët, cilët këshilltarë të qeverisë vijnë nga regjioni Seetal, cili ka mbajtur fjalimin e 1 gushtit, cili është sistemi më i vjetër zviceran i sigurimeve shoqërore…

Dhe në fund, në vendimin e tij të vitit 2019, komisioni kishte deklaruar: “Niveli i gjermanishtes i zonjës Gashi është shumë i mirë”. Ajo ishte qartë e integruar. Por tani,
Komisioni dyshonte në faktin se “qendra e jetës” së saj është në Hochdorf. Sipas ligjit kërkohet, ndër të tjera, që kandidati të ketë jetuar në komunë të paktën gjatë vitit të fundit para aplikimit.

Mobi Casa

Ku është qendra e saj e jetës?

Yllka Gashi kishte bërë aplikimin e saj të tretë në prill të vitit 2018. Ishte koha kur ajo po studionte për një diplomë të juridikut ku është specializuar në të drejtat e njeriut. Kishte bërë tre muaj praktikë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë dhe kishte qëndruar gjatë verës në gjykatën e krimeve të luftës në Kosovë, përcjell albinfo.ch. Po ashtu gjatë kësaj kohe ajo kishte qëndruar edhe në Konstanz, në universitet, dhe në Cyrih, me të dashurin e saj. Ndërsa mes këtyre pikave, Yllka gjithmonë qe kthyer në Hochdorf.

Por, komisioni nuk i kishte besuar. Ai i kishte kërkuar faturat e energjisë elektrike, dhe, sipas tij, kishte konstatuar se gjatë atij viti nuk është përdorur fare energji elektrike në banesën e Gashit.

Sidoqoftë, “nga zyra e taksave askush nuk e kishte pyetur ndonjëherë nëse ajo jeton këtu. Ajo që dihet, mandantja ime ka pasur qendrën e jetesës dhe atë të taksave, në këtë fshat”, thotë avokati i saj, njëherësh deputet në Parlamentin e Zvicrës, Paul Rechtsteiner.

Bazuar në arsyet e dhëna nga Komisioni për të Drejtat Civile në Hochdorf, Komisioni kishte refuzuar edhe kërkesën e tretë. Në arsyetimin me shkrim ai gjithashtu mbështetet në deklaratat e “një fqinjeje”, sipas të cilës banesa në të vërtetë është e pabanuar, transmeton albinfo.ch.

“Komisionerët kishin shkuar bashkë me një qen dhe kishin konstatuar se banesa në të vërtetë është e pabanuar… (!).

Duke folur, Yllka lëkundet midis indinjatës dhe dëshpërimit, midis këmbënguljes dhe heqjes dorë.

Ajo ndihet e lënduar, e poshtëruar, e refuzuar. “Nuk është e lehtë. Duhet të bindni njerëzit këtu se jeni mjaft të mirë, për tu pranuar si njëri prej tyre”.

Kantoni kritikon komunën

Por, Yllka Gashi nuk u dorëzua. Ajo bëri një ankesë në kanton – dhe ankesa ju pranua. Kantoni kishte kritikuar komisionin se kishte neglizhuar faktin se ajo i njihte mirë rrethanat lokale dhe se komisioni ishte përqendruar vetëm në pyetjen nëse Gashi ka jetuar në Hochdorf në vitin në fjalë.

Tani ajo jeton me partnerin dhe fëmijët e saj në komunë dhe këtu ka qenë “qendra e jetesës” së saj padyshim për një vit, transmeton albinfo.ch. Komisioni duhet ta marrë këtë parasysh, shkruan kantoni. Por edhe kantoni kishte një vërejtje: nuk është dëshmuar se Yllka Gashi, ashtu siç kërkohet nga ligji, ka jetuar në këtë komunë të paktën tre nga pesë vitet para aplikimit.

Për ta dëshmuar këtë, Yllka po grumbullon faturat e blerjes nga Coop, fotografitë e celularëve me datën dhe vendndodhjen, faturat mjekësore, anëtarësimin në Shoqatën e Gruas etj. Ajo gjithashtu tregon një konfirmim nga zyra e taksave se ajo ka paguar të gjitha taksat ndërsa komisioni kishte shkruar se ajo ende ka borxhe të papaguara.

“Nëse autoritetet nuk duan, do ta gjejnë gjithmonë një argument që flet kundër natyralizimit”, thotë Rechtsteiner.

“Secilën herë po mendoja: tani më duhet të dorëzoj vetëm edhe këtë faturë dhe do të më vijë vendimi”, thotë Gashi. Por kjo nuk ka ndodhur deri më sot. E gjithë ajo që i vjen nga komuna, është përgjigja: “E morëm këtë dokument. Ne do t’ju informojmë për më tej, ndiqeni procedurën”.

Yllka e përjeton gjithë këtë si një maltretim. Nëse do t`i thoshit babait të saj se është i huaj, ai do ta pranonte një gjë të tillë, thotë ajo. Por si ka mundësi që mua të më quajnë akoma te huaj? Apo dhe fëmijët e mi?!

Por, a do ta natyralizojnë atë tani? Ajo nuk e di. E di vetëm që ka shpenzuar shumë kohë, energji dhe shumë para, përcjell albinfo.ch. Ka paguar për intervistat para komisionit, në varësi të numrit të njerëzve të pranishëm, deri në 900 franga dhe 200 franga për çdo vendim.

Sidoqoftë, Yllka sot përballet me ndjenja të përziera për natyralizimin. Hochdorfi do të figurojë gjithnjë në pasaportën e saj si vendi i saj i lindjes. Dhe si vendi që do ta bëjë të
mos harrojë sa e vështirë ka qenë për për të që të bëhej zvicerane.

Ka aplikuar tri herë dhe është refuzuar, historia e pafund e natyralizimit të Yllka Gashit*