Jonada Jashari – Prani e re në filmin shqiptar

Nga Stephen Schwartz – Kimenatografia shqiptare po përjeton nji fazë të re në historinë e vet kreative. Shumica e filmave shqiptarë në të kaluarën ishin historikë ose ideologjikë – në veçanti ata që u prodhuan nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Prandaj është kënaqësi me pa, aktualisht, nji lulëzim të diversitetit në kinematografinë shqiptare.
Disa nga produksionet shqiptare të fundit, duke i përfshirë ato të bëra në bashkëpunim me të huajt, merren me tema të stereotipizuara, siç është gjakmarrja. Kjo ishte tema tek The Forgiveness of Blood [Falja e gjakut] (2011), me regji të Joshua Marston, amerikan me origjinë joshqiptare. Falja e gjakut u prit me sukses nga kritika, por mua m’u duk shum kobzezë mënyra se si përshfaqej mallkimi i gjakmarrjes në të. Ndryshe nga ky, nji film më i hershëm, i rëndësishëm dhe jashtëzakonisht mirë i punuar, I dashur armik, me regji të Gjergj Xhuvanit, që pati premierën më 2004, ishte nji portretizim i shkëlqyet i zbatimit të besës, zotimit për mikpritje, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Te I dashur armik ngjarja zhvillohet pas tërheqjes së italianëve dhe ardhjes së gjermanëve në Shqipëri më 1943. Protagonisti, nji tregtar shqiptar, Harun Bonata, merr ta strehojë nji partizan, nji ushtar italian të mbetur pas tërheqjes së bashkëvendësve të vet, si dhe nji hebre sefardik, refugjat nga Sarajeva. Ndërkohë, Bonata mban marrëdhënie miqsore me nji oficer gjerman. Porse, në fund, bujaria e tregtarit shqiptar ndëshkohet nga komunistët, që mbasi dalin ngjadhnjimtarë, e marrin për ta ekzekutuar.
I dashur armik është titruar dhe shfaqur në Gjermani si Mein Freund Der Feind, por për fat të keq është shpërfillë gjetiu. Të njejtin fat e patën edhe dy filma të tjerë të shquar të Ballkanit në këto kohë. I pari ishte 1997 Perfect Circle (Rrethi i përkryer), shkuar nga poeti dhe skenaristi boshnjak Abdulah Sidran, me regji të Ademir Kenovic-it dhe Pjer Zalica-s. Pastaj vjen produksioni sërb i vitit 1998 Cabaret Balkan, me regji të Goran Paskaljevic-it, nji portretizim tronditës e i njimendtë i dhunës dhe korrupsionit ndër banorët e rëndomtë të Beogradit. Të dy janë titruar dhe distribuuar në anglisht, por Perfect Circle nuk u prit mirë nga kritikët kurseCabaret Balkan u shpërfill ndërkombëtarisht. Janë shfaqë disa filma të shkëlqyet kroatë – tepër shum, në fakt, për t’u trajtuar në nji shkrim të shkurtë – por shumica syresh janë anashkaluar njilloj nga auditori perëndimor. Asnji film me peshë nuk është bërë ende për luftën çlirimtare në Kosovë.
Nji brezni e re e kineastëve shqiptarë do të kenë ndikim në botë vetëm nëse arrijnë t’i shmangin temat e parashikueshme. Restaurimi i filmave si Skenderbeu, nji film epik sovjeto-shqiptar i vitit 1953, si dhe Nëntori i dytë vitit 1982 që shënonte përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipnisë, ka ngazëllyer publikun më të vjetër shqiptar dhe shqiptaro-amerikan, i cili priret vetvetiu drejt temave patriotike”. Projekti i Kinematografisë Shqiptare, nji rrjet ndërkombtar që bashkëpunon me Colorlab Corp. në Rockville, Md., ishte përgjegjës për arritjen e këtyre dy “ringjalljeve” dhe është i angazhuar për të mbrojtë dhe riaftësuar vepra të tjera nga arkivi i filmave shqiptarë.
Por, po ritheksoj se kineastët shqiptarë duhet të ikin nga e kaluara dhe të përvetësojnë nji stil filmi lirik që adreson dashurinë, jetën dhe vdekjen në kuptimin universal. Nji shembull i kësaj qasjeje të re është 27-vjeçarja Jonada Jashari nga qyteza shqiptare e Ersekës.
Jonada Jashari, të cilën vjet e takova në Shqipni, erdhi në ShBA kur ishte 15 vjeç. Shpejt filloi të punonte në nji program për rininë në stacionin televiziv në Worcester, Mass. Më 2007 diplomoi nga Universiteti i Masçusecit në Amherst, për Komunikim, Studime Kinematografike dhe Studime Italiane. Diplomoi për Master dhe Arte të Bukura nga Universiteti Chapman në Kaliforni më 2011, për produksion filmi me përqendrim te regjia.
Ka punuar tetë filma të shkurtë: Emily (2004 – 42 minuta) Sonata Quasi una Fantasia (2007 – 14 min.), That Clicking Noise (2007 – 20 min.), Waiting for Godard (2008 – 12 min.), The Parting of X and Y (2008 – 16 min.), Baby-billy (2009 – 13 min.), Sophia and Raphael (2010 – 15 min.) si dhe filmin e magjistraturës, The Stone on the Shore (2011/2012 – 21 min).
The Stone on the Shore [Guri në bregdet], të cilin e kam pa, përfaqëson nji qasje të re, dhe do të shpresonim, të frytshme, të kineastëve shqiptarë. Filmi nuk trajton ndonji temë të veçantë shqiptare. Më parë, shpalos tregimin prekës të djalit të vogël, Henry, të cilit i vdes e ëma. Henry, i mbetur nën kujdesin e tezes, është aq i hidhëruar nga humbja sa fillon të shfaqë prirje neurotike.
Filmi i tezës së magjistraturës së Jonada Jasharit është konstruktuar, dizajnuar dhe punuar me regji elegante. Siç më tha ajo në nji intervistë, kishte filmuar në Kaliforninë jugore për rreth 10 ditë. Ajo ka udhëheqë nji ekip 6-anëtarësh, duke qenë vetë skenariste/regjisore me dy producentë, nji kinematograf, montazhier, si dhe dizajner produksioni. Si lokacione, Jonada dhe kolegët e saj zgjedhnin shpi me ambiente të ngrohta, duke e mbushë ekranin me dritën legjendare të Pasadenës, Malibus dhe plazhit Laguna, dhe kështu duke e kontrastuar me finesë premtimin e jetës me pikëllimin për humbjen e nënës.
Guri në bregdet mori gjashtë muaj pune paraproduksion, duke përfshirë zgjedhjen e lokacioneve, rishqyrtimet e skenarit e të tjera të ngjashme. Filmi është punuar në shirit 35mm me kamerë Panavision. Ekipi i Jonadës ka fituar “Grantin e kineastit të ri” nga Panavision dhe ka marrë kamerat dhe mjetet e tjera të nevojshme falas. Në Fetivalin e Filmit FirstGlance 2012, mbajtë në Filadelfi, aktori Andy Scott Harris, tashmë 15 vjeç, fitoi Çmimin e Performancës për rolin e tij si Henry në Guri në bregdet. Edhe Harris është emigrant, i lindur në Ukrainë.
Kritiku i pavarur Richard Propes e lavdëron filmin për “ritmin pothuajse të përkryer dhe durimin me personazhet”. Propes vazhdon: “Kërkohet regjisor i shkathtë që të guxojë thjesht të ulet dhe t’i lejojë skenat të shtriqen, por Jashari e bën këtë në atë mënyrë, sa dialogu i filmit, i rrallë e megjithatë kuptimplotë, të rrëmben… rezultati është nji film thjesht i jashtëzakontë”.
Kineastët shqiptarë, sikurse edhe shkimtarët e të tjerët, vijnë në Perëndim me barrën e represionit, të mynxyrave, të lënies mbas dore e të trishtimit… trashëgimi këto të errësirës. Adresimi tragjedisë me debulesë, dhe madje me nji tis shprese për t’ardhmen te filmi i arrirë i Jonada Jasharit Guri në bregdet, dëshmon se “shpirti i kristaltë” të cilin e bekon shkrimtari britanik George Orwell, mund ta transformojë nji barrë të tillë.
Ne që i njohim dhe i duam tokat shqiptare, kemi kohë që e kemi mësuar se brenda kufijve të maleve të ashpra dhe të traditave të rrepta, shqiptarët mbartin në zemrat e tyne gjithë ato burime të dhembshurisë njerëzore, të përndritjes e të guximit. Shqiptarët janë popull mesdhetar, me nji dhunti të kapacitetit të jashtëzakontë për t’i duruar vështirësitë e skajshme. Këto janë ato tipare që do të duheshin me e shtytë kinematografinë e re shqiptare, e që gjenden te Guri në bregdet i Jonada Jasharit. Aty ku filmi shfaqet në qarkullimin e pavarur amerikan të filmit, ai meriton përkrahje. Në të ardhmen, mund të shpresojmë se bukuria dhe mjeshtria e tij do të barabiten nga kineastë të tjerë shqiptarë.(express)