Mobi Casa

Jeta e rëndomtë: Kryefjala e politikës kosovare

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Këtu nuk ka më të majtë e të djathtë, të moderuar e radikal, të ri e të moçëm. Të gjithë flasin me të njejtën gjuhë: Me atë që duan ta dëgjojnë veshët e qytetarëve të rëndomtë.

Ta marrim këtë shembull.

Një kryemiljar, në një mëngjes, vendos t’i mbledhë të gjithë anëtarët e familjes së tij, të madh e të vogël, si thuhet. Pas një hyrjeje të rëndomtë për një tubim të kësaj natyre, del në temë. Flet që ka vendosur të ndërtojë një shtëpi të re, se kjo e tashmja nuk po mjafton më për familjen që në ndërkohë është rritur. Tregon se sa kat dhe sa dhoma do t’i ketë shtëpia e re. Çfarë materiali ndërtimor do ta përdorë. Si do ta mobilojë. Kallëzon për hapësirën që do t’i takojë çdo anëtari të familjes. Pastaj flet edhe për një veturë të re, më të madhe, më të bukur, që e ka sosë ta blejë. Përmend madje edhe pushimet vjetore, ku e gjithë familja së bashku do të shkojnë.Të gjithë e shikojnë me habi të parin e familjes. Edhe pse të tërëve ju pëlqen fjala e tij, dyshimi i brenë thuaja të gjithë. Pyetja që u rri në maje të gjuhës është: Babë, a kemi pare për të gjitha këto? Pasiqë e dinë përgjigjen, kur ai (baba) e përfundon fjalën, të gjithë çohen dhe shkojnë në punët e veta, me dyshimin që prindi i tyre nuk i ka punët mirë.

Dikush që është i prirë të përqeshë gjithçka, do të mund të thotë këtu që i pari i familjes, duke i shikuar shumë debatet parazgjedhore të këtyre ditëve, për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, është ndikuar aq shumë saqë ka vendosur të improvizojë një tubim të kësaj natyre me anëtarët e tij të familjes. Problemi i vetëm që i ka lindur atij është që askush prej anëtarëve të tij nuk e ka marrë seriozisht. Sepse të gjithë e dinë sa ka para a buxhet familja e tyre. Kjo familja e madhe kosovare, poashtu e di shumë mirë se çfarë ‘kulete’ dhe sa para ka shtëpia e quajtur shteti i Kosovës.

Njeriu, sidoqoftë, është i prirë, prej natyrës së tij, kudoqoftë, në Kosovë, apo kudo në Botë, t’i besojë lajmeve të mira, të cilat paralajmërojnë ndryshimin e madh të jetës së tij, ndryshimin për të mirë. Sikurse që po ai njeri, nuk beson që po i ndodh një gjë e keqe, edhe kur ajo futet brenda katër mureve të shtëpisë së tij. Ndërsa në temat të cilat janë çelë, në të katër anët e Kosovës, gjatë ditëve të fushatës, të thuash gjithçka matet me para, me euro.

Kur dëgjohen të gjitha premtimet e dhëna ditëve dhe javëve të fundit, kur janë lakuar dhjetëra e qindra miliona Euro, projekte të mëdha infrastrukturore të cilat vlejnë miliona a dhjetëra miliona Euro, pyetja që del në shesh, padurueshëm, do të duhej thënë është kjo:Si të prodhohen paratë të cilat do të mbulonin të gjitha këto premtime? Apo, ku të gjinden paratë për ta ndryshuar thelbësisht realitetin kosovar, sepse pikërisht për këtë bëhet fjalë në këtë fushatë.

Fidanishtja

E mira më e madhe e kësaj fushate, gjithsesi, është përqëndrimi pothuaj i të gjithë kandidatëve për kryetar të komunave apo edhe për anëtarë të asamblesë, në temat fare konkrete që i preokupojnë qytetarët e rëndomtë. Është rritë ndjeshmëria sociale tek klasa politike kosovare. Është kuptuar që më nuk bëjnë punë, veçmas në garën për qeverisjen lokale, rrëfimet e mëdha politike dhe patriotike. Është marrë vesh që qytetari i Kosovës, kudo që jeton, dëshiron t’i ketë të plotësura kushtet fare minimale për një jetë normale, e cila nënkupton ujë dhe rrymë gjithë ditën, një trafik normal, qytet a ambient të pastër, etj.etj.

Të gjitha këto kërkojnë politikanë që janë shumë të përgjegjshëm, një specie politike që akoma nuk ka hedhur shtat ndër ne, dhe jo politikanë që korruptohen dhe diskreditohen lehtë, një lloj politikanësh që objektivisht, janë sot më të fuqishëm se kurrë. Njohuritë e politikanëve për nevojat, pritjet, shpresat e qytetarëve të Kosovës, tashmë janë përkthyer në Oferta për qeverisjen me komuna, dhe në premtimet që ofrojnë garanci për përmbushjen e tyre, nëse ndodhë që në këto zgjedhje të sigurohet mandati i legjitimuar me votën e qytetarëve.

Për këtë shkak, zatën, nuk ka të thuash aspak dallime në ofertën që i bëhet qytetarit.Këtu nuk ka më të majtë e të djathtë, të moderuar e radikal, të ri e të moçëm. Të gjithë flasin me të njejtën gjuhë: Me atë që duan ta dëgjojnë veshët e qytetarëve të rëndomtë. Nuk ky dyshim që kosovarët meritojnë të jetojnë një jetë të rëndomtë.

Por arritja e këtij stadi të një jete të zakonshme, kërkon investime të jashtëzakonshme financiare, të cilat bazuar së paku në gjendjen e tanishme ekonomike dhe financiare të vendit, ‘banojnë’ diku në sferën e dëshirave të kota. Me buxhetet që kanë sot komunat e Kosovës, me paratë që i ka sot Kosova si shtet, si buxhet qendror (më pak se 1.5 miliardë Euro), është e pamundur që të përmbushen shumica e këtyre premtimeve.

Dikush menjëherë mund të shtojë këtu që kudo në botën demokratike, projektet e mëdha infrastrukturore, nuk ndërtohen me paratë e buxhetit të shtetit, por me kreditë bankare, pastaj, me përkrahjen financiare nga jashtë (që nuk ka munguar as më parë në rastin e Kosovës), më në fund, edhe me letrat me vlerë që i posedon shteti për të hyrë në borxh.

Gjithsesi, këtu dhe në shumë raste të tjera, mund të ketë partneritet publiko-privat vendor dhe ndërkombëtarë, dhënie në koncesion për ndërtimet e reja, etj.Mbi të gjitha, vendit i duhet një zhvillim domethënës ekonomik, i cili nuk sigurohet dot pa investime dhjetëra milionëshe nga jashtë. Pa para, pa zhvillim, nuk nodhë gjë. Kështu kthehemi në fillim të rrëfimit.