Fundamenti

Jeta e doktorit të madh Shaban Geci

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Shaban Geci (prof.dr) , ishte intelektual i klasit të parë. Këmbëngulës në dije, dhe kryengritës për të vërtetën. I paepur në kërkimet e tija shkencore. Doktor Shabani ishte njohës i rrënjëve metafizike në shkencë, dhe në lëmi të tjera. Zbulimet shkencore shkruante mjeku dhe albanologu i nderuar, mund të quhen të mirëfillta, vetëm në bazë të njohjeve, dhe dijeve të mirëfillta, lexojmë në studimin e tij, „Për shëndetin e popullit“…

Në moshën 76 vjeçare, ndërroi jetë albanalogu dhe mjeku, Shaban Geci. Profesor Shabani u lind më 7.12. 1935 në Roganë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Gjakovë dhe Prishtinë. Shabani ishte intelektual i formuar, dhe me dije të thella e të gjëra. Veprën e Naimit , Lasgushit, Asdrenit, Çajupit , Fishtës, Nolit, Konicës, dhe të Rilindasve të tjerë, i njihte në kuptimin dhe mesazhin e veprave. I lindur në një familje patriotike të Roganës, Shaban Geci, kishte përkrahjen e familjes dhe të shokëve të tij për t´u arsimuar, dhe për të arsimuar. Babai i Shabanit, Limon Geci, dhe nëna e tij Naxhie Geci, ishin arsimdashës të flakët të shkollës. Ata përherë ishin në krahët e birit të tyre.

Të gjitha mësimet Shaban Gecit i shkonin për së mbari. Në shkollë nuk kishte një të parë si ai. Pas kryerjes së shkollës Normale në Gjakovë e Prishtinë, në moshën 20 vjeçare, Shaban Geci emërohet drejtor shkolle në Shkollën Fillore të Hogoshtit të Dardanës. Në Hogosht, bashkë me patriotin Metush Krasniqin, mbjellin një frymë të re në edukimin kombëtar e patriotik. Shkolla ku punonte Shabani ishte në vëzhgim të përhershëm të udbashëve të Rankoviçit.

Përkundër rrethanave, Shaban Geci kishte mbështetje të paluajtshme, nga patrioti, Metush Krasniqi dhe shokët e miqtë e tij. Në kulmin e entuziazmit dhe frymëzimit të tij për një Kosovë ndryshe, Shaban Gecin e pushojnë nga pozita e drejtorit të shkollës, dhe pa të drejtë pune si arsimtar. Aksioni për grumbullimin e armëve, ishte një terror, ku e gjithë popullata shqiptare dhunohej nga shteti serb.

Mirëpo, Shaban Geci nuk jepet, i përkrahur nga Metush Krasniqi, Shabani zgjedh udhën e formimit intelektual të tij. Me iniciativë të Metushit, Arsimtarët e Shkollës tetëvjeçare të Hogoshtit, vendosin që nga paga e tyre mujore, Shabanit t´ia akordojnë një bursë për studime.

Në kulm të aksionit famëkeq të grumbullimit të armëve, Shaban Geci regjistrohet në Fakultetin e Albanologjisë në Beograd dhe diplomon për 3 vjet, një vit para afatit. Bërja e Shaban Gecit me diplomë të Albanalogut e tmerroi UDB-në e Gjilanit. Në Gjilan Shabani sjell një frymë të re për Gjuhën dhe Letërsinë shqipe.

Programin e Rilindjes kombëtare, Shabani e njihte shkronjë për shkronjë. Ata që patën fatin të ishin nxënës të Shaban Gecit, më vonë u bën flamuj të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në mesin e tyre, me dhjetëra u bën doktor shkencash. Por, regjimi pushtues serbë, edhe në Gjilan e vëzhgon nga afër veprimtarinë e Shabanit. Shabani ishte i diplomuari i parë me Fakultet në Anamoravë. Mirëpo, pas tri viteve profesor në Normalen e Gjilanit, Shaban Gecit i merret e drejta për të dhënë mësim në arsimin e kohës, me arsyetimin se po e indoktrinon rininë, me shpjegimet për Naimin, Migjenin, Çajupin, Nolin e Konicën.

Mirëpo, Shaban Geci, nuk jepet. Ai pa u menduar shumë regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, dhe në afat rekord diplomon në Mjekësi. Pak para diplomimit në Mjekësi, në Universitetin e Shkupit, Shaban Geci rehabilitohet nga Plenumi i Briones, dhe sërish kthehet në Normalen e Gjilanit, pasi gjyqi i tij ishte i fituar. Pas diplomimit në Mjekësi, në vitin 1968, Shaban Geci, nis punën në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

I etur për dije dhe shkencë ai nuk reshtë së punuari. Dr. Shaban Geci, regjistron specializimin në Universitetin e Fakultetit të Mjekësisë në Zagreb. Në Universitetin e Zagrebit Shabani njihet me shumë figura nga Ballkani e më gjerë. Në Zagreb Shabani, specializon në fushën e Hematologjisë dhe Citologjisë. Në këmbim të përvojave me Shqipërinë, Shaban Geci, për një muaj ishte në Pavijonin e Hematologjisë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në Tiranë.

FIDANISHTJA

Në Tiranë Shabani zë shumë miq. Në vitin 1973, Shaban Geci, zgjidhet asistent në lëndën Mjekësi Interne, të Universitetit të Prishtinës. Ndërsa në qershor të vitit 1978, doktoron në temën; Anemitë Nutrive në Kosovë. Ndërsa pesë vjet më vonë fiton gradën, Profesor Ordinar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Shaban Geci, përveç punës së tij të mjekut dhe të pedagogut, ka ushtruar edhe disa detyra me rëndësi.

Vlen të theksohet se Shaban Geci ishte Kryeshef i parë dhe themelues i shërbimit Hematologjik të Fakultetit të Mjekësisë në Kosovë, anëtar i seksionit internistik, anëtar i Këshillit drejtues të Hematologëve të ish Jugosllavisë, anëtar i Pleqësisë të Klinikës për Sëmundje të Brendshme, nënkryetar i Pleqësisë Qendrore të Fakultetit të Mjekësisë. Në fushën e mjekësisë interne.

Shaban Geci ka botuar 250 punime shkencore me të cilat u ka hapur shtigjet e dijes e të hulumtimit studiuesve të ardhshëm.

Shaban Geci, ishte intelektual i klasit të parë. Këmbëngulës në dije, dhe kryengritës për të vërtetën. Jeta dhe vepra e Shaban Gecit, mbetet një roman i pashkruar, një kryengritje e kryengritësit të paepur. Në filmin “Era dhe Lisi” rasti i Shaban Gecit u vu , si protagonist i padrejtësisë së pushtetit të shtetit.

Jeta e gjithsecilit prej nesh nën pushtimin serb rrëfente Shabani ishte e rëndë e me persekutime. Artin e të jetuarit Shaban Geci e jetoi në mënyrën e vet, shprehet shkrimtari Rrustem Geci; i vëllai i Shabanit. Shabani ishte intelektual me formim të lartë. Rebel përpara të paarsyeshmes, zemërim-mirë përpara popullit të tij, intelektual dhe luftëtar i guximshëm përpara së keqes.

Fal vëlliut tonë, Shabanit, tregon Rrustem Geci, në shtëpinë tonë në Roganë, fliste Naimi, Çajupi, Migjeni e Fishta dhe rilindas të tjerë. Shaban Geci Fakultetin e Albanalogjisë e kreu në Beograd, por, regjimi (tito-rankoviq ) e detyroi të kryej Fakultetin e Mjekësisë.

Ahmet Brovina, Emrush Kryeziu, dhe Bahtiar Kryeziu e vlerësuan lart figurën e mjekut dhe albanologut. Shaban Geci, duke e cilësuar si shembullin e mirëfilltë të intelektualit të paepur.

Shërbimi Hematologjik, i Universitetit të Kosovës, me mburrje mban emrin e Shaban Gecit si themeluesin e saj. Kujtesa e kohës s´na lë harrohemi.

Shaban Geci pas vetes la gruan Zejnepen, Djalin Artirin, vajzat Burbuqen dhe Labinoten, shumë nipër e mbesa, dhe familjen e gjerë, vëllezër dhe motra. Lavdi jeta që të patëm! Lavdi!/Emrush Kryeziu dhe Rrustem Geci/rajonipress/