Mobi Casa

Jehona festive në Bujanoc!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Bujanoci, për dallim nga qendrat e tjera shqiptare, gjatë Festës së Flamurit, nuk u vesh kuq e zi, e bile munguan edhe bilbordet me urime: “Gëzuar 28 nëntori, 102 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë!”.

Kjo festë kaq e dashur për shqiptarët, në Luginë të Preshevës, ka pasur një arsye më shumë të jetë më e organizuar dhe më e dinjitetshme, ngase erdhi pak ditë pas konstituimit të Këshillit të ri Nacional, i dalë nga zgjedhjet e 26 tetorit, të këtij viti.

Arsyet pse kjo festë kombëtare doli e zbehtë në Bujanoc, janë si vijon: ndasitë partiake, klanore e grupore, nuk lejuan, që shqiptarët të jenë të bashkuar rreth Flamurit. Kjo dukuri është më e dëmshme se sa moslejimi me ligj i përdorimeve të simboleve kombëtare. Hiç më larg se para dy vitesh, kur edhe atëherë ka qenë i ndaluar përdorimi i lirë i Flamurit kombëtar shqiptar, në qendër të Bujanocit, mezi ke mundur ta vësh këmbën, nga turma e madhe e njerëzve dhe surprizat nga më atraktivet, si ajo e panove, fanelave kuq e zi, flamujve dhe improvizimit të shtëpisë historike të Vlorës!

Këtë vit, për dallim nga vitet e mëparshme Festa e Flamurit, për pushtetin lokal të Bujanocit, nuk solli ndonjë sherr mes kryetarit të komunës dhe atij të kuvendit, se kush do ta vej Flamurin në shtizë! Në mënyrë elegante u zgjodh dilema: kryetari i Komunës Nagip Arifi e pat privilegjin me dorën e tij ta ngrit flamurin në godinën e komunës, ndërsa Jonuz Musliu, kryetari i posazgjedhur i Këshillit Nacional Shqiptar, ngritjen e Flamurit e bëri në godinën e ish Komitetit Komunist, në të cilën është vendosur ky institucion, qe katër vjet.

Liderët e pushtetit lokal, në mënyrë të jashtëligjshme e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar, në godinat institucionale, para një mase shumë të vogël të qytetarëve, të cilat kishin dalë për t’u çmallur me valëvitjen e Flamurit kuq e zi, në godinat, që për vite të tëra është e ndaluar të festohet publikisht.

RCCOLA

Aktit madhor të ngritjes së Flamurit Kombëtar, në dy nga godinat më të rëndësishme të Komunës së Bujanocit, mjerisht, pak njerëz i duartrokitën. Kjo i bie sikur një regjisor me muaj të tërë të përgatis një film, dramë apo komedi, e në ditën e shfaqjes së premierës të ketë në sallë më pak spektatorë se sa aktorë.

Këto ndasi partiake, të cilat u vërejtën në ditën festive të Flamurit, më herët kanë filluara të duken në përvjetorët e dëshmorëve të ish UCPMB-së, të cilat fatkeqësisht nga tubimet e dikurshme masovike, janë rrudhur e reduktuar gati në tubime familjare.

Për t’i ikur këtyre dukurive shumë të dëmshme për klasën politike dhe shoqërore, duhet të korrigjohet niveli dhe mënyra e komunikimit të pushtetit me qytetarët, pa të cilët jo vetëm që s’do të ketë vota, por as manifestime me dinjitet.

Ditët në vijim, do të shihet se organet kompetente të rendit a do të ngritin kallëzime penale kundër kryetarëve, të cilët e kanë ngritur Flamurin jashtëligjshëm, ashtu si pararendësit e tyre, ndaj të cilëve akoma udhëhiqet procedurë gjyqësore, e madje disa nga qytetarët edhe kanë ikur jashtë shtetit, për akuza të tilla./rajonipress/

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.