RCCOLA

Jashari: Në Kosovë ka shkelje të privatësisë

/ 3 minuta lexim

Mbikëqyrësi kryesor shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë, Ruzhdi Jashari, nuk e ka mohuar se në Kosovë nuk ka shkelje të privatësisë dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Ai në një intervistë për Rel, ka thënë se ende mungon vetëdijesimi i qytetarëve të Kosovës për ekzistimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Por Jashari thotë se për të gjithë ato kompani, si shtetërore, po ashtu edhe ato private, që bëjnë shkelje të privatësisë së qytetarit, do të merren masa konform ligjit. Jashari thotë se në Kosovë ekziston ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por që duhet të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve të kenë njohuri për të drejtat që posedojnë në mënyrë që të drejtat e tyre të mos shkelen gjatë përpunimit të të dhënave personale.

“Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në rast se ka informacion se një qytetari i shkelen të dhënat personale, menjëherë mund të veprojë, dhe në rastin e tillë në përputhje me ligjin, merr masa. Masat janë duke filluar prej aspekteve këshilluese deri te masat tjera të ndëshkimit, që kapin edhe shifra të ndëshkimeve detyruese të gjobave me të holla”, tha Jashari në një intervistë për REL.

Uji Dea

Sipas tij, gjoba më e vogël është diku 400 euro dhe më e larta rreth 4000 euro për kontrolluesin që ka shkelur Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Agjencia ka fuqinë ligjore, gjegjësisht autoritetin ligjor të bëjë konfiskimin e dosjeve, pastaj konfiskimin e materialeve, konfiskimin e serverëve dhe pajisjeve elektronike, me të cilat përpunohen të dhënat personale nëpër kontrollues të ndryshëm”.

Ai thotë se zhvillimi teknologjik shumë i hovshëm ka rrezikuar në masë të madhe të dhënat personale të individit dhe privatësisë. “Prandaj, kërkesa akoma është në zgjerim, kryesisht te çështja e mbulesës me legjislacion edhe tash së fundi kemi rastin kur po bisedohet edhe po punohet në modernizimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Ndërsa lidhur me përgjimin e telefonave mobilë, një dukuri, për të cilën kanë ngritur shqetësime shumë qytetarë në Kosovë, Jashari thotë se aspekti i përgjimeve është një çështje e veçantë, që rregullohet me Ligjin mbi përgjimet dhe natyra e punës në Agjencinë Shtetërore është mbrojta e të dhënave personale.

“Duke ditur se zëri, intimiteti, biseda dhe krejt këto për njeriun lidhen si aspekte të pronësisë personale të individit, në një aspekt akcesohen dhe prek edhe natyrën e çështjeve të të dhënave personale të agjencisë. Në rast se kemi ankesa të tilla, ne ato i procedojmë dhe mbikëqyrësit që merren me këtë çështje kanë për detyrë që në vazhdën e kësaj kërkese, të nxjerrin rekomandime, gjegjësisht vendime në bazë të ligjit që kemi fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ai tha se kanë kryer disa veprime të operuesve të telefonisë mobile në Kosovë dhe kanë nxjerrë diku 12 vendime.