Kim Mehmeti: Ka urrejtje ndaj Albin Kurtit, s’ka mendim kritik

Publicisti Kim Mehmeti ka vlerësuar se opozita në Kosovë nuk e kritikon në mënyrë të argumentuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por udhëhiqet nga urrejtja ndaj tij – gjë që sipas tij, e bën Kurtin edhe më të fortë në skenën politike.
Në një paraqitje në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mehmeti ka theksuar se opozita po gabon duke e sulmuar Kurtin për çështje që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të, në vend se të ushtrojë kritika aty ku ka bazë reale.
“Opozita gabon në diçka, nuk e kritikon aty ku është kritikueshëm, por e kritikon në gjëra që me të vërtetë nuk kanë lidhje me të. Këtu ka urrejtje ndaj Albin Kurtit, nuk ka këtu mendim kritik ndaj tij dhe kjo atë e forcon”, u shpreh Mehmeti.
Ai shtoi se në një kohë të turbullt si kjo për Kosovën, është e rëndësishme që politikanët dhe qytetarët të mos i personalizojnë çështjet politike, por të mendojnë për të mirën e përbashkët.
“Ai që e don Kosovën nuk i personalizon gjërat, sidomos në këtë kohë kur çdo gjë vlon dhe është e turbullt. Por këtu ndodh e kundërta – këtu të gjithë dinë ta sundojnë Kosovën, por nuk dinë t’i sundojnë ambiciet e tyre. Prandaj Kosova ka pasur sundues, por jo shtetndërtues. Shumë prej tyre ndërtuan vila të shtrenjta për vete, por institucionet i lanë aty ku janë”, shtoi ai.
Sipas Mehmetit, niveli i debatit publik në vend është në kufi me irracionalen, çka sipas tij reflekton një mungesë serioze të analizës së thelluar politike.