Jahjaga shpallet qytetare nderi e Panamasë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shpallur qytetare nderi e qytetit të Panamasë. Asaj i është dorëzuar çelësi i këtij qyteti. Në Panama, ajo po qëndron me ftesë të Presidentit Ricardo Martinelli.
Titulli Qytetare nderi iu dha Presidentes Jahjaga, në një ceremoni të organizuar nga kryetarja e qytetit të Panamasë, Roxana Méndes de Obarrio, në vendimin e së cilës thuhet se “çelësi i qytetit dhe titulli i qytetarit të nderit i jepet Presidentes Jahjaga për përfaqësimin dhe prezantimin e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe kontributin në procesin e konsolidimit ndërkombëtar dhe njohjeve për vendin”.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Vietnamit Nguyen An Duy, ambasadori i Italisë Giancarlo Maria Curcio, ambasadori i Panamasë në Holandë, jorezident për Kosovën, Jose Manuel Teran Sitton, dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi.
“Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë që më bëtë pjesë të qytetit tuaj, të qytetit të Panamasë. Jam shumë e nderuar për miqësinë që po tregoni, sepse kjo do të thotë shumë jo vetëm për mua por për të gjithë popullin e Kosovës. Ju falënderoj, me sinqeritetin tim më të madh dhe e pranoj me shumë nder këtë çelës dhe titullin Qytetare nderi e qytetit të Panamasë”, citohet të ketë thënë Jahjaga. “Prandaj Kosova dhe Panamaja kanë çka t’i ofrojnë njëra tjetrës. Shkëmbimin e vlerave të shoqërive të të dyja vendeve dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat që janë interes i përbashkët i yni”, ka shtuar më tej ajo.