ARKATANA

Jahjaga : Kosova dhe Emiratet e Bashkuara ta adresojnë ekstremizmin

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Pasi i kanë dhënë një kredi prej 1 miliard dollarësh me kushte të volitshme Serbisë, zyrtarë të lartë të Emiratave të Bashkuara Arabe janë shfaqur edhe në Kosovë. Presidentja Atifete Jahjaga i ka treguar Ministrit të Jashtëm të këtij vendi se si Kosova e ka stabilizuar demokracinë. Ajo ndërkaq ka thënë se Kosova dhe EBA kanë interes të përbashkët ta luftojnë ekstremizmin.

Zyrtarë të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë marrëdhënie të mira me ata të Serbisë. Sic dihet Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic ka miqësi personale me udhëheqës të këtij vendi, të cilët shtetit serb para pak ditësh i kanë ofruar një kredi prej 1 miliard dollarësh me kushte të volitshme.

Por EBA duket se është e interesuar për marrëdhënie të mira me Kosovën.

Kështu Ministri i Jashtëm i këtij vendi të mërkurën në Prishtinë, ka takuar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

Sipas një njoftimi të Presidencës, Jahjaga gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

UBT

“Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova aspiron anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në OKB, si një vend që ka stabilizuar demokracinë e brendshme, që po ndërton shoqëri gjithëpërfshirëse, si një shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe një promotor i paqes dhe stabilitetit në rajon” thuhet në njoftim.

Po ashtu theksohet se Presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë vende që kanë interes të përbashkët që të adresojnë kërcënimet e ekstremizmit kudo dhe kurdo që të shfaqet. Ajo tha se kjo është një çështje që kërkon qasje të përbashkët.

“Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për mikpritjen, e përgëzoi për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat. Ai tha se EBA e kanë mbështetur Kosovën në periudha të ndryshme dhe do të vazhdojnë ta përkrahin atë edhe në proceset e tjera demokratike dhe në konsolidimin ndërkombëtar të saj” theksohet në njoftim.

Ministri i jashtëm i EBA-së, Sheik Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, tha se është me rëndësi stabiliteti i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor po aq sa është i rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik dhe të investimeve, njofton Presidenca./express/