RCCOLA

Jacobson: Zgjedhjet e 3 nëntorit janë… historike!

/ 18 minuta lexim

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, në një intervistë të lirë për Radio Dukagjinin flet për jetën e saj private, për punën dhe kohën e lirë në Kosovë, për ushqimin, rininë, politikanët… Në Kosovë thotë se sheh përparime, ndërsa apelon tek të gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit, e tek politikanët që zgjedhjet të jenë të drejta dhe transparente.

Dukagjini: Si është në Amerikë të bëhesh ambasadore. Çfarë duhet bërë?

Jacobson: S’ma merr mendja qe mund ta shpjegoj këtë në shqip. I kemi dy sisteme. Njëra mënyrë për t’u bërë ambasadore është duke iu bashkuar Shërbimit të Jashtëm. Këtë e kam bërë edhe unë. Rreth 70 për qind të ambasadorëve tanë janë diplomatë të karrierës. Njerëz si unë që i bashkëngjiten Shërbimit, përparojnë në karrierë dhe kanë fatin e mirë për tu përzgjedhur si ambasadorë. Rreth 30 për qind janë të përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë për të arriturat e tyre në industrinë private, në Akademi ose Qeveri. Gjithsesi, kushdo që nominohet për postin e ambasadorit duhet të konfirmohet nga Senati. Pra, të nominohet nga Presidenti dhe të konfirmohet nga Senati.

Më pëlqen humori britanik

Dukagjini: Është punë e lodhshme, e këndshme?
Jacobson: Është punë shumë e këndshme. Unë kam fat, sepse kam një punë që e dua shumë. Unë jam diplomate dhe çdo dy ose tri vjet kam mundësi të mësojë për një vend të ri, të mësojë një gjuhë të re. Unë ndihem sikur jam e re sepse puna ime është interesante.

Dukagjini: Keni provuar ndonjëherë të këndoni karaoke?
Jacobson: Isha ambasadore e SHBA-ve në Ashkabat në Turkmenistan dhe bashkëshorti im dhe unë shkonim shpesh në një bar ku edhe këndonim karioke. Këtu në Kosovë nuk kisha ende mundësi të këndojmë karioke por, nuk e di, ndoshta në të ardhmen.

Dukagjini: Cilën këngë e keni këndua?
Jacobson: P.sh. nga: Beatles, Bette Midler, The Rolling Stones.

Dukagjini: A e lexon horoskopin ambasadorja?
Jacobson: Jo, sepse besoj në fatin tim.

Dukagjini: Çka ju mungon më shumë nga ushqimi amerikan?
Jacobson: Nuk po më mungon asgjë, sepse ushqimi këtu në Kosovë është aq i mirë, aq i shijshëm dhe i shëndetshëm, si perime, peshq… Jam pothuajse vegjetariane. Nuk e preferojë mishin. Këtu sallatat janë shumë të mira e në veçanti buka me ajvar ose me djathë. Është telashe për mua ta kontrollojë figurën këtu.

Dukagjini: Shumë herë jeni përmendur se jeni aktive në rrjetet sociale. Përdorni Twitter, Facebook?

Jacobson: Jam në Twitter. Kam dy mijë ndjekës (followers), ndërsa Ambasada është në Facebook. Personalisht marr pjesë edhe në Facebook.

Dukagjini: Të flasim pak për vendin tuaj?

Jacobson: Kisha fat të jetoj në Kaliforni, për 16 vite, sa isha e re. Jam nga Kalifornia e veriut. Është shumë bukur, ka plazh, ka male. Është ky vend ku prodhohet vera shumë e mirë.

Dukagjini: A shikoni filma?
Jacobson: Filmi më i preferuar për mua është “Monty Python and The Holy Grail”, sepse jam mësuar kur isha e re me humor britanik. Janë shumë mbresëlënëse këtu në Kosovë festivalet e filmit. Kishim DokuFestin në Prizren, do ta kemi festivalin NineEleven, Prishtina Film Festival. Kosova ka një kulturë shumë aktive dhe të gjallë.

Dukagjini: Keni shërbyer për shumë shtete të tjera. Sa është e mundimshme kjo jetë?
Jacobson: Për mua është në rregull. Isha 18 vjeçe kur unë kam lëvizur çdo dy ose tri vjet. Për mua është në rregull. Më pëlqen shumë. Do të jetë pak e vështirë për mua kur të dal në pension.

Dukagjini: Po familja juaj…?
Jacobson: Jam këtu me bashkëshortin tim, David. Ai punon në ambasadën britanike. Është diplomat britanik, që tri vite.

Populli mikpritës i Kosovës

Dukagjini: E kemi parë klipin tënd të prezantimit për Kosovën. Jemi mahnitur sa bukur e flisje gjuhën shqipe. Si ja bëni me gjuhët? I mëson para se të shkosh në vendin ku do të jesh ambasadore?
Jacobson: Me falni për gabimet, por përpiqem. Mendoj se është e rëndësishme për diplomatet të tregojë respekt, interes në vend, në gjuhë, në kulturë. Nuk ishte e lehte për mua, pasi nuk jam e re të mësojë shqip që është një gjuhë pak e ndërlikuar. Por, përpiqem. Kemi shumë zyrtarë në Ambasadë që flasin shqip ose serbisht, sepse kjo është pjesë e punës.

Dukagjini: Po kalojmë te jeta në Kosovë. Si është të jetosh në një vend me mjaft vështirësi?
Jacobson: Për mua është një kënaqësi, sepse ka një nivel shumë të lartë të respektit për Amerikën në Kosovë. Kemi qasje gjithmonë me zyrtarë kosovarë, me shoqërinë civile, me mediat dhe të gjithë janë shumë të hapur. Patjetër që ka vështirësi dhe sfida, por mendoj se ne, Ambasada amerikane, punojmë shumë mirë me Qeverinë, me shoqërinë civile etj.

Dukagjini: Çfarë përshtypje kishit nga larg për Kosovës dhe çfarë kur erdhët këtu?
Jacobson: Kisha mundësi të lexoj për Kosovën, të bashkëbisedoj me kolegët që kemi tubuar këtu. Edhe para se të vija kisha një përshtypje shumë të mirë. Tani, pas një viti, kam përshtypje edhe më të mirë. Është e mrekullueshme të jetoj dhe të punoj këtu. Puna është interesante, populli është shumë mikpritës, malet janë të bukura, ushqimi …

Dukagjini: Veç po na shtohen kilogramët…
Jacobson: Vrapojë në mëngjes për të evituar kilogramët, por nuk është e lehtë.

Dukagjini: Si nis dita juaj? Me një makiato?
Jacobson: Me një çaj. Vjen kjo nga origjina ime angleze. Zakonisht në ora 5:00, sepse unë dhe bashkëshorti im bëjmë ushtrime para punës.

Fundamenti

Dukagjini: Dilni në Gërmi apo vetëm në shtëpi?
Jacobson: Në Gërmi, në palestër…

Dukagjini: Pastaj fillojnë angazhimet zyrtare…?
Jacobson: Zakonisht kam disa mbledhje jashtë Ambasadës me zyrtarë të Qeverisë dhe takime të ndryshme. Gjithashtu kam mbledhje brenda Ambasadës, sepse kemi një Ambasadë të madhe me gjashtë agjenci: thesarit, të drejtës, mbrojtjes, USAID dhe Departamentit të Shtetit. Muajin tjetër do të fillojë të punojë edhe një agjenci e re.

Dukagjini: Po ditëve të lira?
Jacobson: Na pëlqen të udhëtojmë pak nëpër Kosovë, p.sh. në Prizren, në Pejë, në grykën e maleve në Rugovë. Ishim një vikend edhe në malet e Sharrit, në Dragash. Na pëlqen shumë edhe të bëjmë ushtrime jashtë.

Zgjedhjet, mundësi e re për Kosovën

Dukagjini: A dilni nëpër Prishtinë kur jeni e lirë? Në cilat vende?
Jacobson: T’ju them të drejtën, në veçanti në mbrëmje dhe në fundjavë kemi angazhime zyrtare në restorante, në bare etj.

Dukagjini: A dilni me shqiptarë apo e keni shoqërinë tuaj?
Jacobson: Kemi fat, sepse kemi disa miq shqiptarë. Është kënaqësi për ne të ftojmë edhe miq në shtëpi ose edhe të vizitojmë miq në shtëpitë e tyre.

Dukagjini: Zonja ambasadore, vendi juaj ju ka dhuruar Shpërblimin e lartë për punë të ndershme. Sa shihni ndershmëri në politikat dhe politikanët e vendit tonë?
Jacobson: Kam takuar disa politikanë si dhe qeveritarë shumë punëtorë këtu. E di se, në veçanti për shkak të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të zgjedhjeve të ardhshme, ka shumë njerëz që fare s’kanë shkuar në pushime verore. Mendoj se e kemi një mundësi të vërtetë me zgjedhjet lokale, që udhëheqësit politikë të Kosovës të shfaqin një nivel të ri të ndershmërisë dhe të transparencës. Para një viti, Kosova ka arritur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe këto do të jenë zgjedhjet e para që mbahen prej asaj ngjarjeje. Mbahen përnjëherë në tërë territorin e Kosovës dhe kjo është mundësi e shkëlqyeshme për Kosovën për të treguar se është e gatshme për demokraci serioze. Do të doja që të gjithë udhëheqësit politikë të zotohen se do të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe transparente dhe se ata nuk do t’i pranojnë mashtrimet nga anëtarët e partive të tyre që punojnë në qendrat e votimeve apo në organet zgjedhore të komunës. Shpresoj që njerëzit do të dalin dhe do të votojnë dhe që vetë qytetarët do të raportojnë nëse shohin diçka të gabuar.

Ëndërroni diçka të madhe…

Dukagjini: Rinia e këtij vendi që për vite ka dalë ndër më optimistet në Evropë e më tej. Këtë vit pati lëkundje në optimizmin e treguar. Arsyet nuk janë të pakta. Si një shtetase e një vendi ku shteti i ofron politika ndihmuese dhe zhvilluese për rininë, si e shihni të ardhmen e rinisë tonë?
Jacobson: Jam shumë optimiste për Kosovën dhe njëra prej arsyeve për këtë është rinia e saj. Mendoj se rinia këtu ka shpirt sipërmarrësi; ka shumë energji; shumë kreativitet. Natyrisht se ka sfida të mëdha sa i përket punësimit. Kosovës i duhen shumë investime nga brenda dhe nga jashtë, që ekonomia të rritet dhe të mund të krijojë vende te reja pune. Besoj se Qeveria, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe po ashtu edhe komunat po punojnë me zell për të përmirësuar mjedisin afarist. Sa i përket tërheqjes së investimeve, kjo është e vështirë tash për shkak të krizës financiare në botë. Por, përderisa Kosova lëvizë para në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe përderisa të ketë mundësinë për ta luftuar korrupsionin dhe për të rritur kapacitetet e sistemit të drejtësisë, mendoj se do të ketë mundësi më të mira për të tërhequr investime. Sepse, në fund të fundit, të rinjtë e Kosovës duan atë që dëshirojnë të rinjtë e tjerë: duan punë, duan të ardhme të ndritur.

Dukagjini: Cila ka qenë këshilla më e mirë që ua keni dhënë të rinjve?
Jacobson: Këshilla më e mirë për mua ka qenë të ëndërroj diçka të madhe.

Dukagjini: Por, edhe ta realizojnë..
Jacobson: Jacobson: Ende po punoj për këtë.

Dukagjini: Si do t’i këshillonit të rinjtë të cilët kanë interes për shërbimet publike. Çfarë do ju thoshit?
Jacobson: Arsimimi është shumë i rëndësishëm, si dhe energjia për të rinjtë. Të rinjtë kanë aftësi të veçanta për të mësuar gjuhë të huaja, prandaj do t’i që të mësojnë sa më shumë gjuhë të huaja të rajonit dhe të tjera sa janë të rinj; që të punojnë shumë, sepse ne llogarisim tek të rinjtë e Kosovës – të cilët përfaqësojnë një pjesë të madhe të popullatës – që ta çojnë vendin drejt të ardhmes së ndritur evropiane. Do të isha e lumtur që të rinjtë e Kosovës të interesohen për shërbimin publik.

Makiato në Kosovë, më e mira në botë

Dukagjini: Cilat mendoni se janë njohurit apo eksperiencat e të rinjve që jetojnë në një shtet të ri, siç është Kosova? Çfarë eksperiencash kanë të rinjtë tanë në vendin tonë?
Jacobson: Kosova është vend në tranzicion që po shkon përpara. Edhe sistemi arsimor po përparon dhe ne po përpiqemi të ofrojmë ndihmë në këtë fushë. Shpresoj se deri në fund të vitit do të mund të shpallim programin e ri të ndihmës në arsim, i cili do t’ju japë mundësi qindra të rinjve kosovarë për t’i kryer studimet e larta në SHBA. Po ashtu, pas hapjes së programit të Korpusit të Paqes, shpresoj se vitin e ardhshëm do të kemi vullnetarë të Korpusit të Paqes. Fillimisht ata do të mbajnë mësim të gjuhës angleze në shkollat e mesme. Mendoj se edhe kjo gjë është pjesë e kontributit tonë. Përmes USAID-it kemi ofruar mbështetje në nivelin fillor, por edhe atë universitar. Është me rëndësi që të gjithë të punojmë së bashku në përmirësimin e mundësive të arsimimit, por edhe për të punuar në mundësitë ekonomike për të rinjtë. Kam vërejtur se të rinjtë këtu pinë shumë kafe, shumë makiato, që këtu është më e mira në botë. Mund ta them këtë, sepse fundjavën e kaluar isha në Venedik. E provova makiaton e tyre, por makiatoja këtu është më e mirë.

Dukagjini: Jam i gatshëm ta ndryshojë diplomën e fakultetit me një pasaportë amerikane ose të Evropës. Kur do të na ndryshojë ky trend ?
Jacobson: Mendoj se pasaporta që keni nuk është gjëja më e rëndësishme, por energjia, përkushtimi dhe kreativiteti ndaj punës tuaj; pasioni për punën tuaj. Do t’i nxisja të rinjtë e Kosovës që të përqendrohen në edukimin e tyre, që të mësojnë rreth sipërmarrësisë dhe të mendojnë rreth shërbimit publik e t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë. Për ata që janë të interesuar për të studiuar në SHBA, kemi shumë programe. Po përgatitemi që muajin e ardhshëm t’i përzgjedhim kandidatët për programin Fulbright. Kemi programe të shkëmbimit të nxënësve të shkollave të mesme, të studentëve në studime para dhe pasuniversitare, dhe të profesorëve. Ju keni qenë pjesëmarrëse e njërit prej këtyre programeve. Pra, do t’i nxisja të rinjtë që janë të interesuar për të studiuar në SHBA, që t’i vizitojnë këndet amerikane në Mitrovicë, Prishtinë dhe në Prizren, apo qendrën tonë për këshillim e cila gjendet në Shkollën Amerikane të Kosovës, për të mësuar më shumë rreth programeve tona. Po ashtu, vizitoni faqen tonë të internetit. Mund të na gjeni në Facebook ku gjithmonë i reklamojmë mundësitë për të studiuar në SHBA. Do të dëshironim që qindra të rinj të shkojnë për të studiuar në SHBA dhe të kthehen për ta sjell përvojën e tyre në Kosovë e për të ndihmuar në ndërtimin e të ardhmes së vendit.

Ishalla Kosovën e shohim më pak të izoluar

Dukagjini: Kur do ti vije fundi izolimit të sportit kosovar? Kemi shumë talente, sportistë të dalluar. E fundit ishte Majlinda Kelmendi e cila u shpall kampione e botës në xhudo.
Jacobson: Po shohim më shumë hapje në këtë fushë. Medalja e artë në xhudo është e mrekullueshme. Është fantastike për të parë një kosovare me një të arritur të tillë dhe flamurin kosovar duke valuar në maje. Mendoj se ishte çast shumë prekës për shumë veta këtu dhe shpresoj se do të kemi raste të tjera për ta parë një gjë të tillë edhe në të ardhmen. Kosova është njohur nga 100 vende dhe me përparimin në dialogun me Serbinë, me arritjen e Marrëveshjes dhe me zbatimin e saj, me rrugën evropiane të Kosovës dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që do të negociohet, gjasat për të ardhmen janë të mira. Gjërat kurrë nuk arrihen aq shpejt sa do të dëshironim. Por, nëse e krahasojmë këtë vit me vitin e kaluar, Kosova ka arritur shumë prej atëherë: kemi përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, marrëveshjen e 19 prillit me Serbinë, vendimin e Bashkimit Evropian për negociatat për Stabilizim-Asociim, ligjet e reja që janë të domosdoshme për procesin e liberalizimit të vizave… Është bërë punë e madhe për një vit dhe nëse Kosova arrin ta mbajë këtë ritëm, mendoj se të rinjtë do ta shohin Kosovën më pak të izoluar dhe më shumë të ndërlidhur, përfshirë edhe në fushën e sportit. Ishalla.

Dukagjini: A ju pëlqejnë njerëzit e Kosovës? E përmendet më herët mikëpritjen. Çka tjetër përpos mikpritjes?
Jacobson: Njerëzit këtu janë shumë të hapur. Mendoj se shkalla e miratimit për SHBA-të këtu është 87 për qind, e jam e sigurt se është më e lartë se kudo në botë. Prandaj, është mirë për të qenë në një vend kaq proamerikan, ku njerëzit duan të punojnë me amerikanët. Çka kam parë këtu është se kosovarët duan ta ngërthejnë përvojën që e marrin diku tjetër dhe ta shfrytëzojnë atë për të zhvilluar rrjedhat dhe përvojat vetanake. Prandaj, mendoj se investimet tona këtu janë pozitive, sepse përfitojmë shumë prej programeve tona të investimeve, qofshin ato përmes Departamentit të Thesarit, të Drejtësisë, të Mbrojtjes, USAID-it apo përmes programeve të Departamentit të Shtetit. Kjo më pëlqen, sepse është mrekulli kur kemi mundësi që t’i shohim rezultatet e investimeve tona gjatë kohëzgjatjes së mandatit tonë. Nganjëherë në diplomaci investojmë në diçka, por rezultatet shihen pas njëzet vjetëve. Këtu në Kosovë me të vërtetë shohim përparim. Më pëlqen mikpritja e njerëzve, më pëlqen sensi i humorit dhe është kënaqësi për të qenë këtu.

Bota do t’ju vëzhgojë.

Dukagjini: Cili është mesazhi juaj për zgjedhjet lokale që po i presim me 3 nëntor?
Jacobson: Porosia ime është që të dalin në zgjedhje. Zgjedhjet e 3 nëntorit janë historike, sepse do të jetë hera e parë që zgjedhjet lokale do të mbahen përnjëherë në tërë territorin e Kosovës. Bota do t’ju vëzhgojë. Shpresoj që të shohim vëzhgues nga Bashkimi Evropian. Ne planifikojmë që t’i vëzhgojmë këto zgjedhje nëpër të gjitha komunat e Kosovës me ekipet tona nga ambasadat këtu dhe ato në vendet fqinje. Po ashtu, do të ketë edhe vëzhgues vendorë, të cilët do t’i mbështesim së bashku me donatorë tjerë. Pra, bota do të vëzhgojë se si do të mbahen këto zgjedhje. Prandaj, është me rëndësi që njerëzit të dalin në to, pa marrë parasysh moshën apo përkatësin etnike. Është me rëndësi që të dilni dhe të votoni për kandidatin që ju mendoni se do të jetë më i miri për të ardhmen e komunës tuaj; për kandidatin që ju mendoni se do t’ju japë më se shumti llogari zgjedhësve. Kjo është porosia ime për votuesit. Kurse, porosia ime për politikanët është që të mbajnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Kur them politikanët, nuk flas vetëm udhëheqësinë e lartë politike, por edhe për përfaqësuesit e partive politike që punojnë në qendrat e votimit. Ky proces duhet të jetë i drejtë dhe transparent, për tu pranuar si legjitim. Kosova duhet të ketë zgjedhje legjitime për të ecur përpara.

Dukagjini: Zgjedhjet në Kosovë dhe marrëveshja Kosovë-Serbi? A mendoni se me këto zgjedhje veriu do të integrohet më shumë në Kosovë?
Jacobson: Gjëja më e rëndësishme prej këtyre zgjedhjeve, sa i përket veriut, është se pas këtyre zgjedhjeve, nëse të gjithë marrin pjesë në to dhe nëse procesi zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, atëherë në veri do të kemi kryebashkiak të ri të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që pranohet si legjitim nga Kosova, nga popullata këtu, nga rajoni dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Mendoj se ky do të jetë hap shumë i rëndësishëm përpara. /Radio Dukagjini/Telegrafi/