Ja tre ushqime që mund të ndalojnë kancerin e prostatës
Konsumi i peshkut, vajit të ullirit dhe arrave, ndërsa kufizohet përdorimi i patateve të skuqura, biskotave dhe majonezës, mund të ngadalësojë rritjen e kancerit të hershëm të prostatës, sipas një studimi të ri.
Kërkimet e reja sugjerojnë se ndryshimet e thjeshta në dietë mund të ndihmojnë në reduktimin e rritjes së qelizave të kancerit të prostatës te pacientët që ndjekin “mbikëqyrjen aktive”.
Kjo është një qasje trajtimi që përfshin monitorimin e rregullt të kancerit pa ndërhyrje të menjëhershme.
Rezultatet tregojnë se një dietë e varfër në omega-6, por e pasur me acide yndyrore omega-3, e kombinuar me suplemente të vajit të peshkut, uli ndjeshëm ritmin e rritjes së qelizave të kancerit të prostatës te burrat me sëmundje në fazë të hershme.
Sipas shkencëtarëve, kjo mund të zgjasë kohën përpara se të nevojitet një trajtim më agresiv.
Shumë burra me kancer të prostatës me rrezik të ulët zgjedhin mbikëqyrjen aktive në vend të trajtimit të menjëhershëm.
Megjithatë, brenda pesë vitesh, rreth gjysma e tyre duhet t’i nënshtrohen terapi kirurgjike ose rrezatimit.
Për këtë arsye, pacientët kërkojnë mënyra për të shtyrë nevojën për trajtim, përfshirë ndryshimet në dietë ose përdorimin e suplementeve.
Studiuesit realizuan një eksperiment me 100 burra me rrezik të ulët ose të ndërmjetëm të kancerit të prostatës, të cilët zgjodhën mbikëqyrjen aktive.
Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në dy grupe: një grup që vazhdoi dietën normale dhe një grup që ndoqi një dietë të varfër në omega-6, të pasur me omega-3, e kombinuar me vaj peshku, për një vit.
Ky grup mori këshilla për alternativa më të shëndetshme dhe me më pak yndyrë, si përdorimi i vajit të ullirit ose lëngut të limonit dhe uthullës për salcat e sallatës, dhe përpjekjen për të ngrënë më shumë peshk dhe arra.
Gjithashtu, ata u këshilluan të reduktonin ushqimet me përmbajtje të lartë omega-6, si patate të skuqura, biskota, majonezë dhe ushqime të tjera të skuqura ose të përpunuara.
Këta pjesëmarrës morën gjithashtu kapsula vaji peshku për të rritur më tej sasinë e omega-3, ndërsa grupi tjetër nuk mori këshilla dietike apo suplemente.
Studiuesit monitoruan ndryshimet në një biomarker të quajtur indeksi Ki-67, i cili tregon sa shpejt po shumëfishohen qelizat e kancerit – një parashikues kyç i përparimit të kancerit, metastazave dhe mbijetesës.
Analiza tregoi se pas një viti, grupi me dietë të varfër në omega-6 dhe të pasur me omega-3 kishte një ulje prej 15% të indeksit Ki-67, ndërsa grupi kontroll shënoi një rritje prej 24%.
“Kjo është një hap i rëndësishëm drejt kuptimit se si dieta mund të ndikojë potencialisht në rezultatet e kancerit të prostatës”, tha Dr. William Aronson, Profesor i Urologjisë në UCLA dhe autor kryesor i studimit
“Shumë burra janë të interesuar për ndryshimet në stilin e jetesës, përfshirë dietën, për të ndihmuar në menaxhimin e kancerit dhe parandalimin e përparimit të tij.
“Gjetjet tona sugjerojnë se diçka kaq e thjeshtë sa përshtatja e dietës mund të ngadalësojë rritjen e kancerit dhe të zgjasë kohën para ndërhyrjeve më agresive.”
Ndërsa rezultatet janë premtuese, studiuesit nuk gjetën dallime në markues të tjerë të rritjes së kancerit, të cilët përdoren zakonisht për të monitoruar përparimin e kancerit të prostatës.
Rezultatet e studimit u publikuan në Journal of Clinical Oncology.