Ja koha më e mirë për të marrë vitaminat
Për të funksionuar siç duhet, trupi juaj ka nevojë për 13 vitamina, 9 prej të cilave janë të tretshme në ujë dhe 4 janë të tretshme në yndyrë. Edhe pse këto lëndë ushqyese gjenden në sasi të ndryshme në ushqim, disa njerëz duhet t’i marrin për të përmbushur mungesat e tyre. Normalisht, shumica e vitaminave mund të merren në çdo kohë të ditës. Por disa vitamina përfitohen më mirë në kushte të veçanta, prandaj është mirë të dini se si dhe kur t’i merrni për të nxitur përthithjen optimale.
Vitaminat e tretshme në ujë
Ka nëntë vitamina të tretshme në ujë, të cilat përfshijnë vitaminën C dhe tetë vitaminat e kompleksit B si B1 (tiaminë), B2 (riboflavin), B3 (niacin), B5 (acid pantotenik), B6 (piridoksinë), B7 (biotinë), B9 (folat) dhe B12 (kobalaminë). Rekomandohet të konsumoni rregullisht vitamina të tretshme në ujë sepse ato shpesh nuk ruhen në indet e trupit tuaj. Këto vitamina dalin shpejt nga sistemi i gjakut nëpërmjet urinës ndaj duhet t’i zëvendësoni.
Vitamina C
Vitamina C luan shumë role të domosdoshme në trupin tuaj. Ajo funksionon si një antioksidant i fuqishëm, forcon imunitetin, si dhe kryen lidhjen mes kolagjenit dhe neurotransmetuesve. Ekzistojnë disa forma të suplementeve të vitaminës C, të cilat mund të merrni në çdo kohë të ditës, me ose pa ushqim. Sigurohuni që të ruani suplementet e vitaminës C në një vend të freskët dhe të errët, pasi kjo lëndë ushqyese është e ndjeshme ndaj nxehtësisë dhe dritës.
Vitamina B
Vitaminat B shiten individualisht ose si suplemente të kompleksit B që përmbajnë të tetë vitaminat B. Për shkak se ato janë të tretshme në ujë, mund t’i merrni me ose pa ushqim dhe në çdo kohë të ditës. Megjithatë shpesh rekomandohet të merren në mëngjes për shkak të rolit në metabolizmin e lëndëve ushqyese dhe prodhimit të energjisë. Për më tepër, rekomandohet që njerëzit me mungesë B12 ta marrin këtë suplement me stomakun bosh dhe me ujë, për të nxitur përthithjen maksimale.
Vitaminat e tretshme në yndyrë
Ndryshe nga vitaminat e tretshme në ujë, vitaminat e tretshme në yndyrë varen nga yndyra për tu përthithur si duhet. Në përgjithësi rekomandohet që t’i merrni gjatë një vakti që përmban ushqime me yndyrë të shëndetshme.
Vitamina A
Disa njerëz janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës A për shkak të nevojave të shtuara ose mos përthithjes nga organizmi. Këtu përfshihen gratë shtatzëna, ato ushqejnë me gji dhe personat me fibrozë cistike. Për të nxitur përthithjen optimale, duhet të merrni suplemente të vitaminës A me një vakt që përmban yndyrë. Mbani mend se nëse ndiqni një regjim ushqimor të ekuilibruar, marrja e suplementeve të vitaminës A nuk është e nevojshme. Dhe për shkak se ajo mund të shkaktojë dëm në organizëm tek njerëzit që nuk kanë mungesë të saj, nuk këshillohet ta merrni pa u konsultuar me mjekun.
Vitamina D
Vitamina D është e nevojshme për forcimin e imunitetit, shëndetin e kockave, rritjen qelizore etj. Fatkeqësisht, më shumë se 1 miliard njerëz në mbarë botën kanë mungesë të kësaj lënde ushqyese shumë të rëndësishme. Ajo mund të merret në çdo kohë të ditës dhe shumica e suplementeve duhet të merren me vakte ose ushqime me përmbajtje yndyre për të siguruar përthithjen optimale. Është e rëndësishme të theksohet se aktivizimi i vitaminës D varet nga nivelet e duhura të magnezit, prandaj duhet të merrni mjaftueshëm magnez. Gjithashtu, mbani mend se disa vitamina të tretshme në yndyrë, përfshirë vitaminën E, mund të ndikojnë në përthithjen e vitaminës D.
Vitamina E
Vitamina E funksionon si një antioksidant kryesor në trupin tuaj dhe është thelbësore për qarkullimin e shëndetshëm të gjakut dhe imunitetin. Mungesa e saj është e rrallë dhe vihet re më tepër tek njerëzit me sëmundje si fibroza cistike etj. Mund të mos jetë e nevojshme të merrni vitaminë E me një vakt që përmban yndyrë për sa kohë që konsumoni mjaftueshëm yndyrë në vaktet pasardhëse. Mbani mend se edhe pse vitamina E është e rëndësishme, marrja e tepërt në formë suplementi mund të shkaktojë dëm.
Vitamina K
Vitamina K është e nevojshme për koagulimin e gjakut, shëndetin e kockave dhe zemrës, por edhe për funksione të tjera në trup. Ju mund të merrni suplemente të vitaminës K në çdo kohë të ditës me një vakt ose meze të lehtë që përmban yndyrë. Për shkak se shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm vitaminë K përmes ushqimit, nuk rekomandohet marrja e suplementeve me doza të larta, përveç rasteve kur vuani nga ndonjë sëmundje dhe mjeku juaj e rekomandon atë.
Multivitaminat
Multivitaminat zakonisht përmbajnë një sërë vitaminash dhe mineralesh. Disa njerëz preferojnë multivitaminat sepse janë më të përshtatshme dhe mund të jenë më pak të kushtueshme. Për shkak se këto suplemente zakonisht përmbajnë vitamina të tretshme në yndyrë dhe në ujë, rekomandohet t’i konsumoni përgjatë një vakti. Kjo mund të përmirësojë përthithjen e disa lëndëve ushqyese duke reduktuar rrezikun e shqetësimeve gastrointestinale, të cilat mund të ndodhin kur merrni një multivitaminë me stomakun bosh.