Investimet e huaja, në humnerë
Viti që porsa e lamë pas ishte viti me investimet më të vogla të huaja në vend në 5 vitet e fundit dhe kjo mbetet një çështje që askush për momentin nuk mund të shpjegojë saktësisht se cilët ishin indikatorët kryesorë të rënies së investimeve të huaja nga 400 milionë euro sa ishin para pesë vjetësh në vetëm 100 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Së këndejmi, analistët e ekonomisë dhe ish-deputetët thonë se ekonominë e Kosovës po e shkatërron mafia politike, e cila është në udhëheqje të shtetit dhe shi për këtë dikush duhet që të japë përgjegjësi për rënien e investimeve të huaja. Veç saj, ata thonë se nga janari e deri në muajin dhjetor të vitit 2018, në Kosovë kanë falimentuar 1 mijë e 619 biznese dhe kjo flet për përkeqësim të ambientit të të bërit biznes
Shahini: Më pak se 1 për qind e investitorëve të huaj fillojnë biznesin në Kosovë
Kreu i AKB-së Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në Kosovë edhe viti 2018 është mbyllur me parametra jo të këndshëm ekonomikë, duke konsideruar që viti 2018 ishte i orientuar në dialogun me Serbinë dhe ekonomia ishte në agjendën sekondare, prandaj edhe ka pasur më pak investime të huaja, ka pasur mbyllje biznesesh. “E tërë kjo është pasojë e të gjitha politikave jo të favorshme për zhvillimin e bizneseve në Kosovë, përkundrazi që disa raporte na tregojnë se ka pasur përmirësim të bërjes së biznesit në Kosovë dhe këtë e tregojnë edhe vetë statistikat të kundërtën e këtyre raporteve.
AKBja ka publikuar një hulumtim para katër muajve për investimet e huaja në vend dhe shifrat na tregojnë se 94 për qind të investitorëve të huaj, që vijnë për ta vizituar Kosovën, ata menjëherë ikin nga Kosova. Kurse prej tyre vetëm 2 për qind mbesin në Kosovë, duke e hapur biznesin e tyre, ndërsa vetëm më pak se 1 për qind e këtyre investitorëve të huaj e fillojnë biznesin në Kosovë”, është shprehur ai. Shahini tregon se, sipas investitorëve të huaj, ata konsiderojnë se në Kosovë është e shtrenjtë kyçja në infrastrukturën fizike, që është më e shtrenjta në rajon, sikurse edhe paluajtshmëritë që janë më të shtrenjtat në rajon si edhe politikat investuese në vend që janë më të shtrenjtat në rajon. “Këtu duhet llogaritur si pengesa investimesh të huaja edhe korrupsionin, burokracia dhe mos-sundimin e ligjit që mbesin brengat kryesore të investitorëve të huaj, por edhe interesi tepër i lartë bankar, që është më i larti në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, gjë që e vështirëson tej mase klimën biznesore në vend”. Shahini shton se Qeveria e vendit pak i ka marrë seriozisht hulumtimet dhe vërejtjet e AKB-së.
Salihu: Me këta pushtetarë, ekonomia e Kosovës shkon drejt shkatërrimit të plotë
Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ekonominë e Kosovës po e shkatërron mafia politike, e cila është në udhëheqje të shtetit, prandaj për këtu dikush duhet që të japë përgjegjësi për rënien e investimeve të huaja. “Të gjitha këto janë indikatorët që na tregojnë se me këta pushtetarë të lidhur me një grusht mafiozësh me shumë biznese të pista në Kosovë, ekonomia e Kosovës po shkon drejt shkatërrimit të plotë.
Vlerësimet e mia i tregojnë shifrat zyrtare të BQK-së, që thonë se që nga janari e deri në muajin dhjetor të vitit 2018, në Kosovë kanë falimentuar 1 mijë e 619 biznese, që na tregon se numri i bizneseve që kanë falimentuar këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar”. Prandaj, sipas Salihut, për momentin nga askush nuk mund të shpjegohet saktësisht se cilët ishin indikatorët kryesorë të rënies së investimeve të huaja nga 400 milionë euro sa ishin para pesë vitesh në vetëm 100 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. “Së këndejmi, këto shifra na tregojnë se në Kuvendin e Kosovës duhet shtruar urgjentisht në diskutim çështja se çfarë ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja. Vetëm atëherë Qeveria duhet të ndërmarrë masa konkrete për joshjen e investitorëve të huaj”, është shprehur ai.
Mustafa: Imazhi i keq i vendit frenon investitorët
Eksperti i ekonomisë Dr. Muhamet Mustafa, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se para së gjithash fajtore është situata politike, por shton se ka pasur deri diku përmirësime sa u përket kushteve për prodhuesit vendorë, sepse Pakoja Fiskale 1 dhe 2 , e miratuar nga Qeveria e kaluar, është zbatuar edhe nga kjo Qeveri dhe ka pasur edhe disa përmirësime. “Sa u përket politikave ekonomike, nuk ka pasur problem, por problemi është çështja e negociatave me Serbinë, jouniteti politik dhe imazhi i keq i vendit, që është shumë me rëndësi që një vend të bëhet atraktiv për investitorët e huaj, sepse kur është imazhi i vendit joatraktiv, edhe të hiqen taksat, investitorët e huaj nuk vijnë në asnjë vend”, është shprehur ai.
Kur bëhet fjalë për mbi 1600 biznese që kanë falimentuar, Mustafa theksoi se në këtë rast duhet shikuar edhe numrin e bizneseve të reja që janë hapur, edhe numrin e bizneseve që janë mbyllur, pra duhet gjetur diferencën. “Nëse janë regjistruar 10 mijë biznese e janë çregjistruar 3 mijë biznese, atëherë diferenca është 7 mijë biznese të reja, ngase në ekonomi kështu llogaritet. Prandaj, në përgjithësi cilësia e qeverisjes ekonomike dhe makro ekonomie e tregon një stabilitet dhe këta janë faktorët që ndikojnë në krijimin e bizneseve të reja dhe në rritjen e investitorëve “, është shprehur ai.
Maloku: Ikja e investitorëve, shkatërruese për ekonominë
“Mungesa më e madhe në Kosovën e pasluftës për joshjen e investimeve të huaja deri më tash kanë qenë mungesa e sundimit të ligjit, dhënia e mitës dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni që janë disa nga indikatorët e mbylljes së shumë bizneseve, por edhe të ikjes së investitorëve të huaj nga Kosova. Sepse, pa një shtet të mirëfilltë ligjor, nuk ka as investime të huaja në asnjë vend dhe kjo vlen edhe për Kosovën.
Dhe, kjo ka ndikuar që investimet në Kosovë të ulen nga rreth 400 milionë euro, që kanë qenë në vitin 2010, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 kanë qenë më pak se 100 milionë euro investime dhe veç saj edhe cilësia e investimeve të huaja lë shumë për të dëshiruar. Fushat ku mund të investohen janë të shumta, duke filluar nga energjia, miniera dhe mineralet, transporti dhe telekomunikacioni, industria përpunuese, bujqësia dhe turizmi, që janë vetëm disa nga sektorët me më potencialë në të cilët investitorët ndërkombëtarë do të mund të investonin, sikur të kishte një situatë të volitshme politike”, theksoi për “Kosova Sot”, analisti Ramadan Maloku.
Grapci: Agjenda e stërzgjatur Kosovë-Serbi, indikator i keq
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për ” Kosova Sot”, thotë se bazuar në shifrat zyrtare të BQK-së, që flasin për investimet e huaja në Kosovë, ato na tregojnë se për Kosovën në pesë vjetët e fundit viti më i keq për investime ka qenë viti 2018, me një vlerë prej 121.9 milionë euro dhe bazuar në këto shifrat ato na tregojnë se investimet e huaja kanë shënuan një rënie vjetore prej 43.0 për qind. “Në vitin 2017 investimet e huaja, arritën vlerën prej 287.8 milionë euro, që paraqet një rritje prej 30.8 për qind krahasuar me vitin 2016. Shifrat ndërkaq janë për keqardhje dhe ato na tregojnë se derisa rajoni ka shënuar rritje të investimeve, në Kosovë ka pasur rënie të investimeve.
Veç mungesës së rendit dhe të ligjit si edhe dhënia e mitës që po u kërkohet investitorëve të huaj, është njëri nga indikatorët kryesorë edhe mungesa e një ligji më efikas për të investuar në Kosovë. Dhe, derisa në shtet tona fqinje, sidomos në Serbi dhe në Maqedoni, por edhe Shqipëri e Mal të Zi për çdo muaj kanë me dhjetëra investitorë në saje të ligjeve të përshtatshme që janë joshëse për investitorët , në Kosovë kjo nuk ndodh dhe mbase njëri nga indikatorët është edhe agjenda e stërzgjatur politike e bisedimeve Kosovë -Serbi”, thekson analisti Dardan Grapci për gazetën “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


