UBT

Inva Mula, ylli që ndriçoi shqiptarët kudo që ndodhen

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Të premten e kaluar, në datë 1 mars u mbajt një mbrëmje artistike me sopranon e famshme shqiptare, zonjën Inva Mula. Nuk ishte rastësi që ky eveniment u mbajt këtu në bibliotekën interkulturore PBZ Hardau, ku midis gjuhëve të tjera ka edhe shumë libra në shqip.

Megjithese Inva është tashmë një personalitet me dimensione shumë më të mëdha se vetëm ato shqiptare, që ka prekur skenat më të famshme botërore dhe ka njohur personalitete nga më të famshmet në mbarë botën, Inva ka mbetur e thjeshtë dhe shumë njerëzore, një kënaqësi e vërtetë për të biseduar dhe për ta admiruar edhe më tepër nga afër.

Inva Mula është një emër i njohur jo vetëm në mbarë viset shqiptare, por edhe në botë. E lindur në Tirane në një familje artistësh, Nina dhe Avni Mula, Inva filloi të marrë mësime pianoje që e vogël. Koncertin i saj të parë e dha kur ishte 5 vjec. Deri më sot Inva ka marrë shume cmime si edhe dashurinë e mbarëpublikut, si shqiptar ashtu edhe ndërkombëtar, dhe kënget e saj janë bere moto e mbarë gjeneratave.

Në moshën 16 vjecare ajo merr mësime nga e ëma e saj, zonja Nina Mula që fatkeqësisht është ndarë nga ne. Më vonë ajo diplomohet si soprano në Akademinë e Arteve në Tiranë ku interpreton Violetën e Traviates, performancë kjo që do të përsëritet disa herë në rolet e mëpasshme. Ky rol i hap dyert e Teatrit te Operes në Tiranë ku ajo këndon per 5 vjet me rradhë si soliste. Aty ajo interpreton rolet e Rozines tek Berberi i Seviljes, Mimi tek Boheme, Xhilda tek Rigoletto, si edhe këndon në opera të kompozitorëve shqiptarë.

Në këtë periudhë ajo fiton konkursin « Tefta Tashko Koco » dhe shpallet si këngëtarja më e mirë e operës për vitin 1987. Që këtu ajo fillon të shfaqet nëpër koncerte ndërkombëtare, fiton çmimin Zhorzh Enesko ne 1990, më pas Madamme Butterfly në Barcelonë.

Që nga viti 1992 ajo zhvendoset në Francë, ku edhe pjesërisht jeton, triumfon në 1993

në konkursin « Placido Domingo » dhe që aty fillon një bashkëpunim të ngushtë me maestron e madh. Pikërisht këtu fillon karriera e saj internacionale, fillimisht në operën e Avignon, pastaj Los Angeles, Bonn, Washington, Chicago e New York.

Bashkëpunime të mëtejshme me emra te mëdha në fushën operistike si me baritonin Leo Nucci apo maestron Ricardo Muti ne teatrin e la Scales ne Milano i hapin rrugën suksesit të saj të mëtejshëm në Itali. Ajo ftohet të këndojë Violetën për hapjen e teatrit Arcimoldo në Milano, sukses ky që i sjell angazhime të tjera në Itali.

Pas turneve të shumta nëpër botë si dhe promovimit te CD-së së re të saj në Tiranë, Prishtinë e Shkup, sopranoja e famshme shqiptare ndodhet momentalisht ne Zyrih. Mes obligimeve të shumta familjare dhe profesionale, pasi po luan rolin kryesor në „Boheme“ në operën e Zyrihut, Inva e gjen kohën dhe shpreh dëshirën të jetë e pranishme në një mbrëmje për shqiptarët e Zvicrës. Sopranoja e famshme sapo ka regjistruar albumin e dytë me këngë në shqip dhe nuk është një rastësi që e ka quajtur pikërisht „Për ty atdhe“. Ky album që përmban 12 këngë ka lindur si iniciative e këngëtares pikërisht për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe është perçuar në të gjitha trevat shqiptare. Janë këngët më të njohura të kënduara ne vite, këngë të cilat duhet të përcillen në të gjithë brezat e ardhshëm si pasuri e çmuar e kombit tonë. Tituj si „Rrjedh në këngë e ligjerime“, „Për mëmëdhenë“, „Himni i flamurit“, „Agimet shqiptare“ apo „Dua më shumë Shqiperinë“ janë balsam per veshin e çdo bashkëatdhetari, janë një rikthim në nostalgjinë e kohëve të hershme.

Së bashku me bashkëshortin e saj Etem Ramadani ata kanë thirrur në jetë edhe fondacionin e quajtur « Hi Classic », për të ndihmuar talentet e reja në fushën e artit.

Por Inva megjithëse jeton jashtë shtetit është më e pranishme se kurrë pranë shqiptarëve të kudondodhur ne botë. Kjo ishte edhe arsyeja qe Inva ishte me ne në bibliotekën interkulturore Pestalozzi Hardau, për të kaluar së bashku një mbrëmje artistike, ku dëgjuam një pjesë të këtyre këngëve si dhe patëm mundësinë e rrallë ta përjetojmë Invën live.

Suela Jorgaqi: E dashur Inva, ishte një kënaqësi e madhe për mua që ishe e ftuara ime këtu në bibliotekën që unë drejtoj, në të cilën kemi edhe shumë libra shqip…

Inva Mula: Në radhë të parë Suela të falënderoj për mikpritjen tënde.Takimi ynë i parë ishte i shpejtë, por që në fjalitë e para të bisedës sonë ne ramë dakort të organizonim këtë aktivitet dhe kjo falë gadishmërisë dhe pozitivitetit tënd.

Suela Jorgaqi: Shumë faleminderit, Inva, kënaqësia ishte e gjitha e imja… Po si dhe kur të lindi ideja për këtë CD? Ti ke qënë në të gjithe trevat shqiptare për ta sjellë sa më pranë shqiptarëve këtë pasuri tejet të çmuar. Si je pritur?

Inva Mula: Ideja e këtij disku lindi spontanisht në provat që unë zhvilloj me pianistin e talentuar Genc Tukiçi në Paris. Ne gjithnjë në koncertet tona interpretojmë perla të muzikes shqiptare, por ideja për t’i ripunuar këto këngë, riorkestruar tashmë për orkestër sinfonike, kërkonte një punë të madhe, në radhë të parë nga Genc Tukiçi, që është edhe orkestruesi i këngëve si dhe më pas nga puna pasionante e dirigjentit Bujar Llapi. Paraqitja e parë ka qënë në Tiranë, pasuar me Prishtinën dhe ky trekëndësh u mbyll me nje koncert te mrekullueshëm ne Shkup.
Me prezantimin e CD-së në Zyrih fillon dhe një tur i gjatë, pasi në të gjithë shtetet ku unë udhëtoj për performancat e mia skenike dua t’i le bashkombësve te mi tingujt e muzikës shqiptare, këngët më të bukura për atdheun, pasi e di që secili nga ne ka nevojë shpirtërore për to dhe do t’ua përcjellë këtë pasuri fëmijëve te tyre.

Uji Dea

Suela Jorgaqi: Në Tiranë të rinjtë shpesh dëgjojnë muzikë të huaj, është ky një fenomen i zakonshëm apo ka më shumë nevojë për rikthim në rrënjët shqiptare?

Inva Mula: Të rinjtë në përgjithësi kanë tendencë të dëgjojnë muzikë të huaj, ne nuk mund të imponojmë zgjedhjet e tyre, por kemi për detyrë të prezantojmë muzikë të mirë shqiptare dhe sidomos te rifreskojmë perlat e muzikës që janë shkruar në vite.

Suela Jorgaqi : Ti ke marrë së fundmi titullin „Nderi i Kombit“, titulli më i lartë që i jepet një artisti. Çfarë simbolizon ky titull per ty? Është më shumë përgjegjësi apo motivim për të vazhduar këtë punë të jashtëzakonshme që ke ndërmarrë?

Inva Mula: Ky titull m’u akordua më 27 nëntor, në prag të festimeve të 100 Vjetorit. Ishte një përjetim i mrekullueshëm ato ditë në Tiranë, gjithsecili festonte spontanisht në mënyrën e tij dhe Tirana i ngjante një familjeje të madhe në festë. Në këtë atmosferë feste popullore mua m’u akordua dhe titulli i lartë «Nder i kombit». Nuk jua fsheh emocionin, unë kam marrë shumë çmime dhe tituj ne karrierën time, jam çdo natë përpara publikut me ovacionet e tij pa fund, por në ato momente u emocionova pa masë…siç duket emocionet e vërteta i përjeton me një forcë te tillë vetëm në rrënjët e tua, prandaj ai moment do të mbetet nga më të bukurit e jetës sime.

Suela Jorgaqi : E vërtetë… Titulli tjetër që meriton është qytetare e botës, megjithëse ti e ke arritur me kohë edhe këtë status…

Inva Mula: Fakti që unë punoj dhe jetoj nëpër botë më ka bërë të kem dhe një koncept tjeter mbi botën që më rrethon… Vërtet ndihem qytetare e botës, pasi dhe vetë misioni im në këtë jetë ështe i tillë. Jam me fat, profesioni im ma ka imponuar fillimisht këtë stil jete, ndërsa tani me eksperiencën që kam mundohem kudo që jam të kontriboj sa më shumë në mënyrën time për t’i afruar njerëzit si dhe ndihmuar dhe bashkuar ata.

Suela Jorgaqi : Je e vetëdijshme se ke përmirësuar dhe po vazhdon të përmirësosh imazhin e shqiptarëve në botë? A nuk është kjo një barrë e madhe? Si ndjehesh në rolin e ambasadores shqiptare?

Inva Mula: Këtë rol unë e kam marrë mbi supe prej kohësh dhe kjo është detyrë e çdo artisti .Jam e lumtur që përpara 20 viteve shumë njerëz e kanë mësuar ekzistencën e Shqiperisë prej meje, sot me plejadën e mrekullueshme të artistëve shqiptarë kemi potencialin e mundshëm që këta ambasadorë me talentin e tyre të lartësojnë dhe pozitivizojnë emrin e shqiptarëve ne botë. Ne kemi nevojë për këtë dhe rruga është e gjatë akoma.

Suela Jorgaqi : Kur të dëgjova në Boheme për mua ishte një moment i paharrueshëm: Një artiste shqiptare pushton skenën e Zyrihut. Pas mbarimit të operës unë u ndjeva shumë krenare dhe e privilegjuar në atë valë duartrokitjesh që nuk kishin të sosur… Si e përjetove ti këtë moment?

Inva Mula: Ndihem mirë kur publiku pëlqen atë që bëj. Publiku zviceran është i mrekullueshëm, duket i rezervuar në fillim, por kur është i kënaqur është i pakursyer në duartrokitje. Mund ta imagjinosh që unë në ato momente nuk i dëgjoj duartrokitjet, vetëm përjetoj një lumturi që vetëm një artist në skenë e di cfarë do të thotë.

Suela Jorgaqi : Ti jep jashtëzakonisht shumë energji, je shumë e angazhuar, po ku e gjen energjinë për të ndërmarrë gjithmonë sfida të reja ?

Inva Mula: Energjia vetëm rinovohet, nuk mbaron kurrë, kur ajo është pozitive nuk ka të sosur, vetëm ne duhet ta dimë ta vëme në lëvizje pozitivisht dhe ta ndajmë me të tjerët .

Suela Jorgaqi : Kur kthen kokën mbrapa dhe shikon fare ke arritur, çfare ka qënë decisive per ty? Ku e gjen forcën për të ndërmarrë projekte të reja?

Inva Mula: Ç’kam bërë? Shume pak …. çdo gjë është relative në jetë.Sfida të reja më presin dhe kjo dëshirë në radhë të parë për të sfiduar vetveten më mban të freskët në mendje dhe në zemër për të shijuar dhe ndarë çdo moment me njerëzit qe dua.

Suela Jorgaqi