Interpol: Kompanitë farmaceutike serbe, të pa certifikuara

Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale, ka marrë konfirmim nga Interpoli, sa i përket certifikimit të produkteve farmaceutike serbe të cilat veprojnë në Kosovë, e ku vërtetohet se Agjencioni i Barnave i Serbisë, nuk ka arritur të gjejë se produktet e tri kompanive serbe kanë certifikatën e produktit farmaceutik (CCP Certificate).
Bëhet fjalë për kompanitë Hemofarm AD, Jugoremedia dhe FHI Zdravlje, produktet e të cilave pritet të largohen nga tregu në Kosovë.
Kryeshefi ekzekutiv i AKPM-së, Ilir Dushi, ka bërë të ditur se në fund të vitit 2012, AKPM-ja i është drejtuar prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, duke përfshirë edhe EULEX-in për verifikimin e origjinalitetit të certifikatave, por ai ka pohuar se përgjigja nga EULEX-i ka qenë negative, duke theksuar se nuk është nën kompetencat e tyre. Po ashtu ndihmë për këtë çështje AKPM ka kërkuar edhe nga Ministria e Drejtësisë.
Dushi ka shpjeguar se pas kërkesës së bërë nga ana e AKPM-së, Interpoli dje ka kthyer përgjigje, ku vërtetohet se të tria kompanitë farmaceutike serbe nuk posedojnë certifikatën e produktit farmaceutik (CCP Certificate).
“Si rezultat i verifikimit të bërë në agjencionin e barnave në Republikën e Serbisë ka rezultuar se kjo agjenci nuk posedon asnjë informacion lidhur me lëshimin e certifikatave për produktet e listuara në kërkesën që i është bërë. Përjashtohen dy apo tri produkte, për të cilat kanë pas kërkesa”, ka pohuar Dushi pwr Kosovapress.
Kjo sipas Dushit, shtron nevojën që të ndërmerren masa ndaj këtyre produkteve, duke hequr autorizim marketingun për to dhe duke marrë në konsideratë edhe largimin e tyre nga tregu në Kosovë.