Fundamenti

Intensifikimi i agjendës evropiane

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vlora Çitaku – Siç duket diskutimi rreth procesit të liberalizimit të vizave kohëve të fundit u zbeh dhe u zhvendos në rend të dytë, sidomos pas letrës së përbashkët të Europarlamentarës Fajon dhe Lunacek. Megjithatë, në vetvete isha e mendimit që kjo letër do të kishte jehonë më të madhe në Prishtinë se sa në Bruksel. Pritjet ishin që kjo letër do të nxiste një debat të nxehtë, qëllim i së cilës do të ishte kritika konstruktive ndaj institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Kritika konstruktive është gjithmonë e mirëseardhur, e di që është më e vështirë të bëhet pasi që duhet njohur proceset shumë mirë para se të kritikojmë në mënyrë konstruktive, por jam e sigurt dhe kam hasur shpesh në përfaqësues të shoqërisë kosovare të cilët me kritikat e tyre konstruktive kanë ndihmuar në avancimin e proceseve. Ndoshta jo gjithherë kemi arritur që t’ju falënderohemi të gjithëve, por është vërejtur që falë këshillave, vërejtjeve dhe rekomandimeve të tyre janë ndërmarrë hapa të cilët i kanë dërguar proceset në drejtim të duhur.

Komisioni Evropian tashmë është në proces të intensifikimit të agjendës së liberalizimit të vizave. Para dhjetë ditëve përfundoi misioni faktmbledhës i cili vlerësoi zbatimin e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Sigurinë dhe Rendin Publik. Ky mision vlerësoi pjesën e mbetur të bllokut të dytë dhe tërë bllokun e tretë. Komisioni Evropian, tashmë, ka plane konkrete se kur do të vlerësojë bllokun e katërt, që ka të bëjë me vlerësimin e ndikimit të migracionit, vlerësimin e nivelit të refuzimit të vizave nga shtetet e zonës Shengen dhe vlerësimin e indikatorëve tjerë kyç për procesin e liberalizimit të vizave. Në frymë bashkëpunimi, jemi pajtuar që këto të ndodhin sa më shpejtë dhe në këtë fryme të hartohet edhe raporti i dytë i Komisionit Evropian mbi zbatimin e kritereve të liberalizimit të vizave.

Ndërsa në ndërkohë, me bindje të plotë mund të ju them që zyrtarët e institucioneve qeveritare janë duke vazhduar me zbatimin e kritereve për liberalizim të vizave, pasi që tashmë është e qartë për të gjithë që këto kritere janë të domosdoshme për shtetformim dhe si të tilla duhet të jenë të qëndrueshme. Aty ku ne duhet të vëmë fokusin më të madh, është tek agjencitë e pavarura të cilave duke iu respektuar pavarësinë e tyre, duhet t’ju kërkojmë më shumë progres, të zgjedhin më shumë raste, të dënojnë më shpejtë dhe më shumë kriminelë dhe në këtë mënyrë të bëjnë shtetin e ri të Kosovës më të sigurt. Këto janë vetëm disa nga punët tona të mbetura dhe kjo pritet që të kryhet nga ne pa marrë parasysh a është në pyetje liberalizimi i vizave apo jo.

Eco Higjiena

Ndërsa nga Komisioni Evropian presim që të marrë parasysh tërë këtë angazhim që e kemi dhënë në këtë proces, të evidentojë progresin, të krahasojë këtë progres me shtetet e rajonit dhe me shtetet të cilave tash së fundmi ju ka rekomanduar liberalizmin e vizave. Fundi i fundit, sundimi i ligjit nuk përfundon me liberalizim të vizave, progres të konsiderueshëm duhet treguar në vazhdimësi dhe në të gjitha fushat.

Procesi i integrimit të një shteti në Bashkimin Evropian, është dëshmuar të jetë shtytësi më i rëndësishëm në ndërmarrjen e reformave për të gjitha shtetet që tashmë janë anëtare, për ato që janë kandidate dhe ato që potencialisht janë shtete kandidate. Për të gjitha këto shtete ky proces ka marrë hov vetëm kur është nënshkruar një marrëveshje e cila i ka qartësuar përgjegjësitë e dy palëve dhe e cila e ka definuar qëllimin përfundimtar të asaj marrëveshjeje, pra ai qëllim ka qenë integrimi i plotë i shtetit kandidat në Bashkimin Evropian. Kjo na bën të jemi pozitiv pasi që edhe ne tashmë jemi duke përfunduar së negociuari Marrëveshjen për Stabilizim Asocim, të cilën presim ta nënshkruajmë shumë shpejt dhe me të drejtë presim që qëllimi përfundimtar të jetë integrimi i plotë i Kosovës në BE.

(Autorja është ministre e Ministrisë së Integrimeve Evropiane)