UBT

Intelektual apo mefistofel

/ 6 minuta lexim

Nga Muharrem Nitaj – Nëse Fatos Lubonja mund të thotë se “rruga e kombit është një dështim”, apo nëse thotë se “deklarata e pavarësisë është një copë letër pa vlerë”, ose nëse shprehet i shqetësuar pse atij i qenkan këputur kontaktet me intelektualët serbë për shkak të Kosovës, unë kam të drejtë të dyshoj se ai është mefistofel që e ka një problem me shqiptarët ose me veten e tij. Nëse ai si intelektual shfrytëzon burime që nuk janë kredibile për të gjetur “vrasësit e UÇK-së” dhe këtë e bën me vetëdije, unë kam të drejtë të dyshoj në motivet e tij dhe të mos pajtohem as me pinjollët e tij që mund të jenë të pafajshëm.

Për t’u shprehur dikush duhet të vdesë, ose duhet të mos flasë kurrë dhe të mbetet i pavdekshëm, sepse edhe kur vdes është sikur të mos ketë vdekur fare. Nga globalja, në vendin e vogël që është në një krizë të thellë identiteti, është pothuaj e pamundur të flasësh e të mos jesh diku, të shkruash e të mos i përkasësh dikujt, të thuash e pa porosinë e dikujt.

Disa që janë gërvishtur me thonj për të mbërritur te pushteti, por që janë rrëzuar rrugës, të gjithë të tjerët që nuk janë si ata, sot i quajnë “shpurë pushteti”, pavarësisht nëse ata janë të tillë ose jo. Por ç’rëndësi ka kjo, kryesorja ata që me gjasë më shumë se askush tjetër, i vuajnë pasojat e vendit të vogël që është në krizë të thellë identiteti, pretendojnë ta kopjojnë Pier Paolo Pazolinin, dhe ta marrin pronësinë mbi të vërtetën, duke provuar të shndërrohen në shkrimtarë që e tregojnë misterin e tyre.

Por harrojnë, ose nuk e kanë idenë se P.P Pazolini, që i thurë lavde projektit të vdekjes së tij, kishte shkruar se ”disa gjëra nuk thuhen, ose nëse thuhen duhet të thuhen përmes poezisë”.

Ndërsa, këta që thirren në filozofinë e artistit më të madh multimedial të shekullit, e kapërcejnë idhullin e tyre që e kishte paracaktuar edhe vdekjen e tij, në ditën, në orën dhe në hapësirën e caktuar dhe misterin e tyre e shkruajnë “shkurt e shqip” dhe jo përmes poezisë, por me lista të vrasësve që qenkan “dyndur” edhe në Parlamentin e Kosovës.

Ata pretendojnë ta kenë të drejtën mbi të vërtetën absolute, t’i përcaktojnë vrasësit dhe ta kenë komoditetin për t’i kafshuar të tjerët që nuk pajtohen me ta dhe edhe mospajtimet t’i cilësojnë sulme mbi intelektualët e mëdhenj.

Fidanishtja

Nëse intelektuali i madh Fatos Lubonja, me dijen tij thotë se “rruga e kombit është një dështim sepse i ka dëmtuar hapësirat e gjelbra të shtetit shqiptar” në kohën kur kjo rrugë në 90 për qind të trasesë së vet ka kaluar nëpër shkrepa, atëherë ai njëri për mua, ose ka një problem me Shqipërinë ose me veten e tij. Nëse ky intelektual në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, thotë se “deklarata e pavarësisë është një copë letër pa vlerë”, unë kam të drejtë të mendoj se ky njeri ka një problem ose me shqiptarinë ose me veten e tij. Nëse rastësisht po ky njeri thotë se është “e padrejtë që atij i janë këputur kontaktet ”intelektuale” me Beogradin për shkak të Kosovës”, unë dua të dyshoj se ai është mefistofel. Unë ia njoh të drejtën që ai të mos ndjejë asgjë kur intonohet himni shqiptar, por nuk i bindem paanësisë së intelektualizmit të tij.

Është shumë e qartë se Fatos Lubonja e di fuqinë e burimeve të informacionit dhe kriterin e përzgjedhjes së tyre, dhe kur ai i shfrytëzon burimet që nuk kanë qenë kredibile për as vetë Tribunalin e Hagës, siç ishte rasti me Librin e Carla Del Pontes, atëherë secili ka të drejtë të dyshojë në motivet e Lubonjës për “vrasësit e UÇK-së”.
Unë nuk mund ta them se shkrimi i tij ka qenë i porositur e i paguar, siç e kanë thënë shumë të tjerë, sepse nuk mund të thirrëm në P.P Pazolinin e të them diçka pse ma thotë instinkti i zanatit edhe atëherë kur nuk kam “prova dhe fakte”, por e kam gjithë të drejtën e zotit të vlerësoj se ai njeri mund ta ketë një problem ose më UÇK-në ose me veten e tij.

Në fakt shkrimi i Lubonjës, e më pas edhe disa shkrime të tjera, duke përfshirë edhe shkrimin, për mua me “përmbajtje skandaloze” të Idrizit, ishin një rast i mirë për të hapur një debat intelektual edhe për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, por duke e tërhequr një vijë të fortë ndarëse në mes të dy kohëve, asaj të luftës dhe kohës së komandantëve të paqes.

Ndërsa mënyra se si u fol e u shkrua për këtë çështje në dhjetë ditët e fundit, ta zgjon nostalgjinë e sistemeve totalitare ku disa njerëz nuk mund të flasin kurrë, sepse sa herë flasin “dhiejnë” nga goja. Disa aguridhë që kanë bërë edhe foto me “kallash” dhe në emër të luftës, u vunë aq keq në mbrojtje të “heronjve” të UÇK-së, saqë dukej se këta do të zhdukeshin vetëm nga mbrojtja e tyre, edhe pa shkrimet e “pinjollëve” të Pazolinit.

Artisti më i madh multimedial i shekullit të 20-të, P.P. Pazolini, që kishte hartuar projektin e vdekjes së tij, kur me lexuesit fliste me mesazhe të koduara iu kërkonte të tjerëve ta vrisnin. Komandant qe më sherr janë gjendur në listat e vrasësve të Lubonjës dhe të Idrizit, e kanë momentin e fundit t’i ulin “cuc” të vetët e t’u thonë “mbylleni se na morët fytyrën”! Të tjerët zihen vetë në kërpeshin e tyre!