Integriteti politik i Kosovës

Nga Blerim Shala – Integriteti politik i shoqërisë kosovare është në pyetje, në luftimin e korrupsionit, ashtu siç në Veriun e Kosovës, kemi të bëjmë me ruajtjen dhe fuqizimin e integritetit territorial.
Strategjia dhe Plani i veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013 – 2017.
Ky është titulli i dokumentit më të ri të Qeverisë së Kosovës që i dedikohet luftimit të dukurisë që sa vjen e rritet në shtetin e Kosovës. Për te u bë zhurmë e madhe, fare e zakonshme për këtë përbërje të Kuvendit të Kosovës, me efektet që i afrohen zeros. Poashtu, diç e rëndomtë për këtë legjislaturë.
Reagimi i parë i atij që provon me një logjikë të thjeshtë t’i analizojë fenomenet në këtë politikën kosovare do të mund të ishte ky: Ky titull, dëshmon që lufta ndaj korrupsionit do të duhet të shtrihet në një periudhë afatmesme kohore, pa qenë të sigurt se ajo do të prodhojë rezultatet e duhura.
Tema e korrupsionit ka përcjellë shtetin e Kosovës të thuash që prej lindjes së tij. Dhe që prej atëherë, mbase, nuk ka kaluar një javë e vetme kur politikanët, mediat, shoqëria civile, qytetarët e thjeshtë të Kosovës, nuk janë marrë me te. Nuk mund të gjesh, natyrisht, në deklarimet e të gjithë këtyre, asnjë veçim të vetëm në përballjen verbale me korrupsionin. Ai shihet si një e keqe e madhe në Kosovë. Madje, një e keqe e përmasave të atilla që rrezikon frymëmarrjen e shtetit dhe të shoqërisë kosovare. Që rrezikon me themel synimin për ta vendosë sundimin e ligjit në Kosovë. Që pamundëson investimet nga jashtë në Kosovë. Që dëmton buxhetin e Kosovës.
Me sundimin e korrupsionit në Kosovë, dobësohet shteti, dëmtohet ekonomia, diskreditohet pavarësia, degradohen mundësitë që të mbërrihet tek një paqe e mirëfilltë sociale.
Dhe kështu me radhë.
Natyrisht, këto vlerësime do t’i nënshkruante dhe do t’i thoshte kushdo prej nesh.
Po çka është bërë tej këtyre konstatime gjithëpërfshirëse dhe të gjithëpranueshme?
Janë miratuar Strategjitë anti-korrupsion në Kuvendin e Kosovës. Më para, me më pak debat, dhe më pas, me gjithnjë e më shumë fjalë, reagime dhe kundërreagime.
Është krijuar Task Forca Speciale për luftimin e korrupsionit, me vendorë dhe me ndërkombëtarë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka krijuar një Këshill të posaçëm në adresimin e kësaj sprove, ku rreth një tavoline janë ulur të gjithë vendimmarrësit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, pra, të tre shtyllave të pushtetit.
Janë mbajtur seminare dhe simpoziume.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka theksuar kanosjen serioze të shoqërisë kosovare prej kësaj dukurie.
Dhe kështu me radhë.
Çfarë kemi bërë pra në vitet e kaluara, me të gjitha këto fjalë të shumta, ka qenë përqafimi i një qasjeje të zgjerimit të frontit kundër korrupsionit, teksa ai ka gjetur veten në thellimin e vetvetes brenda pushtetit të Kosovës, dhe atë në të gjitha nivelet.
Çfarë kemi arritur në të gjitha këto vitet e një konfrontimi të dështuar, plotësisht të dështuar, me korrupsionin, është që kjo dukuri tashmë është bërë fare e zakonshme, dhe ka mbërritur në shkallën kur askush më nuk befasohet pse diç e tillë ndodhë, kudo në Kosovë.
Kemi mbërritur kështu të gjithë së bashku, edhe autorët e korrupsionit, edhe përfituesit e tij dhe ata që dëmtohen prej tij, në gjendjen e sotme, kur pakkush ende beson që Kosova, si shoqëri dhe si shtet mund t’ia dalë në luftimin e tij.
Nuk është rendi i çrrënjosjes së korrupsionit, që jo rrallë është përmendur si cak kryesor i të gjitha politikave dhe veprimeve kundër tij. Diç e tillë nuk është arritur as në shtetet më demokratike në Botë. Por kjo nuk do të thotë që nuk mund të përgatitet ndodhja (nëse e tëra mund të artikulohet në këtë mënyrë), e një ndryshimi të qasjes ndaj korrupsionit.
E meta kryesore e gjithë këtij rrëfimi është fakti që korrupsioni në masë të madhe vazhdon të mbetet anonim, ndërsa kur ai vepron dhe funksionon, asgjë anonime në te nuk ka. Kjo zaten, deri në një masë u mor vesh edhe në rastin e skandalit me pasaportat biometrike. Janë emrat dhe mbiemrat konkret të involvuar këtu. Duket që gjyqi do të mund të përgatitej për një kohë që matet me pak muaj, kur do të mund të zbardhej e tërë vërteta për këtë ngjarje të rëndë që ka kthyer prapa një proces që synon të konkludohet me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Karakteristika e dytë e korrupsionit është organizimi i tij. Kemi të bëjmë pra me faktin që ai është një rrjet i organizuar mirë, të cilit i duhen para të buxhetit të Kosovës dhe zyrtarë të lartë të vendit. Nuk mund dot të bëhet gjë me sukses në korrupsion, pa para dhe pa zyrtarë.
Vetia e radhës e korrupsionit është që ai arrin të përfshijë në ‘radhët’ e tij gjyqësorin dhe policinë, për ta zvarritur, dobësuar, mënjanuar madje, luftën kundër tij, në rastin më të mirë, apo edhe për ta pamundësuar përplasjen me te, në rastin më të keq.
Veçoria tjetër e tij është zhurma mediatike që e përcjell, e cila rëndom mbërrin tek konstatimi aspak shpresëdhënës: Të gjithë këta (politikanë), kanë ngrënë ‘hudhra’, të gjithë janë të njëjtit soj, prandaj, nuk mund të bëhet gjë për ta ndryshuar gjendjen në vend.
Dhe kështu me radhë.
Çfarë mbetet atëherë? Të mohosh që ka mundësi të kthehet mbarë kjo shoqëri? Të futesh edhe vetë në radhët gjithnjë e më gjëra të korrupsionit? Të mbijetosh disi me shpresën që ‘do të blihet mirë’?
Janë të shumta pyetjet që do të mund të renditeshin këtu, prej secilit prej nesh.
Integriteti politik i shoqërisë kosovare është në pyetje, ashtu siç në Veriun e Kosovës, kemi të bëjmë me ruajtjen dhe fuqizimin e integritetit territorial.
Një ndryshim i madh duhet të ndodhë në politikën kosovare për ta luftuar korrupsionin. Të tjerat janë të kota.
(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)