UBT

Integrimi me bisht…

/ 7 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare në Serbi, të zhvilluara, më 21 qershor të këtij viti, sollën një fitore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në nivel republikan, duke i siguruar tre mandate deputetësh në Parlamentin serb, të cilët nuk i kishin asnjëherë më parë.

Sigurimi i tri ulëseve në Kuvendin Republikan të Serbisë, ka trimëruar kërkesat e lidershipit shqiptar të Luginës së Preshevës, për t’u përfaqësuar në pushtetin qendror me ndonjë ministri, sekretar shtetëror, apo reforma në Trupin Koordinues, në synim të kreut të këtij institucioni të lartë shtetëror.

Bisedimet e liderëve institucionalë e partiakë të Luginës së Preshevës me fituesin e zgjedhjeve në Serbi, shefin e Partisë Përparimtare serbe të Aleksandër Vuçiq, për formimin e qeverisë së re, nuk përfunduan edhe pa premtime shpresëdhënëse se nga ndarja e kulaçit shtetëror do të përfitojnë edhe “shqiptarët e jugut të Serbisë” siç quhen sipas zhargonit politik serb.

Beogradi ka një qasje karakteristike për pakicat e shumta kombëtare në Serbi, duke i përfshirë edhe shqiptarët, të cilët i quan herë minoritet e herë komunitet, duke u ofruar për hir të ndërkombëtarëve pushtet lokal pa kompetenca e pushtet qendror pa faktorizime. Po jo të gjitha pakicat kombëtare janë të njëjta në Serbi, sa i përket integrimit dhe përfaqësimit institucional, në nivel lokal dhe qendror.

Integrimi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, që nga zgjedhjet e para demokratike pas komuniste të vitit 2002, të cilat erdhën si rezultat i konflikteve të armatosura dhe Marrëveshjes së Konçulit, kanë kërkuar zgjidhjen e problemeve me rrugë politike e institucionale. Ata nuk e kanë preferuar rrugën që ndiqnin serbët e Mitrovicës për bojkot të institucioneve e as nuk e kanë zbatuar qëndrimin e pakicave të tjera joserbe rreth proceseve integruese.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes organizimit politik kërkonin përfaqësim proporcional në pushtetin lokal, duke u integruar në organet komunale dhe shtetërore, mirëpo këto procese nuk realizoheshin sipas vullnetit të tyre. Ata, vërtet, nuk e ndiqnin rrugën e serbëve të Kosovës, por edhe nuk shkonin sipas hapave të hungarezëve, boshnjakëve, bullgarëve etj, për t’u integruar në Serbi.

Derisa pakicat e tjera me kohë i kanë zgjidhur problemet rreth dygjuhësisë, simboleve kombëtare, teksteve shkollore etj, shqiptarët kanë ngelur të fundit në këto procese, sepse ata nuk e arritën integrimin e plotë, qoftë për hipotekën që kishin ndaj shtetit ku jetojnë, qoftë nga neglizhenca e Beogradit, të cilit i shkonin për shtati mosintegrimi i mirëfilltë i shqiptarëve.

Shqiptarët nuk janë të integruar në Serbi si psh pakicat e tjera, të cilat nuk e refuzojnë kryerjen e shërbimit ushtarak, mobilizimit, regjistrimit të popullsisë e me radhë, siç bëjnë boshnjakët e të tjerët. Beogradi i ka parasysh kërkesat e shqiptarëve për më shumë pushtet dhe integrim, por nuk i realizon ato për shkak qëndrimeve të shqiptarëve rreth këtyre procese integruese, duke i mbajtur ata pezull, për kusuritje sa i përket bashkësisë evropiane dhe justifikimeve të saj se shqiptarët nuk i binden ligjeve të shtetit aty ku jetojnë dhe veprojnë.

Parcializimi

Beogradit i pëlqejnë kështu siç janë shqiptarët në Serbi, të parcializuar, të përçarë dhe të grupizuar në shumë parti. Ata ashtu të çorganizuar nuk arrijnë të kenë një politikë të përbashkët për t’i zgjidhur problemet e grumbulluara prej vitesh.

Disa parti marrin pjesë aktive në zgjedhjet lokale, disa në ato parlamentare, por jo edhe presidenciale në Serbi. Këto qëndrime ata i mbajnë sipas interesit të tyre partiak, por jo edhe qytetarë.

Mobi Casa

Ka vite të tëra kur disa parti nuk pranojnë të dalin në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, nuk pranojnë të jenë pjesë e Trupit Koordinues, të Këshillit Nacional, bojkotonin regjistrimin e popullsisë, nuk pranonin të zgjidheshin me ligj çështja e simboleve kombëtare dhe rregullimi i teksteve mësimore, sikur pakicat e tjera joserbe me arsyetimin e cenohen vlerat kombëtare të simboleve dhe teksteve mësimore.

Serbia këto mangësi të politikës shqiptare i ka shfrytëzuar me pedantëri edhe pse së paku publikisht, nuk i ka ndaluar përfaqësuesit e institucioneve lokale të partive politike shqiptare të konsultohen me faktorët shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë. Pavarësisht leksioneve të vëllezërve nga Shqipëria e Kosova, për një përafrim të qëndrimeve politike shqiptare në Luginë të Preshevës, ato nuk kanë dhënë rezultate pozitive sepse ndikimi i Beogradit për përçarje ishte më i madh se sa këshillat vëllazërore.

Nuk thuhet kot se pushteti është burim i pakënaqësive të shumta dhe lufta për të njeh më shumë interes se sa vëllaznillëk. Në këtë drejtim edhe sot Beogradi, provon t’i mbajë të përçarë shqiptarët e Luginës së Preshevës, për t’i sunduar më lehtë.

Bashkimi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, dikur merreshin si shembull i bashkimit dhe unifikimit, qoftë në aspektin politik, qoftë edhe në aspektin humanitar.

Jo shumë larg ata u dalluan për mbajtjen e Referendumit për bashkim me Kosovën e bënë një luftë për liri dhe pavarësi, arritën disa marrëveshje e platforma politike, morën pjesë aktive në shumë procese politike e diplomatike, duke dhënë një model të veprimit unik sa i përket proceseve madhore të kauzës kombëtare.

Të gjitha këto procese me karakter unifikimi i kanë kryer vet, pa ndihmën e askujt, duke u mbështetur në zakonet e traditën e të parëve të Luginës së Preshevës, të liderëve të tyre shpirtërorë e ideologjikë.

Kjo traditë e mirëkuptimit vëllazëror ka zgjatur deri para pak vitesh kur u shtuan ambiciet e shumta të partive politike për pushtet, famë dhe marifet. Krijimi i shumë partiake shqiptare i shkonte për shtati Beogradit për t’i përçarë më shumë ata, në luftën e tyre për pushtet. E sot për t’u bërë bashkë shqiptarët herë shkojnë në Tiranë e herë në Prishtinë, për të përfunduar në Beograd, sepse ai u jep pushtet dhe përçarje.

Të gjitha këto bëhen sepse shqiptarët nuk kanë një qasje të drejtë sa i përket integrimeve në jetën politike të Serbisë. Ata janë autoktonë në viset e tyre dhe krijimi i një platforme të mirëfilltë shqiptare, nuk do të lejonte që ata të përçahet, parcializohen e grupizohen deri në ekstremitet. Derisa shqiptarët e Luginës së Preshevës të sillen kështu siç janë ata do të kenë probleme në të ardhmen me substancë e lëkundur kombëtare, pasivizimin e vendbanimeve dhe zbrazjen në heshtje të Luginës së Preshevës. E kur të mbetemi pak shqiptarë si në Medvegjë, atëherë unifikimi, të cilin sot e kërkojmë, nesër do të jetë i vonshëm, i panevojshëm dhe jo i dobishëm, ngase “livadhi është i atij që ka dhen”, apo jo?!

(Autori është publicist, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” dhe Koordinator i Shoqërisë Civile nga Lugina e Preshevës)