RCCOLA

Inkasimi i tatimit në pronë, vetëm 45%

/ 3 minuta lexim

Vetëm 45 për qind e Tatimit në Pronë paguhet në komunat e Kosovës. Këto të dhëna kanë dalë nga raporti i Lëvizjes Fol, “Tatimi në Pronë në Komunat e Kosovës” i realizuar nga të dhënat e 22 komunave të Kosovës, duke mos përfshirë komunat veriore dhe tetë komuna tjera, të cilat nuk i kanë dhënë të dhënat për tatimin.

Kenan Tora nga Lëvizja Fol, tha se ky raport është përgatitur duke u bazuar në të dhënat mbi inkasimin e tatimit të faturuar në pronë të ofruara nga ana e vet komunave pas kërkesës që u kanw drejtuar. “Një çështje edhe më problematike është se nga shuma e inkasuar që ka të bëjë me pagesën e tatimit në pronë për vitin 2012 pa dënime dhe kamata shohim se vetëm 45 për qind e tatimit në pronë të faturuar për vitin 2012 është inkasuar nga komunat e analizuara. Kjo paraqet një çështje shumë të rëndësishme, pasi një shkallë e inkasimit nën 50 për qind të vlerës së tatimit në pronë të faturuar për një vit përkatës do të thotë se borxhet totale për tatimin në pronë çdo vit rriten për mbi 50 për qind të vlerës së faturuar”, tha Tora.

Për këtë raport, sipas Torajt, FOL iu ka drejtuar me kërkesë për qasje në këto të dhëna 34 komunave, ku 26 nga ato kanë ofruar të dhënat.

Uji Dea

Ndërsa, komunat të cilat nuk janë përgjigjur në kërkesën e Lëvizjes FOL për qasje në dokumente publike janë: Komuna e Prizrenit, Deçanit, Klinës, Lipjanit, Shtërpcës, Kllokotit, Mamushës dhe Parteshit.

Nga të dhënat e analizuara, sipas Torës shihet se 69. 22 për qind të vlerës totale të faturuar është inkasuar. Mirëpo, sipas tij, kjo pasqyrë është e shtrembëruar, pasi në këtë inkasim përfshihen të gjitha inkasimet ku bëjnë pjesë edhe inkasimet e borxheve të vjetra, inkasimet e dënimeve dhe kamatave.
Ai tha se pas analizës del se vetëm 52 për qind e shumës së inkasuar ka të bëjë me pagesën e tatimit në pronë për vitin 2012, ndërsa, 48 për qind e pagesave të inkasuara nga komunat në emër të tatimit në pronë kanë të bëjnë me pagesa të borxheve të vjetra 38 për qind, pagesë të kamatave për vonesa 7 për qind, si dhe dënimeve për tejkalimin e afateve ligjore për pagesë 3 për qind. /Telegrafi/