Fundamenti

Imazhe fisnike dhe kuvendim ritmik

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Nga Remzije Zekolli – Riza Haziri: “Arkëza me rreze”, Shkrola 2020, Prishtinë

Krijimtaria e Riza Hazirit, deri më tani përbëhet nga katër vëllime për fëmijë. Vëllimi i parë poetik, “Ujku në lak” u botua në vitin (2003), vëllimin e dytë poetik ”Kalorësi i Lirisë” (poemë) shkrimtari Haziri e boton në vitin (2006). Vargu magjeps për fëmijë i Riza Hazirit, shpërthen vrullshëm në vitin 2020. Këtë vit boton veprat “Arkëza me rreze“ libër me tregime dhe vëllimin poetik për fëmijë “Kush ka faj”.

Në këtë rast do të ndalemi në librin “Arkëza me rreze”. Struktura kompozicionale e vëllimit me tregime ”Arkëza me rreze” përbëhet nga 21 tregime apo njësi tekstore. Libri është i pasur për nga motivet, ngjarjet dhe proceset që i shtjellon. Bota magjike e fëmijëve vjen mahnitshëm në këtë libër. Vetë titulli i librit ngërthen në vete simbolikë e metaforë mahnitëse. Të gjitha njësitë tekstore të këtij libri janë një pasuri e çmuar që ngërthejnë ngjarje, të cilat me besnikëri autori i ruan në arkëzën e tij krijuese, nëpërmjet së cilës shpërfaq kujtesën fisnike. Tregimet e këtij vëllimi na japin imazhe të ngjarjeve e të proceseve të shumta që kemi përjetuar, pra kanë motive të larmishme letrare. Disa tregime të këtij vëllimi janë të ilustruara, gjë që për fëmijët librin e bëjnë më atraktiv dhe më tërheqës.

Pamje magjepse të shpërfaqura me ëndrra fëmijërore
Vëllimi me tregime”Arkëza me rreze” fillon me tregimin “Një udhëtim fantastik”, në të cilin udhëtim autori na e sjellë përmes ëndrrës së Artës e cila përshkruhet me pamje magjepse nëpër gjithësi, por e gjithë kjo shpërfaqet në ëndërr,ëndërr që lexuesi e vëren tek në përfundim të tregimit. Këtë veprim të krijuesit Haziri e vlerësoj si mjeshtri të artit poetik të tij. Përveç këtij tregimi, ku pamjet apo imazhet e tregimit na shpërfaqen në ëndrra janë edhe tregimet: “Arkëza me rreze”, “ Takimi me Skënderbeun”, etj.

Përmes ëndrrës, personazhi, Arta në muzeun e Krujës takohet me kryetrimin Skënderbe. Ata dialogojnë mes vetes e kryetrimi i rrëfen për biografinë e tij, fëmijërinë, shkollimin dhe betejat të cilat i zhvilloi kudër turqve. Personazhet: Arta e Skëndërbeu përmes muraleve në muze bashkëbisedojnë për betejat e zhvilluara mes Skënderbeut dhe turqve deri në momentin kur vringëllima e shpatave i ndërprejnë ëndrrën Artës, e cila edhe nën vringëllimin e shpatave ka dëshirë ta vazhdojë. Edhe në tregimin “Arkëza me rreze” narratori na e sjellë të shpërfaqur në ëndërr. Arta shtegton nëpër galaksi, ajo takon diellin, ajo dialogon me te: “O diell i bukur, burim i jetës sonë”, dielli është simbol i lirisë, jetës, ngrohtësisë, gjallërisë. Ky është varg human. Arta i kërkon diellit rreze për shërimin e gjyshit të saj. Këto tregime të shpërfaqura nëpërmes ëndrrave autori i thurë më dashuri të madhe që ka për letërsinë dhe fëmijët. Një numër tregimesh janë ndërtuar me rimë të brendshme, e cila funksionon mjaftë mirë.

Recensenti i këtij libri, Miftar Kurti thekson: Rima jo vetëm që është mjaftë e pranishme, por ajo është një veçori që i veçon tregimet e Hazirit nga ato të kolegëve të tjerë, e pra, pikërisht në njësinë tekstore, “Tregim pa mend” hasim rimat, shembull: “Gjyshi rrudhi supet, mbeti i hutuar, për kësi tregimi- tha nuk paskam dëgjuar”. Në këtë tregim kemi mesazhin edukativ, të cilin e përçon narratori përmes personazhit,Armendit. Dukuritë negative i vëren vet personazhi dhe i rrëfen gjyshit të tij për sjelljet negative të çunit çapkën. Porosia e tregimit është: fëmijët duhet të jenë të sjellshëm, në familje, në rrugë, në shkollë, të kujdesen ndaj të moshuarve dhe ndaj luleve e shtazëve.

Kujtesa fisnike dhe rezistenca ndaj të keqes

Kujtesa bëhet zë i fuqishëm i rrëfimit të rezistencës së kombit ndaj robërisë dhe kundër të keqes. Përmes këtyre tregimeve, fëmijët mësojnë se kujtesa është pjesë e realitetit dhe e ngjarjeve që i përjetoi kombi ynë, sidomos kujtesa për luftën e fisme të UÇK –së, ku ende pa u mbyll mirë plagët e luftës, liderët ushtarak po burgosen.

Në këtë kontekst duhet të shihet kujtesa për luftën në tregimet: Librat, Bajrami, Vezët, Hartimi, Larashi, Dyluftimi etj. Secili në mënyrën e vet e kujton luftën e drejtë e të pastër që e bëri UÇK- ja, pra të kësaj force ushtarake që lindi nga zemra e popullit për t’i dalë përballë okupatorit dhe u bë simbol i lirisë sonë. Plaku në tregimin “Vezët” bënte furnizimin e ushtrisë me armatim. Këtë gjë fëmijët që e shihnin në rrugë duke shitur ve fare por s’e kishin kuptuar deri sa, një ditë, pas përfundimit të luftës e panë foton e tij në mesin e fotove të dëshmoreve. Unifikimi i kombit shqiptarë në rrugëtimin për Liri e Çlirim nuk ka munguar asnjëherë.

Eco Higjiena

Ky është mesazhi i tregimit “Vezët”. Tregimi “Larashi” ka motiv luftën, një realitet që e përjetuam në fund shekullin XX,largimin nga vatrat shekullore si pasoj e represionit serb ndaj popullit liridashës. Larashi (qeni i shtëpisë),ndonëse i plagosur e kishte mbijetuar luftën. Tregimi “Librat”, ka motiv luftën dhe kujtesën për te. Okupatori kishte djegur, grisur e përdhosur mijëra e mijëra libra të shqiptarëve. Po ç’faj kishin libratqë u dogjën pa mëshirë nga serbët?!Jo vetëm kaq, tregimi “Babai” ka motivacion rezistencën e kombit shqiptarë ndaj represionit serb që ushtronte pushtuesi që nga vitet e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, edhe më herët. Fëmijët e prisnin babain të kthehet nga tregu, por kot kishte ndodhur paradoksi, kali i tij e godet kalin e serbit dhe pronari i kalit dënohet me burgim vetëm pse ai ishte shqiptar. Një paradoks i llojit të vet. Ngjarjet e shumta për luftën dhe padrejtësitë që pushteti serb ua bëri shqiptarëve janë pjesë e kujtimeve, të cilat autori i rrëfen mjeshtërisht në këtë libër. Ai ia ka arritur që lexuesit ti jap një mesazh të fuqishëm.
Imazhi historik pjesë narrative e vëllimit

Rrëfimet historike që përshkruajnë ngjarje e procese të ndryshme, janë pjesë përbërëse të librit “Arkëza me rreze”.

Një temë të tillë e hasim në tregimin “ Përralla mbi korbat dhe shqiponjat”. Vlen për t’u theksuar se autori i librit me këtë tregim merr çmimin e dytë në vitin 2000 në konkursin e Rilindjes. Simbolikisht, autori, me korbat aludon në popullin serb ndërsa me shqiponjat aludon në popullin autokton shqiptarë, simbole që janë të kapshme edhe nga mendja e fëmijëve. Ata (korbat) dëshironin që, nga Karpatet ku jetonin të zbrisnin të tokat më të nxehta, në tokat që çdo gjë ishte e bukur, me lumenj, ara e livadhe të buta. Ata donin që të braktisnin shtëpitë me bosa bore e ta bëjnë jetën nëpër pallate të ngrohta. E, shqiptarëve si shqiptarë që janë, të mëshirshëm, besnik e mikpritës kjo u kushtoi shumë. Nëpërmjet të këtij tregimi autori na rrëfen për një ngjarje të rëndësishme që ndodhi me popullin shqiptar: “Sapo bota e shpendëve liridashëse e kuptoi se shqiponjat janë të pafajshme dhe sepo zhduken nga dheu, e dheu pa shqiponja do të dukej si i shkretë, u erdhi keq dhe u erdhën në ndihmë, kështu që shqiponjat përsëri u kthyen në foletë e veta, në të cilat nuk gjetën asgjë tjetër përveç gjurmëve të krimit.

Nëpërmes këtyre rreshtave shpërfaqet një ngjarje historike ku popullit shqiptarë bota përparimtare dhe liridashëse u doli në ndihmë, i shpëtoi nga lufta shfarosëse e pushtuesit serb. Serbia historikisht,që nga ardhja në Ballkan ndaj popullit shqiptarë kishte ushtruar dhunë e represion të llojeve dhe formave të ndryshme. Populli shqiptar, me kthimin e tyre masiv në trojet apo siç aludon shkrimtari në foletë e veta mahniti botën liridashëse. Ata treguan dashurinë e madhe për foletë e tyre duke vdekur për to dhe duke u kthyer masovikisht në to. Edhe pse gjurmët e krimit i kishin lëne pushtuesit, ata nga hiri rilindën kullat e tyre, të cilat i ngritën shtatin në trojet shekullore. Në ato kulla krenarë valëvitet flamuri me shqiponjën dykrenare.

Mesazhi i tregimit dihet, lufta për mbijetesën e kombit shqiptarë e udhëhequr nga UÇK ishte e drejtë dhe bota e qytetëruar na shpëtoi nga çfarosja. Ky tregim është një mirënjohje e autorit për popullin shqiptar, i cili qëndroi stoikisht kundër çdo represioni serb dhe mirënjohje për botën liridashëse,e cila në momentet më të vështira që po përjetonte kombi ynë doli në anën tonë, doli në anën e së vërtetës.

P Ë R F U N D I M I
Pas leximit e rileximin të librit për fëmijë të Riza Hazirit,”Arkëza me rreze” mund të themi se shkrimtari me sukses ia ka dalë që lexuesit t’i rrëfejë për pamjet e ndryshme të ngjarjeve që ishin preokupim i tij si autor. Sidomos kthimi biblik i popullit shqiptarë në folet e veta. Ai dha një mesazh edukativo arsimor për fëmijët.

Ky zaten është misioni i çdo shkrimtari në përgjithësi, e shkrimtarit për fëmijë në veçanti. Ai përçoi mesazh human e atdhetar. Ky libër është një dhuratë e bukur për fëmijët, është një arkëz e çmuar me tregime, të cilin lexuesi e lexon me pasion e dashuri. Autori, në qendër të vëmendjes ka vënë fëmijët, të cilët përmes botës së tyre magjike dinë t’i mahnitin edhe më të vjetrit, siç e kemi rastin e Armendit, kur i rrëfen gjyshit për sjelljet negative të çunit çapkën. Lexuesi përjeton edhe emocione gjatë leximit të tregimeve të Hazirit, të cilat janë margaritarë që rrezatojnë qiellin e shqiponjave në lartësi e gjerësi. Suksese te reja Riza Haziri!/rajonipress/

Nëntor, 2020, Maxhunaj