Igli Tare ndihmon futbollin kosovar

Ish-futbollisti i mirënjohur shqiptar nuk e harron dot futbollin e Kosovës. Igli Tare, tani drejtor sportiv i Lazios, do të japë kontributin e tij për futbollin tonë. Në fakt, ai do të ndihmojë Trepçën ’89, falë kryetarit të saj, Abedin Zeka.
Numri një i 89-shit, ditë më parë ka pasur një takim me Taren në Kosovë. Ky i fundit vizitoi vendin tonë në prag të ndërrimit të viteve.
Zeka zbulon për Tribunën, se në çfarë aspekti do të ndihmojë klubin e tij, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare. “Kemi arritur një marrëveshje që Tare të ndihmojë trajnerët e Trepçës ’89. Ai ka kërkuar që 3-4 trajnerë të klubit tonë për dy ose tri janë, me shpenzime të Lazios të udhëtojnë drejt kryeqytetit italin, për të parë nga afër se si punohet në mënyrë profesionale”, tha Zeka për Tribunën.
Sipas tij, trajnerët do të jenë në një lloj trajnimi. “Faleminderit shumë nga ana e tij. Ai është shprehur i gatshëm të na ndihmojë në çfarëdo lloj bashkëpunimi. Mua më ka interesuar më shumë që trajnerët tanë, sidomos ata të grupmoshave të reja t’i dërgojmë të mësojnë rreth shkollimit, administratës, etj”, shtoi kryetari i klubit ‘minator’.
Ai po pret që drejtori i Shkollës së Futbollit, Veton Çitaku të kthehet nga seminari në Shqipëri dhe të bëhen gati për dërgimin e trajnerëve në Lazio.(Tribuna)