Igli Tare me fjalë të mëdha për Muçin: Është ndër më të mirët në Turqi, e meriton Romën
Ernest Muçi mund të jetë një nga emrat më të përfolur gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi për shërbimet e tij raportohet se ka shfaqur interesim edhe Roma.
Për një transferim të mundshëm të sulmuesit shqiptar nga Trabzonspori te klubi italian ka folur edhe Igli Tare. Drejtuesi i njohur shqiptar, i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, ka vlerësuar cilësitë e Muçit dhe ka theksuar se ai e meriton të luajë në një kampionat si Serie A, shkruan Indeksonline
“Kam dy vjet që e them, edhe në shtypin italian: Ernest Muçi është një lojtar që e meriton të luajë në një kampionat si Serie A.
“Kam parë interesimin e Romës. Do të ketë konkurrencë shumë të fortë, por mbi të gjitha, ai do të kalonte në një tjetër nivel si lojtar. Sidomos duke punuar me një trajner si Gasperini, i cili di t’i japë diçka më tepër çdo lojtari, veçanërisht në aspektin e karakterit, ku Muçi ka disa vështirësi.
“Muçi është lojtar vendimtar. Është ndër më të mirët në kampionatin turk, por në nivele më të larta duhet të kesh diçka më tepër. Nëse realizohet ky transferim, do të ishte një lajm i madh për të gjithë shqiptarët dhe për vetë djaloshin, sepse e meriton”, u shpreh Tare.
Një kalim i mundshëm te Roma do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierën e Muçit, i cili do të kishte mundësinë të provonte veten në një nga kampionatet më prestigjioze të Evropës, nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit./Indeksonline/

