Bujar Nevzati ngre shqetësime në Kuvendin e Gjilanit: Ambulanca në Kishnapolë e mbyllur, rrugë të dëmtuara dhe mungesë e ngrohjes në shkolla e institucione shëndetësore
Gjilan – Këshilltari komunal i PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, ka ngritur një sërë shqetësimesh gjatë seancës së X-të të Kuvendit Komunal, duke kritikuar menaxhimin e disa sektorëve dhe duke kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi komunal për problemet me të cilat, sipas tij, po përballen qytetarët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nevzati ka veçuar katër çështje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje dhe trajtim institucional: ndërprerjen e punës së ambulancës në Kishnapolë, destinimin e një objekti në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, gjendjen e infrastrukturës rrugore dhe vonesat në shpërndarjen e subvencioneve bujqësore dhe furnizimin me lëndë djegëse për ngrohje.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura prej tij lidhet me ambulancën në Kishnapolë, e cila, sipas Nevzatit, ka funksionuar për rreth 70 vjet, por tashmë është jashtë funksionit. Ai pretendon se ndërprerja e shërbimeve ka lënë rreth 500 banorë të kësaj ane pa qasje në kujdesin shëndetësor dhe ka kërkuar sqarime nga Drejtoria e Shëndetësisë se përse nuk është siguruar me kohë kuadri i nevojshëm mjekësor.
Çështja e dytë që ai ka adresuar lidhet me një objekt të ndërtuar në pronën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, në bashkëpunim me organizatën “Jetimat e Ballkanit”. Nevzati ka ngritur pikëpyetje nëse ky objekt është dhënë me qira për ushtrimin e veprimtarisë së një poliklinike private, duke kërkuar të bëhet e ditur se kush e ka marrë një vendim të tillë, mbi çfarë baze ligjore dhe nëse ka pasur miratim nga Kuvendi Komunal.
Në seancë, ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjendjen e rrugëve në Gjilan, gërmimet e përsëritura dhe mungesën e koordinimit ndërmjet kompanive publike dhe komunës. Sipas tij, qytetarët po përballen me dëmtime infrastrukturore dhe vonesa në realizimin e punimeve, ndërsa institucionet duhet të japin përgjegjësi për situatën e krijuar.
Kritikat e Nevzatit janë përqendruar edhe te planifikimi i Drejtorisë së Bujqësisë dhe furnizimi me lëndë djegëse për ngrohje. Ai ka kundërshtuar faktin që shpërndarja e farës dhe plehut për bujqit po bëhet më 26 nëntor, kur sipas tij gruri veçse ka mbirë dhe afati optimal i mbjelljes ka kaluar.
Në të njëjtën kohë, ai ka ngritur shqetësimin se institucionet arsimore dhe shëndetësore të komunës po përballen me mungesë të lëndës djegëse për ngrohje, duke e cilësuar këtë situatë si pasojë të planifikimit dhe menaxhimit të dobët të përgjegjësive komunale.
Në përfundim të reagimit të tij, këshilltari i PDK-së ka kritikuar qeverisjen komunale, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.
“Qytetarët e Gjilanit meritojnë shërbime, jo arsyetime!”, ka përfunduar Nevzati reagimin e tij./rajonipress/

