Mobi Casa

Ibadete Hyseni nuk pajtohet me konstatimet e Hysen Ymerit

/ 3 minuta lexim

Sqarim për opinionin publik, lidhur me shkrimin e Hysen Ymerit në Agjencinë Rajonale të Lajmeve – Rajonipress me date 11.07.2013.

Hysen Ymeri, Udhëheqës i Njësisë së Personelit në Administratën Komunale të Vitisë, në shkrimin e tij në Agjencinë Rajonale të Lajmeve – Rajonipress dezinformon opinionin publik se Ai ( ‘menaxheri i personelit” ), qenka kompetent që të shqiptojë masa disiplinore për shërbyesit civil, kjo në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil dhe Rregulloren 04/2011 për Procedurat Disiplinore të Shërbyesve Civil.

Me date 2 Korrik, Hysen Ymeri – Udhëheqës i Njësisë së personelit në Administratën Komunale të Vitisë, në mënyrë të kundërligjshme u ka shqiptuar masa disiplinore “ vërejtje me shkrim “ 5 ( pesë ) zyrtarëve komunal, të cilët zyrtar kanë qenë delegatë në Kuvendin e VI –të zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës – Dega në Viti.

Hysen Ymeri, duke bërë diskriminime në bazë të bindjeve politike, dhe duke i tejkaluar autorizimet zyrtare, por edhe duke shkelur Kodin e Mirësjelljes së shërbyesve civil, vazhdon pa u ndalur presionet ndaj zyrtarëve që nuk i binden urdhrave të tij.

Hysen Ymerit, nuk i mjaftuan vetëm masat ( e kundërligjshme ) disiplinore ndaj zyrtarëve komunal, i njëjti, me datë 3 Korrik më sulmoi në zyrën time të punës, ku përveç fyerjeve me fjalët më të rënda, ai tentoi të më sulmojë edhe fizikisht, por falë ndihmës së kolegeve, e të cilët nuk ishin të paktë, i shpëtova këtij sulmi.

Dhuna e ushtruar ndaj meje ( zyrtare për Barazi Gjinore ), në zyrën time të punës, nga një person në detyrë zyrtare edhe atë menagjeriale, ka shkaktuar indinjatë, revoltë dhe dhimbje në të njëjtën kohë, tek zyrtarët komunal dhe qytetarët e Vitisë.

Mobi Casa

Sjellje të tilla barbare janë krejtësisht të papranueshme në nivel njerëzor dhe etik, si dhe përbëjnë shkelje flagrante të ligjeve në fuqi dhe akteve ndërkombëtare të inkorporuara ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Çdo formë e dhunës ndaj femrave, shërbyesve civil, por edhe çdo qytetari të këtij vendi, është e papranueshme dhe e ndaluar me ligjet pozitive të aplikuara në Kosovë.

Jam thellësisht e shqetësuar që deri më tani nga ky akt i paprecedent, nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e Kryetarit të Komunës për të ndëshkuar sulmuesin, nuk është iniciuar asnjë procedurë për shqiptimin e ndonjë mase disiplinore ndaj personit në fjalë.

Ngjarje të tilla, të cilat, për më tepër kalojnë pa asnjë ndëshkim, i vënë shkelmin përpjekjeve për demokratizim dhe emancipim shoqëror në Kosovë dhe janë një grusht i rëndë për aspiratat e shoqërisë sonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ibadete Hyseni