RCCOLA

I fiksuar pas Skënderbeut

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Asllan Krasniqi fotograf i njohur edhe në arenën ndërkombëtare thotë për rajonipress se të gjitha ekspozitat që i ka hapur deri tani në trojet shqiptare i ka bërë në sheshet ku ndodhet edhe përmendorja e Skënderbeut. Përmes ekspozitave të tij në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Vlorë, Kukës, Ulqin thotë se synim kryesor ka luftën kundër harresës. Qëllimi i këtyre fotografive është që gjeneratat e reja mos ta harrojnë të kaluarën, mos të harrojnë periudhën e eksodit, trishtimin, e as vuajtjet e tmerret e luftës duke përfshirë vrasjet e masakrat etj.

“Lufta kundër harresës”. Kjo është motoja e fotografit të njohur shqiptarë tashmë me përmasa edhe ndërkombëtare, Asllan Krasniqit, fotografitë e të cilit kanë shëtitur jo vetëm trojet shqiptare, por shumë zyra diplomatike të shteteve të botës, shumë festivale ndërkombëtare dhe ekspozita të karakterit evropian, raporton rajonipress.

Asllan Krasniqi as sot nuk ndalet së punuari dhe prezantuari punën e tij të palodhshme. Të gjitha ekspozitat deri tani të hapura, por edhe ato që pritet të hapen në qytetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Kukësit, Ulqinit dëshiron t`i hap aty ku edhe ndodhet përmendorja e Skënderbeut.

Është i fiksuar pas Skënderbeut dhe kjo e bënë edhe më të fort emocionalisht që fotografitë e tija të shumta, me mijëra që i dedikohen dhunës, dhe eksodit të popullit shqiptarë në vitet 1998-1999 t`i paraqes ashtu siç janë në të vërtetë. “Pse ta harrojmë të kaluarën, pse mos ta paraqesim vetëm ashtu siç është. S`kam asnjë pikë dileme në këtë synim timin sepse gjeneratat e reja duhet ta kuptojnë çfarë ndodhi me prindërit e tyre. Kam parë me sytë e mi vuajtjet e popullit të Kosovës në Kukës, kam bërë mijëra fotografi dhe unë dua tani dhe gjithmonë të prezantojë këtë koleksion të fotografive, këtë pjesë të historisë sonë të dhimbshme” shprehet për rajonipress Asllan Krasniqi.

Asllan Krasniqi i cili jeton dhe vepron në Bruksel të Belgjikës ishte në Tiranë për 17 shkurtin ku hapi ekspozitën e tij kushtuar Eksodit 99.”Aty jam pritur mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika” tha Krasniqi.

Ai pret shumë shpejt që më 27 mars të hap ekspozitën e tij të radhës në Kukës para sheshit të Skënderbeut, pastaj pret të shkojë në Shkup ku gjithashtu thotë se nëse ka përmendore të Skënderbeut do e hap aty ekspozitën, e më pas edhe në Ulqin e Vlorë.

Krasniqi i cili ishte fotograf special i rrugëtimit të kalorësve për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë thotë se është ithtar i bashkimit të trojeve shqiptare. “Kam hapur shumë ekspozita edhe në Bruksel e gjetiu në perëndim që motiv kanë pasur Bashkimin Kombëtar. Me moton ”Trojet shqiptare pa kufij”, “Jemi një” , kam hapur ekspozitë në Bruksel ku vërtet është pritur mirë nga publiku” shprehet Krasniqi.

Krasniqi për asnjë moment nuk e harron vendlindjen e tij Tugjecin në Kamenicë. Pastaj është paraqitur edhe në fshatin Kukaj, në Prevallë, derisa ëndërron të jetë prezent me një ekspozitë edhe në Kosovën Lindore.

Ajo çka e bënë të veçantë Krasniqin, tërë këtë mund e aktivitet të tij e bënë me shpenzimet e tija personale.”Të gjitha i kam bërë me shpenzimet e mija, me përjashtim të ekspozitës së Kukësit dhe Shkupit ku më është thënë se shpenzimet janë të tyre” sqaroj Krasniqi.

Ndryshe Asllan Krasniqi në Bruksel ka shkuar si fëmijë i moshës 7 vjeçare kurse në vitin 2013 ai ka shënuar 50 vjetorin e fotografisë dhe punë s së tij që ka bërë gjithkah nëpër botë.

Asllan Krasniqi nga Tugjeci i Kamenicës ka shëtitur shumë vende të botës me kriza të ndryshme,por mbi të gjitha ai ka pasqyruar përmes aparatit të tij dhunën,eksodin dhe zhvillimet tjera nëpër vite, që lidhen me fatin e popullit të tij-Kosovës.

Mobi Casa

Po kush është Asllan Krasniqi. Thotë se si fotograf autodidakt punën e ka nisur në vitin 1963 kur edhe ka fotografuar refugjatët e parë kosovarë të cilët, në atë kohë, strehoheshin në Maqedoni, për të ikur më pas në Turqi.

Në vitin 1966 është diplomuar në kursin për fotografi gjatë shërbimit ushtarak në Slloveni. Kurse në vitin 1967 emigron në Belgjikë duke vazhduar veprimtarinë me emigracionin e parë shqiptarë. Krasniqi tashmë dashurohet në fotografinë dhe aparatin e tij që do ta bartë gjithmonë me vete.

Në vitin 1969 ka vazhduar me korrespondencë kursin e artit fotografik në Paris. Por puna e tij e guximshme dhe profesionale fillon në vitet 1970 ku viziton shumë vende të botës. Vendi i parë ku shkrep aparati i Krasniqit është Turqia, ku ka fotografuar mjediset e refugjatëve shqiptarë si në Stambollë, Bursë, Inegol etj.

Por Krasniqi nuk ndalet vetëm me kaq. Në vitet 1979, 1985, dhe 1992 e bënë një cikël fotografish në SHBA. Thotë se ka bërë foto në Vashington, New York, Los Angjelos, Holiwood, Beverli Hils, Santa Monika, Universala Studio etj, duke trajtuar tema historike, artistike dhe kulturore. Krasniqi ka bërë foto edhe nga Parisi, Kana, Londra, Vjena, Barcelona, Bukureshti, Budapesti, Varshava, Venecia,.

Edhe tani ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe veprimtaritë që kanë të bëjnë me Kosovën.”S`a herë që dëgjoja emrin Kosovë, ndodhesha atje” shprehet Krasniqi teksa kujton takimet e NATO-së, takimet në Parlamentin Evropian, në Bruksel, në Luksemburg, Paris, Bon, Londër, Rambuje, Hagë.

Gjithashtu ka përcjellur demonstratat, manifestimet e ndryshme, grevat e urisë. Ai ka fokusuar me aparatin e tij edhe shumë personalitetet si Clinton, Kofi Annan, Havier Solana, Jimi Chee, Toni Bler, Bush etj.

Megjithatë shqetësim kryesor i përhershëm i Krasniqit mbetet pasqyrimi fotografik i çdo gjurme të asaj që ndodhë me popullin e tij.

Është ndoshta i vetmi fotoreporter shqiptarë nga diaspora, i pranishëm në ngjarjet e fundit të tragjedisë së popullit të Kosovës, që ka shoqëruar rrugën e vuajtjeve dhe të dhimbjes së atyre njerëzve. Nëpërmjet objektivit të aparatit të tij, gjatë periudhës prill – maj – qershor 1999 e deri në kthimin e tyre në vendlindje, Krasniqi ka fiksuar çastet nga jeta në kampet e refugjatëve në Belgjikë, Turqi, Shqipëri, e Maqedoni.

Ka një arkiv të eksodit prej 15 mijë fotografive dhe me të njëjtin pasion ka vazhduar dhe përcjellur edhe fillimin e periudhës së rindërtimit. Ndryshe Asllan Krasniqi ka hapur mbi 30 ekspozita në qytete të ndryshme të Belgjikës dhe të Francës, me tema të ndryshme nga eksodi 99, Trojet e Shqiponjave, Pëllumbin e Paqes, Trojet shqiptare pa kufi etj.

Asllan Kransiqi është anëtar i Organizatës Botërore të Shtypit Periodik, i Shoqatës së Gazetarëve në Shqipëri, i Shoqatës së Fotografëve „Gjon Mili“, si edhe i Akademisë Europiane të Arteve.

Ka besim të plotë se reportazhet e tij që përmbajnë mbi 500 mijë fotografi të realizuara, e , punuara vullnetarisht do të mbeten si një dëshmi e gjallë që askush mos ta harrojë atë që ka ndodhur me popullin shqiptarë./rajonipress/