Hysteria: Mirë se erdhët në orën e biologjisë!
Nga Halil Matoshi – Jo historia, por hysteria ndërlidhet me biologjinë si dije mbi jetën. Prandaj nxënësit e shkollave të Kosovës nuk duhet të lejojnë që edukatorë patriotikë t’ua marrin koti orën e historisë duke u shpjeguar për biologjinë brenda saj, e cila shkakton hysteri masive, pra çrregullime psikosomatike. Sepse shndërrimi i historisë dhe i strukturave politike në struktura (qeliza) biologjike është thjesht nacionalsocializëm!
Kur fjalët nuk përdoren në burimin e tyre etimologjik, ato marrin kuptime e konotime të çrregullimeve somatike. Pra, fjalët pa vend dhe të pakuptimta prodhojnë dërdëllitje e llomotitje dhe prodhojnë frikë irracionale, kinse në emër të mbrojtjes së kombit, historisë dhe kujtesës kolektive.
Ndërhyrjet politike të shtetit turk tek institucionet shqiptare dhe ato kosovare për të ndryshuar disa përmbajtje brenda disa teksteve të historisë janë thjesht për t’u hedhur poshtë, si jokorrekte.
Megjithëse diplomacia turke nuk ka kërkuar ndryshimin e historisë së shqiptarëve, siç po interpretohet nga disa gjysmanalfabetë të fushës, por turqit kanë kërkuar që të ndërrohen disa përmbajtje që mbrujnë në vete gjuhën e urrejtjes kundër tyre dhe interpretimin ideologjik të fakteve historike.
Peticioni i nisur jo nga arsyeja, por nga e paarsyeshmja, duket sheshit se priret nga nacionalizmi si paranojë dhe histeri kolektive gjeti shumë emra të dijes dhe arteve në Shqipëri dhe Kosovë për ta firmosur, por nuk gjeti mendje të ndritur që i thotë stop kësaj histerie, për t’u rikthyer në temë: në histori!
Madje, brenda natës, në krye të peticionit për të mos e ndryshuar historinë e shqiptarëve doli shkrimtari i mirënjohur me famë botërore Ismail Kadare, duke e shtruar në publik një tezë të rrezikshme në thelb: shndërrimin e historisë në orë biologjie!
Sipas gazetës “DITA”, Kadare ka deklaruar se u është bashkuar intelektualëve pasi këtë e konsideron problem madhor. “Jam një nga firmëtarët dhe ndaj të njëjtin mendim me intelektualët e tjerë shqiptarë se ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin tonë. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, ka theksuar Kadare.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i historianit Arben Puto ndaj Kadaresë.
Sipas tij, edhe pse ai si historian është kundër rishikimit të historisë, peticioni i intelektualëve është një manifest antiturk.
Sa i përket asaj që Arben Puto e quan manifest antiturk, pra peticionit kundër “agresionit kulturor” turk, ajo është një tezë e shtrembëruar e Kadaresë, sepse Turqia asnjëherë nuk ka ndërhyrë në çështjet kulturore shqiptare e aq më pak të ketë bërë agresion kulturor, por ka kërkuar që të rishqyrtohen disa cilësime brenda teksteve dhe konteksteve historike që shteti turk i sheh të brumosura me gjuhë urrejtjeje dhe propaganda nacionaliste!
Ndërkaq kur dihet botërisht se teoritë identitare janë të shumta, të rrëshqitshme, sepse vetë identitetet janë të shumëfishta e të ndryshueshme dhe kur dihet se kombi është një bashkësi e imagjinuar njerëzore, si strukturë politike mbi të gjitha, pra bashkësi intersubjektive në histori, të thërrasësh në ndihmë biologjinë në këso definicionesh ekstra sociologjike është sikur të thërrasësh nallbanin për të kryer një operacion të ndërlikuar në trurin e njeriut.
Le t’ia bëjmë një analizë tekstit të Kadaresë, fjalë për fjalë duke i veçuar termat dhe zbërthyer ata në njësi më të vogla gjuhësore dhe semantike.
“Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, tha shkrimtari.
“Të gjithë tashmë e dimë se…” është fjalia më eklatante e kolektivizmit mendor komunist, por edhe fashist, sepse kurrë, asnjëherë dhe askund në historinë e botës të gjithë nuk e dinë një definicion, një dëshmi, një fakt apo thjesht një postulat.
Një teori a postulat politik dhe sociologjik mund ta dinë disa individë, por jo turma, jo të gjithë, mund ta dinë grupe të profilizuara në një fushë, por jo populli si abstraksion, jo nacioni dhe as njerëzimi.
Kjo është mendësia kolektiviste që nuk lejon shmangie, veçim apo mendimin ndryshe, prandaj është tipike për mendësinë diktatoriale, të djathtë apo të majtë, por është atipike për demokracinë.
“Skenarët e paracaktuar politikë” sipas Kadaresë janë skenarë avetin antishqiptarë, të elaboruar e paracaktuar në politikat e kundërvënies në majat e shtetit armiqësor turk për t’i bërë sherr tjetrit, përkatësisht për t’u bërë agresion shqiptarëve!?
Në kushtet e sotshme integruese dhe globalizuese as një Scherlock Holmes s’do ta besonte një teori të tillë konspirative, se me demek Turqia po e stërhollon e përimton rikthimin në Ballkan përmes politikave të kundërvënies!?
Detektivi Holmes do t’i vihet pas Blackwood-it, i cili ka cilësi të mbinatyrshme dhe ka në plan për të përmbysur qeverinë britanike, pastaj për të pushtuar Shtetet e Bashkuara dhe botën!
Planet e Blackwoodit shkaktojnë panik publik, por Holmes dhe Watson gjejnë shtëpinë Reordan dhe zbulojnë eksperimentet e Blackwoodit që përpiqej të bashkonte shkencën me magji.
Ashiqare, deklarata e Kadaresë nuk është magji letrare, këtë herë është thjesht nxitëse e panikut publik që rëndom pasohet me histeri masive.
Histeria, në përdorimin e saj bisedor, përshkruan ekseset emocionale të pakontrollueshme. Njerëzit të cilët janë “histerikë” shpesh humbasin vetëkontrollin për shkak të një frike të madhe që mund të shkaktohet nga ngjarje të shumta në të kaluarën e dikujt që përfshin disa lloj të konfliktit të ashpër. Termi “histeri masive” ndërkohë përshkruan reagimet masive publike ndaj një lajmi apo dukurie të parëndomtë dhe është përdorur për të përshkruar rishfaqjen periodike dhe interesimin e përhapur publik në raportet UFO.
Në sociologji njihet si paniku moral.
Natyrisht se mund të flitet për rikthimin e një Turqie moderne, të perëndimorizuar dhe miqësore, e cila marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore me trevat qendrore të Ballkanit i ka ngritur në interes kombëtar, që duhet të jenë edhe në interesin e tyre.
Duke e lexuar librin e Davutogllus, “Thellësia strategjike”, që është vërtet një studim i mësymjeve ekonomike dhe politike të Turqisë moderne karshi botës së jashtme, askund dhe me asnjë fjali nuk bëhet agresion në kulturën shqiptare dhe as që bëhet fjalë të ketë skenarë të paracaktuar politikë kundër dikujt, porse autori mësyn t’i emancipojë politikat e jashtme turke ndaj shteteve veç e veç dhe posaçërisht Ballkanit Perëndimor, që Turqia të forcojë marrëdhëniet me kombet që dikur ishin nën pushtimin e Perandorisë Osmane, por ky autor nuk shfaq asnjë shenjë interesi për “ripushtim” të këtyre trevave, megjithëse shqiptarët i cilëson si “mbetje të Perandorisë Osmane” në rajon, gjë që është fjalia më e diskutueshme në tërë librin, nga arsyeja e thjeshtë se kur turqit osmanë ndërmorën incursion në Ballkan, arbnit kishin tashmë një identitet të theksuar etnik, përkatësisht ishin një kolektivitet historik që lidheshin rreth strumbullarit gjuhësor, përkatësisht ishin një bashkësi gjuhe dhe e quanin tashmë veten shqiptarë!
Kam shkruar në disa raste për rrezikun “neo-osman” për kulturën shqiptare, mirëpo në kontekstin e vlerave fetare e të rizgjimit të historisë, të vlerave të dyshimta si serialet melodramatik, muzikës tallava etj. Po këto nuk i imponon Ankaraja zyrtare, por tregu i lirë dhe masat shqiptare me shumicë e absorvojnë këtë maskulturë turke me vullnet të lirë, sepse thjesht banojnë në lagjen mentale tallava!?
Dhe pjesa e parafundit e fjalisë, ndër më të dhimbshmet e më fatalet të Kadaresë se kjo ndërhyrje sipas skenarëve të patracaktuar politikë “e cenon AND-në e kombit shqiptar…” është thjesht ndërhyrje kirugjikale në teoritë shoqërore dhe politike për kombin.
Dhe pas një shpërthimi të tillë gjysmëletrar e gjysmakademik kadarean del se Turqia moderne duke e studiuar AND-në e shqiptarëve po e mësynë ndryshimin e saj, duke injektuar teza politike dhe historike në gjakun e pastër shqiptar, për t’i injektuar shqiptarit në vena sa më shumë gjak turk, apo “gjak të shprishur” siç shpreheshin arbëreshët!
Kjo fjali që ngërthen në vete “një mendje kriminale” turke që rëndom kthehet në vendin e ngjarjes, meriton vëmendjen e secilit njeri që mendon, sepse nuk ka lidhje me asnjë teori humane moderne pos me nacizmin (raca e pastër ariane) dhe me teoritë raciste të shekullit 19 sidomos në Serbi, “për shqiptarët me bisht” (Garashanin) dhe me ato pasuese të shekullit 20 për “shqiptarët krimogjen” (Dobrica Qosiq.)
Aq më tepër, meriton vëmendje, kur dihet botërisht se Turqia ishte dhe mbetet ndër aleatët kryesorë amerikanë në rajon dhe vlen si mburojë për Grykën e Bosforit dhe së fundi, kur dihet se në ndëshkimin e Serbisë nga NATO-ja për përpjekjen e saj gjenocidale në Kosovë, kanë marrë pjesë më së shumti në numër avionët luftarak turq.
Pse pra frikë nga kjo Turqi e rreshtuar me Perëndimin?
Ndërsa krejt në fund vjen kushtrimi kadarean.
“… ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, që është thjesht thirrje jo për kundërvënie faktografike, por intervenim cezarian, me prerje me thikë!?
Qe pse Kadare ka mbetur peng i sherreve të vogla ballkanike dhe peng i teorive të mëdha nacionaliste, që shquhen përmes tablove biologjistike, dhe kjo qasje e tij është një nga faktorët kryesorë që ky letrar i mirë nuk laureohet me Nobel!?
Teoricienti politik zviceran Urs Aletrmatt mendon se në kohë shndërrimesh, gjendjesh të rrëshqitshme transicionale, sikurse kemi të bëjmë në Ballkanin Perëndimor, njerëzit tërhiqen pas, në identitete kolektive, që u transmetojnë atyre siguri më të madhe. Çorientimi shpirtëror nxit të menduarit aparteidor, prapa të cilit fshihen frikët irracionale ndaj të Tjerëve, të Huajve.
Në kontekstin e kësaj, në kohë konfliktesh sociale të huajt shfaqen si kanosje për status quon, atëherë vendësit i bëjnë apel kombit për ta vënë shtetin si administrator të ADN-së, pra përmbajtjes së palcës kurrizore të një kombi!?
E po ç‘mund të bëjë shteti me palcën kurrizore?
Ta administrojë?
Kjo është çmenduri!
Por qe sa shumë i kontribuon Kadare debatit ksenofob, që sipas Aletrmatt është pasojë e ndeshjes etnonacionaliste.
Ndërhyrja e shtetit turk dhe e secilit shtet tjetër në rishkrimin e historisë së shqiptarëve përkatësisht të kosovarëve të sotëm është e papranueshme politikisht dhe e dyshimtë shkencërisht, sepse nuk duhet të jetë politika (shteti) ajo që shkruan historinë, por autorët dhe ekipet e specializuara, që operojnë me ato fakte që kanë në dispozicion për të krijuar një tekst historik dhe johisterik!
Por historia shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet rishkruar për hir të dijes dhe vetëdijes së këtyre shoqërive politike, jo për arsye të “selameve” nga Ankaraja!
Dhe nesër, as për hir të vërejtjeve (‘primedba’) që mund të vijnë nga Beogradi.
Por për hir të edukimit të një qytetari të lirë duke mos i dhënë atij fakte të torturuara në aparatin e bluarjes së trurit dhe brymosjes së tij me frymë ultranacionaliste dhe ksenofobe!
“Ai që e kupton kombin si një bashkësi etnike të origjinës kapet pas një tabloje ahistorike dhe biologjistike të botës”, thotë Altermatt.
I tillë, biologjistik, është botëkuptimi i Kadaresë për kombin!
Kadare si duket nuk po e di se në një shoqëri të lirë, “demosi” duhet ndarë në mënyrë strikte nga “etnosi”…
Dhe kurrfarë AND-je kombëtariste nuk e bën një shoqëri të lumtur e të mirëqenë, por këtë e bën dhe arsimimi jopatriotik, pra rritja ekonomike.
Në një ese tepër interesante Michael Hand është kundër promovimit të patriotizmit nëpër shkolla, sepse, sipas këtij autori, patriotizmi duhet kundruar si kontrovers.
“Nëse patriotizmi është dashuri për atdheun, atëherë tentimi që ai të promovohet nëpër shkolla duhet kundruar si një lloj edukimi emocionesh, thotë Hand, i cili e citon Harry Bgrighausin për të cilin edukimi patriotik është “problemi që kundërpërgjigjet”.
Kështu, sipas tij, çdo tentativë për t’i bindur nxënësit që ta duan atdheun ka rrezik që të çojë te keqinterpretimi i kësaj dashurie.
Edukimi patriotik mendoj se u kundërpërgjigj sidomos gjatë kulmit të fashizmit dhe kampeve të punës!
Prandaj t’i lëmë njerëzit të lirë, ta mendojnë veten dhe t’i ndërtojnë jetët e tyre si të duan, por gjithnjë duke pasur parasysh se liria e njërit kufizohet me lirinë e tjetrit.
Qe pse nuk e kam nënshkruar këtë peticion!


