Huti rreth politikave fiskale që ofrojnë programet e partive politike

Politikat fiskale në programet e partive politike po i hutojnë votuesit kosovarë, të cilët, sipas një sondazhi të realizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegji Universum, përkrahur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), kanë mendime të ndryshme sa i përket tatimeve.
Rreth 53 për qind e të anketuarve kanë thënë se do të votonin një parti e cila në program parasheh zvogëlimin e tatimit në të ardhura dhe tatimit në fitim. Rreth 16 për qind e të anketuarve, në ndërkohë, nuk do të zgjedhin një parti e cila në program ka uljen e tatimeve të lartpërmendura.
Kjo fushatë zgjedhore dallohet për përkushtim më të madh të partive për të sqaruar dhe konkretizuar programin qeverisës në fusha të ndryshme të politikbërjes, ku vëmendje e madhe i është kushtuar zhvillimit ekonomik, dhe, rrjedhimisht, politikave fiskale.
Polarizimi i partive politike sa i përket politikave fiskale nuk është pasqyruar në opinionin publik.
Respodentët kanë dhënë përgjigje të llojllojshme në pyetjet për llojet dhe shkallën e tatimeve, që tregon mungesë njohurie dhe mosinteresimi për politikat fiskale.
Votuesit Kosovarë anojnë kah ana e programeve që parashohin tatime më të ulëta duke pasur parasysh se 61 për qind e të anketuarve nuk mbështesin rritjen e tatimit në vlerën e shtuar (TVSH).
Ndërkohë, 78 për qind janë të mendimit që akciza në mallra të veçanta , siç është rasti i duhanit, alkoolit, veturave, … duhet të vazhdojë të aplikohet.
Niveli i njohurisë dhe interesimit duket të jetë më i lartë sa i përket taksave doganore.
Diku 54 për qind nuk do të votonin për programe të cilat parashohin heqjen e doganës për të gjitha mallrat, mirëpo 85 për qind mbështesin heqjen e doganës për lëndën e parë në bujqësi dhe prodhim.
Anketa, e organizuar në tërë Kosovën, është mbajtur nga stafi i trajnuar i Kolegjit Universum, ndërsa të dhënat janë analizuar nga INDEP. FES ka mbështetur financiarisht realizimin e kësaj ankete, e cila ka për qëllim analizën e motivimit të votuesve në Kosovë për politika publike, pa paragjykuar ndaj preferencave të tyre partiake.
Gjithsej, 957 persona i janë përgjigjur pyetësorit. Numri i të anketuarve është ndarë proporcionalisht sipas popullatës të secilës komunë në Kosovë ndërsa mostra, e përzgjedhur me respondentë të rastit, është bazuar në të dhëna të sakta demografike.
Për të ilusutruar mostrën: 64 për qind e respodentëve që punojnë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga 201 deri në 600 euro në muaj, ndërsa 22 për qind e tyre, mbi 600 euro.
Instituti INDEP është institut kërkimor dhe qendër e avokimit më ndikim të lartë në politikat publike. Kolegji Universum është institucion i akredituar i arsimit të lartë në Kosovë, lider në hulumtimet e opinionit publik. Friedrich Ebert Stiftung është fondacion gjerman që promovon socialdemokracinë.