Çeku: Nuk mund t’i ikim shtrenjtimit të energjisë

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, konsideron se çmimi i energjisë elektrike do të rritet deri në 15 për qind.
Debati për rritje të mundshme të rrymës ka filluar pasi tri kompanitë energjetike në Kosovë, KEDS, KESCO dhe KOSTT, kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji ngritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike për shkak të importit të energjisë elektrike.
Në intervistën për REL-in, ai tha se për të zvogëluar sasinë e importit, Kosova duhet të rrisë prodhimin vendor, sidomos përmes energjisë alternative.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Çeku, në bazë të kërkesës së tri kompanive energjetike, a ka bazë për rritje të çmimit të energjisë?
Ethem Çeku: Realisht, Kosova po përballet me mungesë të energjisë. Dimrit, që jemi aktualisht, patëm mungesa të mëdha në furnizim të qytetarëve me energji elektrike.
Kjo vjen si pasojë e mungesave të mëdha në investime, do të thotë ne nuk kemi ndërtuar kapacitete të reja energjetike.
Ato të cilat janë ndërtuar, janë kryesisht solare dhe janë me kapacitete të vogla, janë të pamjaftueshme, edhe me erë ato që janë – janë të pamjaftueshme për ta furnizuar Kosovën në mënyrë të rregullt me energji elektrike.
Dhe, çka duhet të bëhet tash, këto tri kompani po e kërkojnë rritjen e çmimit, aq sa na dhanë edhe numrin ekspertët, deri në 35 për qind po kërkohet rritja e çmimit të energjisë.
Do të thotë edhe më 2023 patëm një rritje diku 15 për qind edhe tani më 2024 patëm një kërkesë për rritje dhe u rrit çmimi i energjisë elektrike. Dhe, prapë tani i kemi, dhe ato kërkesa nuk janë aq të vogla tani, janë relativisht të mëdha, sepse ka mungesë të energjisë dhe çmimet në tregun e jashtëm janë të rritura dhe Kosova tani ka humbur pavarësinë energjetike, ka hyrë si një vend i cili varet shumë nga importet, nga blerja e energjisë elektrike.
Unë i nxora disa nga të dhënat, për shembull, KESCO kërkon rreth 40 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar, pastaj KEDS -i kërkon diku rreth 85 milionë më shumë dhe KOSTT-i kërkon diku rreth 20 milionë, që në total thuhet se ka një rritje prej 35 për qind.
Ku e bazojnë këtë, në shpenzime, në çmimin e tregut? Dhe e pashë se ata po bazohen edhe në rrogën mesatare që Qeveria e ka bërë 350 euro, kur janë rritur pastaj edhe shpenzimet. Mendoj që në vitet e fundit është ndjekur një politikë e gabuar në fushën e energjisë.
Qeveria nuk mund të subvencionojë gjithë kohën qytetarët me energji, është një politikë e cila është e vështirë, sepse nuk kemi buxhet të subvencionohet gjithë kohën.
Radio Evropa e Lirë: Z. Çeku na intereson në bazë të kërkesës, siç thoni, deri në 35 për qind, sa mund të rritet çmimi i energjisë elektrike dhe a mund edhe të mos rritet fare?
Ethem Çeku: Unë besoj që zyra [ZRRE] duhet të analizojë me kujdes, nuk duhet ta pranojë rritje për 35 për qind, se është rritje shumë e madhe e energjisë elektrike. Qeveria duhet të ofrojë subvencione, pra ndihmesë që të mos ngarkohet qytetari, megjithëse ato janë para të buxhetit.
Po bëjmë një lojë, një sjellje atje. Unë besoj që nuk duhet ta kalojë mbi 15 për qind e rritjes së tarifave të energjisë. Zyra e Rregullatorit nuk duhet ta pranojë shifrën prej 35 për qind.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, rritja do të jetë e domosdoshme?
Ethem Çeku: Normalisht, nuk mund t’i ikim. Nuk mund të ikin. Ky është koncept i gabuar që e kanë instaluar partitë politike, Qeveria aktuale që ka thënë se “kur të vij unë në pushtet, kurrë s’e rriti (çmimin) e energjisë”. Në fushën e energjisë, të përmbysë revolucioni energjetik, nuk njeh qeverisje, se nuk varet prej teje, varet nga tregjet, nga bursat atje, në kohën e COVID-it, pastaj në vitin 2022 dhe 2023, arriti deri në 700 euro megavati.