Hoxhaj: Kosova të vendosë marrëdhënie kontraktuale me NATO-n

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të martën takim lamtumirës me komandantin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, (KFOR), gjeneralin Salvatore Farina, si dhe me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Francesco Figliuolo.
Ministri Hoxhaj gjatë takimit ka vlerësuar lart angazhimin dhe kontributin e gjeneralit Farina gjatë misionit në Kosovë, duke e falënderuar për punën e tij.
Hoxhaj po ashtu i ka uruar mirëseardhje si dhe suksese në punën e tij të mëtutjeshme komandantit të ri të KFOR-it, gjeneralit Figliuolo.
Shefi i diplomacisë kosovare foli për rolin e rëndësisë së veçantë që ka KFOR-i për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë.
Ministri Enver Hoxhaj po ashtu ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën vendosja sa më e shpejt e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-në, anëtarësimi i Kosovës në mekanizmin e Partneritetit për Paqe, si dhe pjesëmarrja në iniciativat rajonale të sigurisë.
Komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina e falënderoi ministrin Hoxhaj për bashkëpunimin e ofruar gjatë misionit të tij në Kosovë.
Farina ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur vendosmërinë e KFOR-it për vazhdimin e misionit të tij në ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/