RCCOLA

Historia jonë nëpër shekuj; gjuha jonë, feja dhe beteja me egon

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mustafa Bajrami – Kombi shqiptar përgjatë historisë së vet, po thuaj në mënyrë permanente kaloi nëpër sprovimet më të vështira. Historia jonë është plot përpjekje për ta mbijetuar fatin që kishim dhe të cilin, me sa duket e krijuam edhe më duart tona.

Lufta për të mbijetuar është ngjyra e vetme që i përshkon ndoshta gjithë shekujt e ekzistencës sonë. Rrugëtimi i kombit nëpër kohë kaq të vështira, në shpirtin e shqiptarit reflektoi ashpërsinë e personalitetit, ndërsa gjuha e tij, pasqyra e jashtme e karakterit të brendshëm mbeti shenja dalluese kryesore e shqiptarit si individ dhe e kombit si shoqëri.

Gjendemi para një përvoje të periudhës së gjatë dhe të vështirë të kaluarës sonë e cila do një studim të thellë.

Qasja duhet të jetë e gjithanshme. Sociologët me gjithë filozofët, teologët, historianët, etnologët, biologët por jo politikanët, duhet të jenë pjesë e këtyre studimeve. Detyrë e këtyre të fundit duhet të mbetet lehtësimi i rrugëve dhe krijimi i kushteve për hulumtime të nevojshme.

Gjithanshmëria, sipas nesh nënkupton analizimin e tërësishëm të zhvillimeve politike, fetare, kulturore, shoqërore, ekonomike, sidomos përgjatë shekullit 20. Nuk jemi në dijeni nëse deri më tani është bërë ndonjë studim i këtij lloji.

Ajo që kemi lexuar më tepër kishte të bënte me historinë dhe historianët, ku këta të fundit pa të drejtë ngarkohen me punë që nuk janë vetëm të tyre. Ata mund të jenë pjesë e ekipeve të shkencëtarëve për të lexuar drejt të kaluarën dhe së bashku me të tjerët të propozojnë një platforme gjithëkombëtare si mësim për ne dhe për ata që do të vijnë.

Roli i fesë në proceset e shoqërisë shqiptare

Tani kur nëpërmes këtyre rreshtave bëjmë thirrje për formulime të reja, të qëndrueshme dhe të bazuara mbi nevojën për qasje serioze, qëllimisht “propozoj” lajthitjen nga prekja e atyre detajeve të historisë që kanë ngjyra konfrontimesh. Sot është më se e rëndësishme ndërtimi i marrëdhënieve të reja mes nesh.

Pranojmë faktin se aty këtu kishte mangësi përgjatë kryerjes së detyrës nga pushtetarët, ndërsa një numër i intelektualëve, të rënë nën ndikimin e politikave ditore anuan dhe ende anojnë panevojshëm andej kah peshon politika. Për fat të keq, edhe njerëzit e fesë çaluan në kryerjen e detyrës që i ngarkon feja dhe nevoja kombëtare. Përçarjet e aty-këtushme mes proveniencave fetare tek shqiptarët mund të kenë buruar pikërisht nga keq-interpretimet e fesë. Falë Zotit ato përçarje nuk ishin të përmasave fizike dhe vëllavrasëse.

Feja urdhëron në bazë të normave, principeve dhe mësimeve hyjnore, jo në bazë të interesave të njerëzve që thirren në emër të saj. Puna në të mirë të njeriut dhe shoqërisë është alfë dhe omegë e tri feve që kanë shqiptarët. Islami i jep rëndësi të madhe kontributit ndaj vendit, shoqërisë dhe shtetit. Përndryshe si të arsyetojmë disponimin shqiptar që për dështimet e veta akuzojnë faktorin e jashtëm, që në fakt, nuk është ashtu. Konstatimi i gabuar që rrjedh nga vullneti i ideologjive të brendshme të cilat për interesa të veta sakrifikonin dhe sakrifikojnë interesin e përgjithshëm të shoqërisë nuk pinë ujë karshi leximit të drejtë të së kaluarës së hidhur në të cilën kombit tonë iu vunë themelet e kësaj të sotme të rëndë dhe me kaq shumë sfida.

Deri më sot, me sa shihet, pak është punuar në studimin edhe të psikologjisë shqiptare. Nuk di nëse dikush ka prekur çështjen e nën-vetëdijes sonë si komb; Çka i bashkon shqiptarët në nën-vetëdijen e tyre?

Nëse nën-vetëdija gjermane është e përqendruar në punë dhe në ndjenjën e madhështisë nacionale, japonezët udhëhiqen nga nën-vetëdija ekspansioniste, grekët akoma besojnë te jenë pronarë hyjnorë të origjinës së kulturës evropiane ndërsa arabët i përshkon nën-vetëdija pan-islame. Kur është fjala tek ne, me cilën fjali të vetme do të kishim mund të përshkruanim gjenin tonë, atë që ne po e quajmë nën-vetëdije nacionale? Shpresoj të gabohem në konstatimin tim që nën-vetëdija jonë përqendrohet ende në luftën për ekzistencë biologjike si dhe luftimi kundër pushtetit, i huaj qoftë apo i yni.

Çfarë ndihmese mund të ofrojë feja në këto procese? Shtroj këtë pyetje jo për të nxjerrë mësime fetare që do t’iu kishin kundërvu atyre që nuk dinë rolin pozitiv të saj, por për të potencuar faktin se edhe institucionet fetare bartin një pjesë të përgjegjësisë për ndodhitë e sa kaluarës.

Ndikimi dhe roli i fesë ishte i madh, mund të jetë edhe në të ardhmen. Është në interesin tonë të zbulojmë tendencat themelore të përvojës fetare që ndihmojnë në vetëdijesimin e shqiptarit për rolin dhe përgjegjësinë që ka ndaj vendit. Këtu nuk dua të flas për kategorinë e njerëzve të fesë mentaliteti i të cilëve nuk është i formësuar sa duhet sa për të kuptuar dinamikat e jetës. Edhe ata ndoshta mund të na hyjnë në punë diku, këtu, fjalën e kam për ata prijës fetarë që kuptojnë drejt Kuranin dhe Ungjillin në të cilët libra historia zë vend meritor.

Sociologët dhe shkencëtarë të tjerë duhet të ndihmojnë fenë për të nxjerrë domethëniet e përvojës së dhjetëra profetëve të përmendur në librat e fesë. Kurani posaçërisht përmend ngjarjet e së kaluarës, jo për të treguar përralla por për të vënë në spikamë mësimet që duhet ti marrim nga përvojat e tyre.

Nga mijëra pejgamberë që kishte, Kurani përmend 28 por vetëm pesë nga ata i quan “Ulul azmi”, të vendosurit për ndryshime epokale në histori. Tregimet mbi profetët, shumë herë interpretohen gabimisht dhe cekët. Nuk është shpjeguar sa duhet se këta pesë pejgamberë, janë të tillë pikërisht për shkak të rebelimit të tyre ndaj vetive negative në shoqëri, ndaj pushtuesve dhe ndaj pushteteve që shtypnin popujt e atëhershëm. Në rrafshin shoqërorë, roli vendimtar i kësaj pesëshe ishte përhapja e tolerancës dhe dashurisë në shoqëri.

Fundamenti

Kurani dhe Ungjilli; dy mesazhe nga Zoti

Do të ishte e tepërt këtu të flasim më shumë për nevojën e shqiptarëve që të kuptojnë fetë e tyre. Këtë nuk e lejon as hapësira ku po botojmë shkrimet tona. Por, është mase e nevojshme të themi se roli i fesë është që njeriun ta bëjë të dashur tek Zoti nëpërmes dashurisë së tij ndaj njeriut dhe shoqërisë.

Mjafton që prijësit fetarë ta shpjegojnë fenë drejt. Komunikimi i udhëhequr nga nijetet e mira shqiptarët do ti ndihmonte shumë. Energjitë pozitive do të shtoheshin, elani për punë do të rritej, ndërsa dashuria për njëri tjetrin do të përhapej edhe më shumë mes nesh. Sa bukur tingëllojnë thirrjet e Kuranit për të pranuar njeri tjetrin: “Thuaj: Ne i kemi besuar Allahut, edhe asaj që na u zbrit neve edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ishakut, Jakubit, dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që u është zbritur të gjithë pejgambereve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar”. (Ali-Imran 84).

Sa shumë janë të përafërta me Kuranin fjalët e “Predikimi në mal” tek Ungjilli i Mateut se: “Duani edhe armiqtë tuaj, bekoni ata që ju namin, bëni mirë atyre të cilët ju urrejnë dhe luteni Zotin për ata që ju ndjekin…sepse, nëse duani vetëm ata që ju donë, çfarë shpagimi do të keni dhe nëse Zotin e thirrni vetëm për vëllezërit tu, çka keni bërë më shumë. A nuk jeni duke e bërë atë që e bëjnë të pafetë? (MT, 5,6,44,45,46).

Dehje kolektive; të gjithë kundër të gjithëve!

Sot, domosdoshmërisht duhet larguar nga kujtesa preokupimet mbi konfrontimin që po bëhet përditshmëri jona. Besimtari modern nuk do që vetëdija e tij religjioze të shqetësohet me konfrontime.

Ai edhe ashtu është i lodhur nga disharmonitë e jetës. Ai është i rraskapitur shpirtërisht dhe i shqetësuar. Shqiptarit i duhet paqe dhe më shumë qetësi. Ai do një fe e cila e liron nga frika dhe nga gjendja pezull që është. Jemi duke përjetuar një dramë, ndërsa besimtari nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë dramë ironike. Ai po ndjehet keq kur shkruajmë kundër njëri tjetrit.

Ai po preket nga mesazhi e dalë prej shkrimeve diskredituese ndaj fytyrave eminente të kombit. Shqiptari po frikohet nga kjo dehje kolektive që buron tek lufta për pushtet. Pjesëtarët e një feje po sulmohen ashpër nga pjesëtarët e fesë tjetër, sulmohen edhe ata që janë të njëjtës fe por që mendojnë ndryshe. Sot shpallesh për heretik e pabesimtar vetëm pse nuk vishesh si tjetri. Çka është kjo ndasi mes sunitëve dhe shiitëve, prej nga këto fetva që këta të fundit shpallen për kafir, kush e bënë këtë dhe nga kush paguhen? Prej nga ideologjia se katolikët si katolikë kanë kontribuar kauzës shqiptare më shumë se të tjerët, dhe e kundërta, prej nga dhe çka nënkupton ajo se myslimanët shqiptarë kanë dhënë më shumë për shtetin se sa katolikët?

Gjuha e militantëve të një partie është tepër e egër ndaj militantëve të partisë tjetër. Mungojnë shkrimet për thirrje që ta duam njëri tjetrin. Po shahen pa dallim personalitetet e kombit ndërsa Adem Jashari quajt kriminel? Askush nuk mbeti pa u tejshpuar prej plumbave që dalin nga gojët e shqiptarëve plot vrer, urrejtje dhe armiqësi. A është e mundur e gjithë kjo, shqiptarë?!

Intelektualë, zgjohuni dhe vraponi kah idealet e larta

Fatmirësisht, si popull ia kemi arritur që me sukses të përballojmë rreziqet të cilat na kërcënonin me zhdukje fizike, mentale dhe kulturore. Tani jemi në momentin kur duhet ti ndërtojmë objektivat e përparimit dhe të konsolidimit si komb i lirë. Edhe pse kemi ende vështirësi të shumta, duke përfshirë edhe lirinë jo të plotë në kontekst të vijës etnike, sot frymojmë më lirshëm se pak vite më parë.

Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët kudo që jetojnë nuk mund të justifikohen më tutje për mungesë të resurseve dhe kushteve elementare për mundësi të prosperimit. Është momenti që në nivel nacional të diskutohet shumë seriozisht krijimi i një mekanizmi që bashkon trurin e kombit, që mund të quhet quhet Knowledge Village-Fshati i Dijes. Fshati i Dijes do të ishte trupi elitar i ndërgjegjes shkencore dhe intelektuale shqiptare me përfshirje të gjitha profileve studimore në nivel shkencor, me detyrë që në forma analitike dhe sintetike studimore të sjellim të gjitha përfundimet e duhura të cilat do ta përcaktonin mënyrën e të ecurit përpara të kombit shqiptar. Intelektualët, shkencëtarët, dijetarët shqiptarë, kudo që janë dhe kah do që kanë migruar duhet t`i rreken punës për atdheun dhe të tregojnë se janë pjesë e botës së qytetëruar. Besoj të kenë mësuar se në garën për jetë marrin pjesë gjitha kombet, por në cak arrin më i përgatituri për jetë, pas tij hyjnë të tjerët ndërsa në fund mbesin ata që nuk ishin të gatshëm të ballafaqohen me sfidat e jetës.

Në vend të përfundimit: Njeriu mbi të gjitha

Më mbanë shpresa se pranimi i njëri tjetrit dhe toleranca mes nesh do të kuptohet drejt dhe shpejt. Vetëm ashtu mund të përballojmë vështirësitë që kemi përpara. Jeta nuk pret. Besimtari shqiptar duhet të dijë se feja e tij kurrë nuk ka qenë arsye për ndarje apo vrasje. Udhëheqësit makutër fetarë janë ata që përdorin fenë për interesa dhe konflikte mes njerëzve.

Shqiptarë, përpara kemi njeriun. Nuk është me rëndësi si quhet, në çka beson dhe cilës parti i takon. Me rëndësi është se ai është njeri, për të cilin, siç thotë Kurani, u krijua çdo gjë dhe çdo gjë është vënë në shërbim të tij.