ARKATANA

Historia e bujshme shqiptare në dokumentet e Osmanli arkivit në Stamboll

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Islam Osmani – Edhe pse Stambollin milionësh e kisha vizituar disa dhjetëra herë por kësaj radhe vizita ishte pak sa më e gjatë dhe desha t`i shfrytëzoja sa më mirë ditët sa qëndrova në këtë qytet oriental. Kështu pos vizitave monumenteve kulturore, fetaro – historike që nga koha e perandorisë Osmane, planifikoja të bëjë edhe një punë hulumtuese-shkencore dhe vendosa t`i vizitoj Arkivat e Stambollit.

Meqë gjuhën turke nuk e njihja mirë edhe më hiq osmanishten kisha frikën se nuk do ia dilja të kryej punë por…pas një rrugëtimi me tramvaj dhe një gjysmë ore me autobus arrita në Arkivin më të madh në Botë-OSMANLI ARKIVI. Deri sa shkoja në sallën hulumtuese mendoja se si do ja bëja, si do të gjendesha meqë ishte hera e parë të shkoja në një shtet të huaj për të hulumtuar dokumente në një gjuhë të huaj(në gjuhën turke dhe osmane), por rrjedha e mëtejmë ishte krejt e rastësishme nga se menjëherë mu kujtua fjala popullore se ‘’shqiptarë ke gjithkah në botë’’.

Andaj edhe këtu takova një zonjë- shqiptare e cila pasi kuptoi se jam nga Kosova ia shkrepi me një shqipe të kulluar mirë. Ishte kjo Zonja Ajtene, shqiptare nga Mitrovica. Një rastësi dhe befasi e këndshme për mua.

Pasi që i tregova lëminë për të cilin isha i interesuar për të hulumtuar, menjëherë më udhëzoi se çka duhet bërë dhe si duhet vepruar me kompjuterin për të arritur deri tek dokumenti i kërkuar. Por kush ishte vërtet Ajtenja, mitrovicasja, Ajten Krasniqi-ARDEL është punonjëse e lartë e këtij Arkivi- eksperte e hulumtimeve Arkivore.

Në këtë Arkiv ajo punon që nga viti 1992 . Gjatë tërë kohës sa unë isha duke hulumtuar, ndihma dhe këshillat nga ajo nuk mungonin, duke pasur parasysh edhe shumë hulumtues të tjerë dhe kërkesat të tyre që ishin të shumta nga yonja në fjalë e cila pa përtesë u vinte në ndihmë të gjithëve. Ajo ishte shumë energjike dhe ishte gjithkah dhe gjithkund kur e lypte nevoja pranë studiuesve dhe monitorëve të tyre(në sallën e madhe me mbi 100 sish) duke iu ndihmuar hulumtuesve të shumtë në sallën e mbushur me studiues nga e gjithë bota. Në anën tjetër unë kisha përparuar me hulumtimet e mia me ndihmën e saj kur për pak kohë arrita të grumbulloj material të mjaftueshëm për temën që po e përpunoja. Kjo ishte një rastësi pozitive për mua e njëherit edhe shkas për këtë bisedë spontane për jetën, punën dhe veprimtarinë e saj në tërësi-e posaçërisht për punën e saj në Arkivin e Osmanlive në Stamboll. Ajtenja është e lindur në Mitrovicë në vitin 1954.

Rrjedh nga një familje e vjetër qytetare- mitrovicase, familje përparimtare dhe arsimdashëse. Këtë e vërteton e dhëna se që të katër fëmijët e Z.Jusufit dhe zj.

Fatime Krasniqi (tani të ndjerë) ishin të shkolluar. Njëri nga ta Ismaili (i ndjerë) ishte profesor në Fakultetin Teknik në Mitrovicë. Ajtenja shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Mitrovicë ndërsa Fakultetin e Orientalistikës e mbaroi në Prishtinë. Ishte studentja e parë – e kësaj lëmie dhe vet ajo deklaron se ishte e nderuar që kishte për profesor Dr. Hasan Kaleshin, i cili ishte i njohur për kontributin e tij në ndriçimin e fakteve historike shqiptare të periudhës Osmane. Në marrjen e vendimit për të studiuar Orientalistikën ndikim të posaçëm kishin patur prindërit e saj. Pas kryerjes së Fakulteti të Orientalistikës në vitin 1980, një vit mbeti e pa punësuar dhe në vitin 1981, punësohet në Fakultetin e Orientalistikës në Universitetin e Sarajevës si lektore e gjuhës turke.

Poashtu nga viti 1981 e deri në vitin 1986 punon edhe si profesoreshë e gjuhës turke në Medresen e “Gazi Hysret Beut” në Sarajevë. Më pas në vitin 1987 e shohim të punojë si bibliotekiste në Bibliotekën e Medreses “Gazi Hysret Beut”, ndërsa në nëntor të vitit 1988 punësohet lektore e gjuhës turke në Universitetin e Venedikut në Itali. Pas një viti kthehet në Mitrovicë dhe në vitin 1990 merret edhe me aktivitet politik. Në këtë vit është njëra ndër themelueset e degës së Partisë së Drejtësisë në Mitrovicë, ku menjëherë kryen detyrën e kryesueses në sektorin e kulturës për Mitrovicë.

Mirëpo, znj. Ajtene pushteti i atëhershëm nuk e lenë të qetë, filluan ta thërrasin në bisedat informative (të famshmet) dhe kjo dashtë e pa dashtë për t iu ikur bisedave të tillave si dhe maltretimeve të lloj-llojshme nga ana e punëtorëve të SUP-it të atëhershëm sërbosllav detyrohet të shkojë në Turqi ku edhe fejohet, dhe në vitin 1991 martohet me Z.Deniz Ardel një njeri akademik-historian i artit figurativ, me të cilin kanë një djalë- Shimalin.

Në Stamboll filloi një jetë të re por e pa punësuar dhe fati deshi që të punësohet në Arkivin Osman që gjendej në Gursel Mahallesi Ihramor Cad. Kagithane të Stambollit. Përparësia e saj për tu punësuar në Arkivin Osman ishte anëtarësimi i saj që herët në Organizatën Botërore të Turkologëve.

Ndihma dhe sugjerimet e znj. Ayten gjithherë ishin të mirëseardhura në gjetjen dhe zgjedhjen e dokumenteve arkivore.

Gjatë punës së saj si eksperte hulumtuese që nga punësimi(1992) në Arkiv e deri më sot Ajtenja është marrë edhe me punë sistematike hulumtuese shkencore. Deri tani ka botuar disa vepra shkencore si: “Shqipëria në Dokumentet Osmane”, pastaj” Kosova në Dokumentet Osmane” si dhe “Bosna në dokumentet Osmane”.

Ndërsa me punimet e saj shkencore është paraqitur në shumë tubime e konferenca shkencore anë e mbanë botës.si: Në Stamboll në vitin 1985 me temën: ”Fonetika e gjuhës dhe gjëegjëzat”në dialektin e turqishtes që flitet në rrethinën e Pejës. Në vitin 1987 në Konja të Turqisë paraqitet me temën historike ”Kosova në dokumentet osmane”. Në vitin 1988 në Stamboll me temën “Gjellërat e Bosnjës-emërtimi i tyre në gjuhën boshnjake’’. Pastaj në simpoziumet historike në Tiranë 2003 me temën mbi ‘’Elbasani në shekullin e XV-të’’, ‘’Elbasani në Defterët e Parë Osmanë”,pastaj për “Konsullatat e Huaja dhe kontributi i tyre në Vilajetin e Kosovës në shek. e 19’të dhe fillimet e shek. 20’të”, pastaj në Konferencën shkencore në Bukuresht, tri herë në Tiranë, në Shkup, në Halep të Sirisë dhe në Turqi: në Stamboll Gaziantepe, Konja e gjetiu.

FIDANISHTJA

Ajtenja është e pa lodhshme si në ndihmën që ua jep pa përtesë vizitorëve të këtij arkivi, po ashtu edhe vet është aktive- vazhdon të punojë e hulumtoj dokumentet shkencore osmane. Për punën e saj në Arkiv thotë Ajtenja nuk kam fjalë të shpreh kënaqësinë që ndjej duke punuar në një mjedis ku është një pasuri kaq e madhe me dokumente nga të cilat më mundësohet të mësoj për historinë e shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë etj, Kjo mundësi nuk besoj se do të më ipej po të punoja diku tjetër. Andaj me të drejtë ndihem krenare që më është dhënë një mundësi që shumë të tjerë ëndërrojnë ta kenë. Kjo gjë edhe më obligon edhe më tepër për të kontribuar për Ballkanin dhe për trevat shqiptare në veçanti. Nuk mundem të them një numër të saktë për dokumentat në të cilat përmenden shqiptarët, por më duket se janë të shumtë ndoshta edhe janë me miliona dhe këto dokumenta nuk përfshijnë vetëm trevat aktuale që popullohen nga shqiptarët por të gjithë territorin osman ku ka patur shqiptarë.

Jo vetëm si specialiste e osmanishtes apo si punonjëse shkencore e Arkivit, por edhe si shqiptare znj.

Ajtene thekson se vlerat e studimit të këtyre dokumenteve për shqiptarët janë të patjetërsueshme. Në këto fonde, fshihet e gjithë historia pesë shekullore e shqiptarëve nga e cila do nxirren në dritë shumë të vërteta që tash për tash i mungojnë historisë së shqiptarëve.

Me ndihmën që ua ofron studiuesve, historianëve gjatë punës së saj si eksperte hulumtuese arkivore,znj. Ajtene, paraqet një mundësi më tepër për studiuesit shqiptarë që brenda një periudhe sa më të shkurtër hulumtuese të arrijnë të furnizohen me dokumente historike arkivore për të cilat janë të interesuar bashkëkombësit e saj. Ajo gjithherë i mirëpret hulumtuesit shqiptar duke iu ofruar ndihmën e nevojshme për të kryer punën e tyre. Andaj mund të themi se znj.

Ajtene është një mbështetje e madhe, ajo paraqet një derë të hapur , për të gjithë ne që dëshirojmë dhe kemi nevojë për ndihmë në punët tona shkencore –hulumtuese në Osmanli Arkivin e Stambollit ku ajo punon. Mu për këtë ajo meriton një lavdatë dhe falënderim të madh nga të gjithë ne. Të Lumtë znj. Ajtene. Duke dashur që sa më shumë të zbardhet e kaluara e shqiptarëve gjatë pesë shekujve të kaluar Znj. Ajtene ka edhe mesazhin për fund të bisedës ku thekson dëshirën e saj që të shoh sa më shumë studiues shqiptarë në këtë sallë, për të ndritur të kaluarën tonë kombëtare. Ka ardhur koha ta shkruajmë ndryshe historinë tonë, me fjalë të tjera: Ta themi historinë me zërin e së vërtetës. Është kjo një thirrje që ja drejtoj të gjithë atyre studiuesve e hulumtuesve të rinjë shqiptarë , numri i të cilëve tash për tash është i vogël.
Libri im “IMAMËT E GJILANIT 1912-2015”, një dhuratë modeste për znj. Ayten.

Ne u ndamë nga Ajtenja me një falënderim të madh për ndihmën dhe kujdesin që tregoi ndaj meje në grumbullimin e materialeve arkivore si dhe për bisedën- intervistën spontane që e zhvilluam në holin e sallës përlotë me studiues të dokumenteve,orientale arkivore osmane.

BOX

Osmanli Arkivi i Stambollit është njëri ndër Arkivat ( në mos më i madhi) më të mëdha në Botë. Arkivi është themeluar në vitin 1846 si Arkivi i parë Osman i cili atë kohë quhej HAZINEI EVRAK.

Arkivi Osman tani punëson rreth 700 punëtorë. Arkivi posedon mbi 150 milion dokumente të vjetra shkencore që nga koha e Perandorisë Osmane e deri më sot-dokumente nga të gjitha viset e Botës ku është shtrirë kjo perandori që nga shekulli i XV-të e këndej. Nga ky numër dokumentesh 30 milion dokumente janë të digjitalizuara dhe digjitalizimi i të njëjtave vazhdon rregullisht pa ndërprerë. Osmanli Arkivin thotë znj. Ajten e vizitojnë hulumtuesit nga e gjithë Bota por më së tepërmi kemi vizitor nga Amerika dhe Japonia. Japonezët janë shumë të interesuar të hulumtojnë dokumentet Osmane.

Kompleksi i Osmanli Arkivit në Stamboll

Ndërsa nga ne shqiptarët kemi shumë pak të interesuar edhepse dokumente të pesë shekullit të fundit për shqiptarët ka mjaft. Hulumtuesi i parë nga shqiptarët në këtë arkiv ishte Hasan Kaleshi. Ai kishte bërë hulumtime që në vitin 1954. Pastaj vijnë hulumtuesit nga Shqipëria edhe në kohën e pushtetit të Enver Hoxhës si : Gazmend Shpuza, Kristaq Prifti, Ferid Duka, Dritan Egro. Nga hulumtuesit e tanishëm nga Kosova numri i të cilëve është shumë i vogël dhe të tillët janë shumë të rrallë, por tash për tash mund të përmendim historianët Ilaz Rexha dhe Agron I. Islami shton znj. Ajten.

Shumica e hulumtuesve janë historian Akademik. Këtë Arkiv për çdo ditë e frekuentojnë(sidomos gjatë ditëve të verës) rreth 150 deri në 200 hulumtues shkencor. Bashkëpunimi i Arkivave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me Arkivat e Turqisë është rritur dhe e njëjta është kurorëzuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim. Nga këto Marrëveshje kanë dalur dhe botuar edhe nga një libërpër secili rajon si: “Shqipëria në Dokumentat Arkivore Osmane”, “Vilajeti i Kosovës në Dokumentat Arkivore Osmane”, “Maqedonia në Dokumentat Arkivore Osmane”. Në kuadër të Osmanli Arkivit është edhe Muzeu i arkivit ku janë të ekspozuar shumë dokumente arkivore si dhe biblioteka me mija ekzemplarë librash të lashta historike të zhanreve të ndryshme./rajonipress/