Hijen e lehtë, Shani Tarashaj e pasuroi skuadrën nga liga e pestë

E pabesueshme por e vërtetë. Sulmuesi kosovar, Shani Tarashaj, me transferimin nga Grasshopper te Evertoni, ka pasuruar një skuadër në ligën e pestë zvicerane me 320 mijë franga.
E gjithë kjo histori ka filluar në vitin 2008, gjatë një miqësore mes skuadrës ku atëkohë aktivizohej si 13 vjeçar Shani Tarashaj ,FC Red Star Zürich dhe Grasshopper.
Red Star Zurich kishte mposhtur 5:1 GC, dhe të pesë golat, i pati shënuar Tarashaj.
Paraqitja e Tarashaj nuk kaloi pa vërejtur nga drejtuesit e Grasshopper, të cilët vendosën të transferojnë futbollistin me prejardhje nga Prizreni, duke bërë një marrëveshje interesante me skuadrën nga liga e pestë.
Të dy skuadrat arritën një marrëveshje që i vunë klauzolën se nëse kosovari arrin t’i regjistroi dhjetë paraqitje për skuadrën e parë të GC, FC Red Star Zurich do të fitojë 20 mijë franga.
Pak kush ka mundur ta imagjinojë këtë, por në prill të vitit 2015, në fitoren 5:0 të GC ndaj Sionit, Tarashaj u paraqit në tetë minutat e fundit të ndeshjes, për të regjistruar paraqitjen e dhjetë për skuadrën e parë, duke bërë që të aktivizohet klauzola.
Pas paraqitjes së dhjetë të Tarashajt për GC, presidenti i FC Red Star Zurich, Marcel Cornioley, i kërkon takim drejtorit sportiv të GC, Axel Thoma, i cili duke ditur se sulmuesi 20 vjeçar ka kontratë edhe një vit, i bën një propozim interesant skuadrës së ligës së pestë.
“Ata na mposhtën duke na ofruar vetëm 10 mijë franga. Dhe për këtë ne do të marrim 10 për qind të shumës nga transferimi i tij i ardhshëm”, ka deklaruar Cornioley për Blick.
Pas kësaj, u krijua një situatë e re me shumë probleme të GC, shumë lojtarë pritej të largoheshin, dhe një prej tyre edhe Shani Tarashaj, të cilit nuk pritej t’i vazhdohet kontrata.
Largimi si lojtar i lirë nga GC i Tarashajt, do ta linte duarbosh FC Red Star Zurich.
Por shumë shpejtë gjithçka ndryshoi te GC, me ardhjen në krye të trajnerit Pierlugi Tami.
Në fillim të sezonit të ri, Tarashaj shënoi pesë gola në pesë ndeshjet e para, duke bërë që kontrata e tij të rinovohet, transmeton Indeksonline.
Në afatin kalimtar të janarit, ishte skuadra e Premierligës, Everton që siguroi shërbimet e 20 vjeçarit, duke arritur marrëveshje për 3.2 milionë franga zvicerane me GC.
Me marrëveshjen mes GC dhe FC Red Star Zurich, me 10 për qind të shumës, skuadrës nga liga e pestë i takojnë 320 mijë franga.
Presidenti i FC Red Star Zurich, i cilëson si të jashtëzakonshme këto të ardhura, duke deklaruar se për ta është një lotari e fituar.
Tarashaj pas përfundimit të këtij edicioni, do t’i bashkohet anglezëve të Evertonit./Indeksonline/