GRANDEMALL

Heshtja e problemeve nuk sjell paqe

/ 13 minuta lexim
FITORJA

Nga Shefik Shkodra – Në këto kapërthime të ngrysura për dialog me Serbinë dhe me shumë afera të brendshme, njeriu merr trembshëm nga kjo gjendja e përgjithshme. Deri diku e hamendshëm është diskutuar edhe nga shoqëria civile e qytetarët për të gjitha, e edhe për takimet Kosovë – Serbi .

Është thënë të merret qëndrimi i të gjithë spektrit politik nga Kosova, por edhe nga shoqëria civile, si dhe anët tjera me shqiptarë. Kjo s’është një formalitet, por një domosdoshmëri, ngase, marrëdhëniet ndër shqiptarë duhet të jenë gjithnjë më të mira, të organizuara e më unike, të përfaqësuara me një mendim. Jemi në zgrip, prandaj duhet të merret mendimi publik jo aq fragmentar. Më në fund, ndoshta duhet të punohet edhe nga trysnia e jashtme, por në asnjë mënyrë fshirja e gjithë asaj që nuk mund të merret si stabilitet për shqiptarët në trojet e veta.

Nuk bën të ngutemi

Të gjitha skenat janë të gatshme. Provokimet nga të gjitha anët po thuaj. Në Maqedoni kaherë, ata punojnë me skica të pansllavizmit, deri atëherë, kur nuk e gjejnë mundësinë. Dhe ata mjaft provokime kanë bërë me shqiptarët e atjeshëm. Por, provokimet janë paralel sa në veri të Kosovës aq edhe në Luginë të Preshevës. Do të thotë janë të kurdisura e të organizuara në mënyrë efikase nga Serbia. Ata dëshirojnë që shqiptarët ta ndezin të parët zjarrin. Në mënyrë që të gjejnë arsyetime para opinionit botërorë. Këto tashmë janë të njohura gati tërësisht për qytetarët tanë, qofshin edhe ata më të rinj. Edhe më tutje qytetarët tanë duhet të njihen me veprimet politike e historike të shtetit të Serbisë .

Ne njëherë nuk kemi folur, as një çerek çfarë është dashur të flitet e të njoftohet opinioni i jonë publik. Natyrisht, nga porosia e dëgjueshmëria e KB, me parullën e status quos, apo me një restaurim e një rehabilitim në mes armikut e sakrificës, pra, në mes Serbisë dhe shqiptarëve. Do të thotë, pa fjalë e pa “gjurullti” të vihet kapak, sikur s’ka pas asgjë. Sikur të kishte ndodhur një mosmarrëveshje rasti e vogël fqinjësore. Dhe, Kosova do ta pranojë një farë statusi (?). Që në ditët e para është dashur të lëvizet në mënyrë permanente. Tash vonë po vërtetohet me fjalë se, Serbia nuk ka ndryshuar asgjë nga politika e dikurshme. Natyrisht, se, nuk ka ndikuar e as që do të presim të ketë ndryshime në planin e tyre. Kjo nuk do të thotë se, ne nuk kemi punë të tjera, paralel duhet t’i përcjellim edhe veprimet e tyre.

Ndjenja tepër madhe e përafrimit për qetësi – naive

Asnjë qytetar i jonë me mend në kokë nuk thotë se, duhet të pastrohet Kosova nga etnitë tjera. Por, dihet se, ata që kanë vuajtur gjithmonë, shumica, janë shqiptarët e këtij vendi. Dhe, ata duhet ta gëzojnë së paku të drejtën e barabartë njëherë me minoritetet. Nuk është shter jo, po as nuk ka filluar të analizohen sa e si duhet veprimet politike të Serbisë, si vend okupues në Kosovë e te shqiptarët kudo. Një herë, hajt se Kombet e Bashkuara po donë të na ofrojnë e rregullojnë – si një farë “vëllazërim-bashkimi” i serishëm. Pastaj, një pjesë e madhe e shqiptarëve, në rend të parë, ata që u prinin punëve politike dëshironin, që duke qenë mirë të dëgjueshëm, të mos ‘u prishet tymi i duhanit’, madje edhe atëherë, kur ka qenë, ndoshta, rast markant e shumë i dukshëm për të gjithë botën. Se, gjëja ne, shqiptarët mundemi të jetojmë sërish bashkë. Edhe kjo shumë me shpejtësi të madhe, si thuhet, ende pa u mbyll plagët u mor e u vendos, si një farë “mrekullie” – Kosova Republikë multietnike, multikulturore, etj. me siguri kjo imponim, por edhe pak me shumë, si po thuhet ,“diskriminim pozitiv”.

U mor vesh, në emër të këtij farë statusi, kisha ortodokse përfitoi hapësirë materiale e tokë, strategji e mbrojtje absolute juridike dhe bëri strehë për propagandë politike serbe të mëtejme. Asnjë fjalë për veprimet qindvjeçare të Serbisë në Kosovë dhe vendet ku jetojnë shqiptarët. Se për kërkimfalje nuk është menduar fare, së paku, jo publikisht. Kur u tërhiqet vërejtja njerëzve tanë se, nuk mund t’i përcjellin lehtë veprimet e pandërprera të Serbisë në kundërshtim me shqiptarët, u mbetet “hatri”, si po ke guxim të na ofendosh, mund të thonë. Dhe krejt fajin e hedhin të të huajt, kur diçka është në disfavor. Do të thotë, ata s’po pranojnë, ata po pengojnë, ata po bëjnë presion që, kjo e ajo çështje të vendoset sipas planeve të tyre, natyrisht, të shumtën në dëm të shqiptarëve. Ose, serbët duhet t’i ofrojmë e t’i “përkëdhelim” me kushte të veçanta, qoftë edhe nëpër institucione publike e në MPB, si njerëz e qytetarë “besnik” të vendit. Ata shfrytëzojnë për kaq kohë të mirat materiale e financiare nga Kosova dhe nga ‘nëna Serbi’.

Kështu krijohet përshtypja se, ne duhet të jemi më të ndjeshëm e më të kujdesshëm për të gjithë të tjerët se për veten. Dhe, gjithsesi, sakrifica e të tjerëve. E po kjo nuk është një muaj as një vjet…! Këtë e deshi Serbia. Ndihma nuk mungoi, pak nga ne e pak nga të tjerët…

Heshtja para problemeve nuk sjell paqe

Kur ke nevojë gjithmonë duhet të presësh e të përcjellësh njerëz ndërmjetësues e këshillues. Kush vjen e të sheh për të mirë, kush vjen për të marrë hetime e për ta shikuar gjendjen shëndetësore, materiale, (jo)stabilitetin familjar e fqinjësor. Për ta parë njerëzinë e kujdesin me nacionalitetin në të gjitha drejtimet e edhe në “idaren” e shtëpisë. E e di saktë se, ky ose ai është spicë e çështjes që të përket në momentin e pikërishëm, megjithatë, nuk e ke kohën që t’i thuash askujt, ‘mos më eja!’

Në raste të veçanta, mund t’i mbledhësh familjarët dhe të diskutosh. Mund të bëhet autokritikë e korrigjime të nevojshme. Kështu është edhe me gjendjen tonë si familje, si shtet i ri, më shumë në ‘përkujdesje’ e mbikëqyrje të forcave tjera. Problemi, kemi thënë, është i fillimit. Bisedat në Vjenë, (jo aq të njohura detajet për opinionin), e madje edhe para kësaj janë shenja që pështjellojnë gjendjen. Plani i Ahtisarit për Kosovën që bëri ndarje e decentralizime në baza etnike, është fillesa e cila paraqet pengesën kryesore. Serbët e Serbisë, përkundër kësaj, kanë insistuar e paraqesin edhe më shumë kërkesa, deri te një “status special” , njëherë për Veriun e pastaj …kur vjen koha edhe për pjesët tjera(!).

Në këtë pikëpamje e në këtë rrahe pak ka pas reagime nga opinion publik e i institucioneve kulturore e shkencore. Akademia e arteve dhe shkencës në Kosovë nuk deshi të marrë pjesë në asnjë hap. Ndoshta, nuk është investuar nga ana e qeverisë si duhet, e as që janë pyet(?) Megjithatë, konsideroj se, të heshturit para çështjeve shumë nacionale është ndihmesë e rritjes së problemeve.

Taktika evropiane s’është për lëvdatë po as e paqartë

FIDANISHTJA

S’është për lavd të madh, por as për nënçmim sjellja e BE. Serbisë i jepen favore, shqiptarët mbeten të ‘ngujuar’. Nuk mund të thuhet apriori se është me qëllim, apo një strategji politike ndaj Serbisë, megjithatë, e pa favorshme deri në një farë mase. Sa shqiptarë shkuan në “kancelaritë e Serbisë” në Graçanicë e Ranillug për pasaporta e për dokumentacione tjera. Këtë e dinë çdokush e edhe ata të jashtmit me mision këtu. Evropianët nuk lejojnë ‘vizat’ për shqiptarët e Kosovës. Ata rekomandojnë për plotësime kushtesh. Cilat kushte, të gjithë i dinë. Zhvillim ekonomik, respektim ligji, evitim korrupsioni e kriminaliteti, etj. që të gjitha janë të domosdoshme për vetë qytetarët e këtij vendi.

Kur bota e sheh se çdo njëri prej zyrtarëve të institucioneve në Kosovë vjedh dhe akuzohet për korrupsion e kriminalitet, atëherë çfarë edukimi mund t’i bëhet këtij populli dhe nga kush mund të ndodh një përgjegjësi, kur institucionet nuk marrin kurrfarë obligimesh dhe nuk sanksionohet gati askush asgjë me ligj. Kështu është parë deri më tash. Dhe gradualisht, edhe atë pak integritet politik që e ka pas Kosova, sa vjen e po i bien. Prandaj, evropianët dhe të tjerët nuk do të çanin kokën për diçka më tepër e me interes të këtij vendi. Atyre mirë po u shkon puna…

Ndërsa, zyrtarët tanë dalin dhe i thonë popullit, ‘shihni, deri me këtë muaj …vizat do të bëhen edhe për ne!” Do të thotë, nuk duhet premtuar asgjë kur nuk je i sigurt. Më parë duhet të sigurohesh në veprimet e rrethit tënd, me sjelljen dhe disiplinën shtetërore.

Lëvizjet në Maqedoni

Ata që quhen maqedonë në Maqedoninë e Jugosllavisë janë xhokeri i pansllavizmit. Ata i dëgjojnë urdhrat më shumë ndoshta të anës veriore. Po, nuk mund t’ua kuptosh marrëdhëniet shqiptarëve e maqedonasve, përkatësisht marrëdhëniet e partive shqiptare me ato maqedonase. Edhe këtu mund të pëshpëritet diçka tjetër nga anët. Po Serbia edhe në këtë terren vepron pa ndërprerë. Shërbimet sekrete janë gjithnjë të pranishme. Insistojnë që të ndezin një zjarr edhe këtu në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ka indikacione që të merr hov në çdo çast dhe të mos kontrollohet gjendja. Në momente të caktuara nuk dëgjohet zëri unik e më i theksuar i shqiptarëve.

Problemi i Luginës është i të gjithë shqiptarëve

Nuk do të duhej të pranohej presioni nga ana e evropianëve për çështjen e Veriut të Kosovës, që të bëhen ndryshime përtej pakos së Ahtisarit. Nëse kërkohet diç e tillë, atëherë pa tjetër duhet të kërkohet “reciprociteti”, i cili gjithsesi është i nevojshëm edhe për shqiptarët. Gjithnjë ishte aktuale edhe çështja e Luginës. Pa tjetër se është barrë edhe e pjesëve tjera të shqiptarëve, edhe e Shqipërisë e edhe e Kosovës. Shqiptarët dhe Shqipëria mendojnë (një pjesë) se nuk ka problem për ata nëse kriza nis në Kosovë, në Maqedoni, apo në Preshevë e Bujanoc. Thonë ndoshta, larg është prej tyre. Dhe kjo s’është ashtu. Sikur është provuar edhe në luftën e fundit në mes Kosovës e Serbisë. Lufta nuk do të ndalej deri në kufi me Shqipërinë.

Sikur që nuk do të jetë lehtësi fillimi i ndonjë konflikti edhe me pjesët tjera përreth. Një mos kujdes të duhur e kanë shfaqur edhe Shqipëria edhe Kosova ndaj kësaj pjese. Të gjithë kanë menduar se ‘Kosova është çliruar tashmë, por nuk po bën asgjë për ne të Luginës’. Dhe vërtet as Shqipëria nuk ka bërë diç për këtë, po as për Kosovën në rrafshin diplomatik. Krejt kjo vjen, më tepër nga një egoizëm e ndoshta, nga pak edhe nga një naivitet.

Kështu ndodh edhe me çamët e Çamërinë, por edhe me pjesët tjera ku jetojnë shqiptarët. Serbia kur nuk mund të luftoj me armë në dorë, ka edhe mënyra tjera. Serbisë duhet t’i ruhemi nga një luftë tinëzare. Pa fjalë. Nuk mund t’i zihet besë asnjëherë. I provojnë gjërat. Shikoni sa mallin e importojmë nga ky vend, një pjesë të madhe të artikujve ushqimor …!

Vonesa për strategji politike apo paraqitje “patriotike”

Për këtë arsye kemi thënë se, është i nevojshëm bashkimi kombëtar. Jo me njëherë në mënyrë protokollare, as me thirrje nga tribunat, para se t’i konsolidosh punët e brendshme. Sepse jo veç që e kemi “e kemi orlin mbi kokë” , por e do edhe rendi e vend. Para më tepër se tri-katër vite kemi thënë, shqiptarët duhet të përpiqen për një strategji të përbashkët, qoftë edhe shumë interne. Se pa unitetin e tyre, nuk mund të ketë unitet me të tjerët. Ose, integrimi me Evropën do të bëhej veç për të thënë. Po ky integrim mund të bëhet në dhjetëra mënyra e drejtime.

Besoj, ato i dinë të gjithë qeveritarët e zyrtarët e institucioneve tona. Në drejtimet që është kërkuar të bëhen sa më shumë investime, shumë pak ka ndodhur, për të mos thënë fare. Investimi i parë në kulturë e arsim. Po investimi ka mundur të bëhet edhe në politikë e në sferën e mbrojtjes. Politikanët e institucioneve, qoftë andej apo këndej, herë pas here është dashur të reagojnë edhe për veprimet në Maqedoni, në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë etj.

Është dashur që për disa çështje juridike (si kushtetuta e Serbisë) të bëhej pa reshtur presion me të jashtmit që të ndryshohet. Të hiqet Kosova si pjesë përbërëse e saj. Sikur që është dashur të flitet e publikohet edhe çështja e xhandarmërisë, e afruar rreth Luginës, e edhe në terren të saj të fortifikohen. Krejt kjo që të shprehin frikësim dhe boshatisje të vendeve të veta, sikur ka ndodh këto vite pas luftës, që, një numër i madh është shpërngul në Kosovë.

Secilit rast do të duhej t’i rrinim gati. Të mos nënçmohet çfarëdo nisme nga ana e Serbisë e që i përket çështjes shqiptare. Nuk mund të thotë askush se, kjo apo ajo është cikërrimë e e pa rëndësishme për ne, prandaj, s’ka nevojë të merremi me te. Gjithherë cikërrimat ata i bëjnë ‘kala’. Secili qytetar i jonë duhet të jetë i kujdesshëm, sidomos, ata që çfarëdo detyre bëjnë, të vëzhgojnë, të përcjellin e të jenë stoik para rolit të vet që luajnë në shoqëri. Jo unë, p.sh., nuk qëllova rastësisht në vend pune, shkoi dhe u helmuan kaq e kaq qytetarë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.