“Heroi” bllokohet në Bullgari për mungesë të 14 mijë eurove

Prishtinë – Luan Kryeziut i ka dalë prapë telash me “Heroin”. Ai thotë se laboratori “Cinelab Kodak” në Sofje të Bullgarisë e ka bllokuar filmin e tij për një pagesë të vogël. Për 14 mijë euro Kryeziu nuk po mund ta përfundojë filmin, që është përzgjedhur për financim me buxhet të shtetit që nga viti 2009, shkruan “Koha Ditore”. Toni, përkthimi në gjuhë të huaja e detaje tjera, për të cilat Kryeziu nuk pranon të flasë, janë ato që kanë bërë që filmi, të mos kryhet ende.
Qendra Kinematografike e Kosovës deri tash ka ndarë për këtë film fiks 200 mijë euro. Kryeziu ka kërkuar sërish ndihmë nga mekanizmi i shtetit për subvencionimin e filmit. Por krerë të këtij institucioni thonë se regjisori duhet ta gjejë çarenë vetë. Për ta, çështja e “Heroit” është punë e kryer.
“Nuk po mund të marr filmin pa i bërë pagesat. Filmi është në laborator në Bullgari dhe ata nuk e japin pa i kryer të gjitha faturat. Nuk po mund ta tërheqim filmin”, ka thënë Kryeziu. Ai kishte premtuar se filmi do të jepet premierë për publikun në mars. Tash i ka mbetur vetëm të shpresojë se filmi do të jepet për publikun në ditët e fundit të këtij muaji, ose në ato të fillimit të prillit.
Por 14 mijë eurot nuk di ku t’i gjejë. Ato i ka kërkuar në QKK.
“Nuk më është kthyer përgjigje as pozitive, as negative. Po presim”, ka thënë Kryeziu. Me aq mjete ai thotë se do të kryente ato detaje, pa të cilët do të dëmtohej vlera e filmit.
“Por nuk është mirë me i përmend detajet. Janë detaje të cilat nëse nuk i bëjmë, atëherë filmit shkon duke i rënë vlera”, ka thënë ai.
Por Arben Zharku, kryetar i Këshillit Drejtues të QKK-së, nuk beson se ky institucion mund ta rikthejë çështjen e “Heroit”.
“Për ne është kryer. Komisioni financiar ka bërë vizionimin dhe është kryer ajo punë”, ka thënë Zharku. “Duhet me ia gjetë çarenë vetë. Si të dojë le t’ia bëjë”, ka shtuar ai.
Zharku tregon se në mandatin e tij si drejtues i Këshillit të QKK-së, Kryeziut për ta përfunduar filmin i janë ndarë edhe 10 mijë euro – që e çon në 200 mijë, bashkë me 190 mijë që për këtë film ishin ndarë në kohën sa ministër kulture ishte Valton Beqiri.
“Me sa di ka bërë edhe një kërkesë të dytë, por nuk kemi pasur mundësi ta miratojmë”, ka thënë Zharku.
Sipas tij, secili producent kur e nënshkruan kontratën dhe merr fondet e para, merr përsipër që mjetet tjera t’i gjejë vetë. “Parimisht, QKK-ja nuk ka përgjegjësi që nëse nuk mund t’i gjejnë mjetet t’u japë para shtesë. Është çështja e tij që të gjejë pjesën tjetër”, ka thënë Zharku.
Kryeziu thotë se i ka paraparë këto shpenzime, por ka bindjen se i është bërë e padrejtë me vlerësimin e filmit të tij, nga ana e QKK-së.
“Ata e kanë vlerësuar filmin me 380 mijë euro. Njerëz profesionistë të filmit në Paris, që punojnë gjatë me film, vlerën minimale të filmit për kushte të Kosovës e kanë vlerësuar me 460 mijë euro”, ka thënë Kryeziu, teksa ka treguar se ka bërë kërkesë në QKK.
“Kam bërë 4-5 herë kërkesë për rishikim të buxhetit dhe vlerës reale së filmit. Nuk ka logjikë. Luajnë 82 aktorë që janë paguar. 460 mijë euro janë pagesa të obliguara të cilave nuk mund t’u ikësh”, ka thënë Kryeziu.
Por Zharku thotë se jo domosdoshmërisht QKK-ja mbërrin shifrën prej 51 për qind të subvencionimit.
“Mundet edhe më pak”, thotë ai.
Një version të filmit Komisioni i vizionimit në QKK e ka parë. Ky institucion kishte “kërcënuar” se do të merren masa ndaj regjisorit, nëse nuk respekton afatet ligjore për përfundimin e filmit. Kryeziu kishte kërkuar dy herë shtyrjen e afatit. Institucioni më i lartë i filmit në vend i kishte caktuar Kryeziut 15 dhjetorin si datën e fundit për ta dorëzuar filmin.
“Komisioni i vizionimit e ka parë dhe e ka miratuar filmin në aspektet teknike. Çështja e përmbajtjes së filmit është subjektive dhe natyrisht komisioni nuk lëshohet në aso vlerësimesh”, ka thënë Kryeziu.
Por versioni që ka parë Komisioni i QKK-së del të mos jetë ai përfundimtari.
“Nuk më kanë konfirmuar se a e kanë parë. Por nëse e kanë parë, ka qenë versioni digjital dhe pa përkthim. Natyrisht nuk kanë parë kualitet të mirë, sepse ai do të dalë nga laboratori, pasi që të kryhen pagesat”, ka thënë Kryeziu.
Tash Kryeziu thotë se do të ishte mrekulli që filmi të shfaqet premierë në fund të marsit apo në prill.
“Është i mjerueshëm fakti që një film i kalibrit të tillë mund të shtyhet për të parë dritën e vet, dhe të humbim të drejtën e konkurrencës në festivale për shkak të disa pagesave solide”, ka thënë Kryeziu. Teksa thotë se filmi megjithatë do të ketë rrugë në festivale, atë fillimisht do ta shohin tatimpaguesit kosovarë, në një premierë në Prishtinë.
Miradije Vllahiu, menaxhere në Kinemanë ABC të kryeqytetit, thotë të mos kenë marrë asnjë njoftim për filmin kosovar.
“Ky vit ka program shumë të ngjeshur me filmat, andaj kishte me qenë mirë që kërkesa të parashtrohet muaj përpara”, ka thënë Vllahiu.
Kryeziu ishte ankuar vazhdimisht se nuk po i dalin paratë për të kryer filmin. Kërkesa e parë kishte qenë 60 mijë euro. E në dhjetor të vitit të kaluar, ai kishte thënë se filmi e ka tejkaluar buxhetin e paraparë në kohën kur është llogaritur, dhe se i ka paguar nga buxheti vetjak 30 mijë euro që i duheshin për përpunimin e zërit.
Xhirimet për filmin “Heroi” kishin nisur në korrikun e vitit 2010. Rolin kryesor në këtë film e luan aktori me famë botërore, Arben Bajraktaraj. Ka qenë mjeshtri i fotografisë, amerikani me nam, Roger Simonz, ai që ka xhiruar për më shumë se 30 ditë çdo skenë të filmit. Krahas punës në montazh është zgjedhur kompozitori zviceran që jeton në ShBA, Billy Cohen, për të kompozuar muzikën e filmit. Për këtë ai është bazuar në motive të muzikës popullore shqiptare.
Filmi “Heroi” për rrëfim ka jetën e një ish-luftëtari të UÇK-së, i cili ballafaqohet me situata të ndryshme pas luftës. Njerëzit lindin të gjithë të barabartë dhe të njëjtë, por është shoqëria ajo që i formon karakteret. Shndërrimi i karakterit të mirë të tyre, në rrethanat që i obligojnë ata të bëjnë edhe punë të këqija, pra transformimi i tyre, është rrëfimi që shtrihet për gati 90 minuta në shirit filmik. Në filmin “Heroi”, përveç Bajraktarajt luajnë edhe aktorët: Çun Lajçi, Enver Petrovci, Luan Daka, Haqif Mulliqi e të tjerë.(koha)