UBT

Haziri: Koha që të përmbyllet tema e Asociacionit

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka vlerësuar se krijimi i një korridori territorial që kontrollohet me të drejta ekzekutive nga i ashtuquajturi Asociacion i Komunave prej veriut në Leposavic e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë, është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit.

Ja postimi i plotë i tij në Facebook:

Është koha që të përmbyllet tema e të ashtuquajturit Asociacion i Komunave me shumicë Serbe, të cilën serbët është hera e tretë që e qesin në tavolinën e bisedimeve që nga koha e UNMIK-ut dhe ish-kryeadministratorit Mihail Steiner, bisedimet e Vjenës dhe tash në Bruksel.

Uji Dea

Nëntë vite pas bisedimeve të vështira të Vjenës për status final, ku decentralizimi ishte njëra nga shtyllat kryesore të procesit, kërkesa themelore dhe kryesore e delegacionit serb ka qenë i ashtuquajturi Asociacioni i Komunave Serbe me të drejta ekzekutive, të cilin kemi arritur ta faktojmë që nuk mund të jetë i tolerueshëm brenda Kornizës Kushtetuese të Kosovës dhe territorit të Republikës së Kosovës për arsye se krijon probleme në vendosjen e pushtetit të tretë në Kosovë, që çon drejt një autonomie territoriale dhe politike për qytetarët që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, e që është definuar si pjesa veriore e Mitrovicës së Kosovës ku hyjnë edhe disa Komuna të tjera.

Problemi i dytë është që ky korridor lidhet me korridore të komunave që janë me shumicë serbe, e që depërton përmes brendësisë së Kosovës në Juglindje të Kosovës dhe lidhet territorialisht me Serbinë.

Krijimi i një korridori territorial që kontrollohet me të drejta ekzekutive nga i ashtuquajturi Asociacion i Komunave prej veriut në Leposavic e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë, është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit. Edhe sot arsyet janë të njëjta, faktet janë të njëjta dhe besojmë shumë që nuk do të ndryshohet ky qëndrim i Republikës së Kosovës! LH (sic) /Telegrafi/