Haxhiu “flakë për flakë” me ndërkombëtarët: Kush nga ju do të lejonte gjyqtarë e prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër?
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të votojnë kundër kthimit të gjyqtarëve serbë që kishin paraqitur dorëheqjet e tyre më 2022.
Duke komentuar deklaratat e Bashkimit Europian që të mos i bëhet presion KGJK’së për këtë çështje, Haxhiu i çoi një mesazh.
“Kush nga partnerë tanë, që sot bëjnë presione mbi këshillat, kush nga ta do lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Kush nga partnerët ndërkombëtarë, që ne na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë, do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorë që janë anëtarë të këshillave të vendoste diçka që është në kundërshtim me legjislacionin?”.
E pyetur se derisa kërkon nga KGJK të mos “bie pre” e presionit të ndërkombëtarëve, ajo vetë po iu bën presion, Haxhiu tha se thirrjet e saj s’përbëjnë presion, por se shqetësim e ka atë të partnerëve.
“Ajo çka më shqetëson është presioni që mund t’i vije nga partnerët tonë ndërkombëtarë. Unë kam pasë takime me ta dhe ua kam thënë hapur përgjegjësitë e mia kushtetuese – njësoj duhet ta bëjnë edhe anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe ata të Këshillit Gjyqësor. Vetëm të bazohen në ligj. Situata këtu është e pastër, e qartë. S’ka mundësi interpretimi”./Express/

