Uji Dea

Hasani: BQK s’ka autorizim as ligjor e as kushtetues për të caktuar valutën, Rregulloren s’e trajton Kushtetuesja

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Avokati serb nga Kosova, Vasilije Arsiq, bashkë me disa kolegë të tij e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese të Kosovës çështjen e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës që rregullon operacionet me para të gatshme dhe që njeh euron si valutën e vetme zyrtare në Kosovë, duke përjashtuar kështu dinarin nga përdorimi. Siç pretendon Arsiq, Rregullorja e BQK-së është në kundërshtim me Kushtetutën, meqë BQK s’ka të drejtë të marrë vendime të tilla, meqë sipas Kushtetutës së Kosovës çështja e valutave rregullohet me ligj dhe jo me rregullore. Avokati serb thotë se Kosova s’ka ende ligj që rregullon se cila valutë është e vlefshme dhe sipas tij vlen rregullorja e UNMIK që e njeh dinarin si valutë legale.

Besnik Velija

Lidhur me këtë çështje në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese dhe një nga njohësit më të mirë të Kushtetuës së vendit, Enver Hasani.

Hasani thotë se avokati serb ka të drejtë kur thotë se çështja e përcaktimit të valutës s’mund të bëhet me Rregullore, megjithatë thotë se Gjykata Kushtetuese s’është vendi i duhur për t’u ankuar. Hasani thotë se askush nuk mund të sfidoj në Kushtetuese Rregulloren e BQK-së meqë s’kanë autorizim kushtetues. Ish-kreu i Kushtetueses sqaron se Rregullorja e BQK-së nuk është rregullore e qeverisë e as akt juridik i saj dhe si e tillë mund të sfidohet vetëm sa i përket ligjshmërisë sipas ligjit në fuqi për konfliktet administrative. Hasani thotë se për këtë çështje vendosin gjykatat e rregullta.

Profesori Hasani gjithashtu hedh poshtë dhe pretendimet e avokatit serb për vlefshmërinë e rregulloreve të UNMIK-ut, duke sqaruar se në vitin 2012 ka përfunduar pavarësia e mbikëqyrur dhe se që nga ajo kohë, Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë juridik në vend.

Në fund, Hasani teksa flet për fuqinë juridike të Rregullores së BQK-së, thotë se vetëm me ligj mund të rregullohet çështja e valutave dhe se askund në botë nuk përcaktohet një gjë e tillë me akte nënligjore. Shkurt, Hasani thotë se BQK s’ka autorizim as ligjor e as kushtetues për të specifikuar valutën nacionale si mjet pagese, të vetme apo krahas të tjerave.

GAZETA EXPRESS: A e ka të rregulluar Kosova çështjen e valutave sipas ligjit dhe Kushtetutës, dhe në aspektin juridik a ka probleme Rregullorja e re e BQK-së?

HASANI: Futja euros si mjet pagese në Kosovë është bërë me një vendim të UNMIK-ut. Sikundër dihet, pa shpalljes së pavarësisë, Kosova me Planin Ahtisari dhe me Kushtetutën në fuqi ka marrë përsipër njëanshëm zbatimin e strukturave legale të UNMIK-ut, përfshirë dhe këtë lidhur me caktimin e euros si mjet pagese. Në kuptimin e ngushtë dhe krejt juridik, nuk është kontestuese që euro është mjet pagese. Në atë vendim të UNMIK, megjithatë, nuk është thënë se euro është i vetmi mjet pagese, sepse edhe dinari serb është cilësuar si i tillë. Kjo ka rezultuar në tolerimin për një kohë të gjatë edhe të dinarit serb si mjet pagese. Këtu, pra, nuk bëhet fjalë për një garanci kushtetuese: euro nuk e ka një status të tillë. Në nenin 11.1 të Kushtetutës specifikohet se në Kosovë përdoret një valutë e vetme, pra nuk përcaktohet euro si e tillë.

Uji Dea

GAZETA EXPRESS : Cila është analiza juaj sa i përket pretendimeve të avokatit serb, qe thotë se çështja e valutës s’mund të rregullohet me Rregullore por vetëm me ligj dhe se Kosova s’ka një ligj të tillë?

HASANI : Avokati serb ka të drejtë për faktin normë zbatuese e nenit 11.1 të Kushtetutës së Kosovës nuk mund të jetë asnjëherë akti nënligjor, siç është Rregullorja e BQK.

GAZETA EXPRESS : A ka gjasa që Gjykata Kushtetuese ta shpall një Rregullore të tillë të BQK-së si kundërkushtetuese, a mund të jetë lëndë e trajtueshme nga Kushtetuesja?

HASANI : Jo, avokati serb nuk mund të jetë palë në procedurë pranë Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. I mungon legjitimiteti aktiv, pra nuk hyn në asnjërën prej kategorive të palës së autorizuar në kuptim të nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës. Askush nuk mund të sfidoj në Gjykatë Kushtetuese këtë rregullore sepse nuk kanë autorizim kushtetuese nga neni 113 i Kushtetutës. Akti juridik në fjalë, pra Rregullorja e BQK, nuk është rregullore e qeverisë e as akt i saj juridik. Aktet e institucioneve dhe agjencive të pavarura mund të sfidohen vetëm sa i përket ligjshmërisë së tyre sipas ligjit në fuqi për konfliktet administrative. Për këto raste vendosin gjykatat e rregullta, përkatësisht departamenti për çështje administrative pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

GAZETA EXPRESS: Meqë Kosova sipas avokatit serb s’ka ligj për valutën, a mund të merret si bazë ligjore rregullorja e UNMIK-ut për këtë çështje, pra që Kushtetuesja të vendos mbi bazën e kësaj rregullore të UNMIK-ut, meqë Kosova s’ka ligj?

HASANI : Jo. Ka kaluar koha kur kanë vlejtur rregullat e UNMIK dhe të Planit Ahtisari. Kosova ka pasur një afat për harmonizim të rendit juridik – kushtetues pas pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe ajo periudhë është mbyllur. Për qëllime të operimit të drejtpërdrejtë në rendin juridik të Kosovës, asnjëherë nuk mund të vlejnë rregullat e UNMIK-ut ose të Planit Ahtisari. Në shtator 2012 është mbyllur pavarësia e mbikëqyrur dhe dispozitat e tilla janë hequr nga Kushtetua e Kosovës, e cila sot është akti juridik më i lartë në vend.

GAZETA EXPRESS : Cila është fuqia juridike dhe ligjore e Rregullores së BQK-së, pra a ka nevojë që diçka e tillë si puna e valutës të përcaktohet me Ligj?

HASANI : Po, vetëm më ligj mund të zbërthehet norma nga neni 11.1 i Kushtetutës së Kosovës. Asnjëherë dhe askund në asnjë vend nuk lejohet që me akt nënligjore të përcaktohet valuta nacionale. Këtë e bën kushtetuta ose ligji sipas autorizimit shprehimor kushtetues. Në rastin tonë do të duhej me ligj të përcaktohej një gjë e tillë, duke zbërthyer autorizimin nga neni 11.1 i Kushtetutës. Ligji aktual në fuqi për BQK , për fakt të keq, nuk ka bërë një gjë të tillë, gjë që shuhet nga redaktimet e neneve e tij 16 dhe 17. Për më tepër, neni 16.1 përcakton që “Valuta e Kosovës do të përcaktohet me ligj në përputhje me nenin 11 të Kushtetutës”. Ky formulim i këtij ligji është i çuditshëm sepse flet sikur të ishte goja e kushtetutëdhënësit kosovar. Nuk ka nevojë që Ligji për BQK të tregoj se valuta caktohet me ligj, sepse këtë e thotë neni 11.1 i Kushtetutës. Sidoqoftë, shkurt, BQK nuk ka autorizim as ligjor e as kushtetues për të specifikuar valutën nacionale si mjet pagese ( i vetëm ose krahas të tjerave).