UBT

Hasan Prishtina , simbol i arsimit kombëtar

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Naim Musliu – “Sa të rrojë do të përpiqem për dituritë edhe për atdheun, për mbrothësinë e vendit tonë”. (Hasan Prishtina, Klubi “Dituria” Selanik, 1910).

Situata e përgjithshme nëpër të cilën kaloi Perandoria Osmane gjatë kohës së sundimit të sulltan Abdyl Hamitit II, nuk ndryshoi as me ardhjen në pushtet të Turqve të Rinj më 1908. Pasojat ishin ndjerë edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shqiptarëve, përfshirë fushën e arsimit në gjuhën amtare, që konsiderohej ndër faktorët kryesor në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Ishte absurd fakti se regjimi hamitjan e xhonturk lejonte të hapeshin shkolla private në Shqipëri, të cilat ishin kryesisht në gjuhë të huaja, varësisht nga vendi që financoheshin.

Megjithëse situata politike ishte e nderë dhe ishte dalë në shesh politika demagogjike e regjimit xhonturk, çarqet atdhetare shqiptare filluan realizimin e platformës kombëtare. Si hap i parë i Lëvizjes Kombëtare ishte hapja e klubeve dhe shkollave në gjuhën shqipe.

Në zhvillimin e arsimit kombëtar, kontribut të madh kishte dhënë atdhetari Hasan Prishtina (1873-1933) si para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Përpjekjet e tij për përhapjen e mësimit shqip gjatë viteve 1908-1912, sa ishte deputet në parlamentin osman, nuk u ndalën edhe karshi sunduesve serbë, austro-hungarezë, bullgarë. Për përmbushjen e kësaj detyre kombëtare, ai kërkonte të botoheshin libra në gjuhën shqipe, përdorimin e alfabetit latin dhe hapjen e shkollave fillore, të mesme e të larta në gjuhën amtare.

Pas rishpalljes së Kushtetutës në korrik të vitit 1908, klubet kombëtare të formuara nga atdhetarë shqiptarë ishin organizuar me qëllim që të realizonin të drejtat kombëtare si në aspektin politiko-ushtarak por edhe atë kulturo-arsimor. Ndër klubet e para që u formuan për këtë qëllim ishte Klubi “Bashkimi” i Manastirit (31 korrik 1908), kurse me kërkesën e Hasan Prishtinës dhe atdhetarëve tjerë në muajin gusht ishte hapur edhe Klubi Shqiptar i Shkupit, i cili merrej përveç çështjeve politike edhe me hapjen e shkollave shqipe në Vilajetin e Kosovës.

Synimi i këtyre përpjekjeve kishte të bënte me hapjen e shkollave shqipe të pavarura nga çdo ndikim fetar. Përpos që pati takime me drejtues të tjerë të Lëvizjes Kombëtare, në vjeshtë të vitit 1908, Hasan Prishtina u takua me krerët e Lëvizjes Kombëtare të kazasë së Gjilanit me ç’rast u mor vendim që në kazanë e Gjilanit të hapen tri shkolla në gjuhën shqipe: njëra prej tyre të hapej në Pozheran, kurse dy të tjera në Gjilan.

Në Programin e Lëvizjes Kombëtare parashihej edhe zgjidhja e problemit të shkollës shqipe. Klubet kombëtare panë të udhës pas Kongresit të Manastirit thirrjen e një Kongresi tjetër që u mbajt në Elbasan më 2-8 shtator 1909, i cili mori vendim që të hapet Shkolla Normale (pedagogjike). Ajo u hap më 1 dhjetor 1909, në Elbasan nën drejtimin e Luigj Gurakuqit. Kjo shkollë në fillim kishte 160 nxënës, prej tyre 50 ishin nga Vilajeti i Kosovës, të cilët kishin ardhur përmes klubeve shqiptare dhe nën përkujdesjen e Hasan Prishtinës dhe atdhetarëve tjerë të këtyre viseve. Ai i kishte dërguar 21 të rinj në Normale dhe ishte zotuar se do t’i dërgonte edhe shumë të tjerë me shpenzime të veta. Në mesin e këtyre nxënësve që i financoi ishin edhe 5 gjilanas. Sipas gazetës “Liria” të Selanikut, ata ishin: Shyqyri Malushi, Qamil Zeneli, Nevzad Sherifi, Sait Ademi dhe Beqir Sadiku.

Në konferencën e mbajtur nga klubi “Dituria” e Selanikut, ai thoshte se edhe pse kundërshtimet për shkronjat e shenjta janë të rrepta, dituria dhe e drejta do ta mundin poshtërimin dhe paditurinë. Ai deklaronte se sa të jetë gjallë do të përpiqet për diturinë, për atdheun dhe për përparimin e vendit. Kurse në një mbledhje të mbajtur në Klubin Qendror në Stamboll prej shumë çështjeve që u diskutuan, Hasan Prishtina paraqiti edhe çështjen e shkollës shqipe. Ai ftonte gjithë shqiptarët që me të ardhurat e tyre të ndihmojnë në përhapjen diturisë në Shqipëri, meqenëse qeveria osmane nuk ishte në gjendje të përgjigjet për këto nevoja dhe për këtë qëllim u zotua të jepte 5% të të ardhurave të tij vjetore për shkollën shqipe.

Nga mesi i shkurtit të vitit 1910, në Normale të Elbasanit dërgoi 16 nxënës nga Vilajeti i Kosovës. Më vonë në Elbasan shkoi nj grup prej 19 nxënësish nga Gjakova, Prishtina, Vuçitërna, Mitrovica, Peja, Struga etj. Me këtë rast, gazeta “Bashkimi i Kombit” në Manastir, më 25 shkurt 1910 citonte fjalët e drejtorit të shkollës Luigj Gurakuqi, i cili ndër tjerash thoshte: “…Rroftë atdhetari i shkëlqyer Hasan Prishtina! Rroftë përjetë ky atdhetar i lartë, ky engjëll i Shqipnis së mjerë”. Kurse, gazeta “Dielli”, më 11 mars 1910 shkruante se me iniciativën e Hasan Prishtinës e Nexhip Dragës në Elbasan u dërguan edhe 15 djem nga Shkupi. Më pas, në një telegram tjetër të botuar në këtë gazetë të datës 17 mars 1910, Hasan Prishtina theksonte se para pak dite dërguam në Elbasan 10 çuna kurse, këto ditë do i dërgojmë edhe 11 të tjerë. Po ashtu, në maj të vitit 1910, nga Shkupi, Gjakova, Peja, Vuçitërna e Gjilani, në Elbasan arritën edhe 38 nxënës të cilët do të bëheshin mësues të ardhshëm të shkollave shqipe në Vilajetin e Kosovës. Hasan Prishtina ishte angazhuar edhe për cilësinë e mësimdhënies. Për këtë qëllim në njërën nga seancat e parlamentit osman më 11 qershor 1910, polemizoi me Ministrin e Arsimit të Perandorisë Osmane, i cili i thoshte se në 200 shkolla që do të hapen sipas Ministrit në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit të dërgoheshin njerëz të zot për mësues.

UBT

Ai vazhdoi edhe më tej përpjekjet për zhvillimin e arsimit shqip. Kështu, në seancën parlamentare të 2 majit 1911, Hasan Prishtina kërkoi që në Vilajetin e Kosovës të hapej një shkollë e mesme Bujqësore, sepse aty ishin kushtet e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë sidomos të industrisë së duhanit e pambukut.
Hasan Prishtina reagoi ashpër kundër mbylljes së Normales së Elbasanit nga autoritetet osmane.

Edhe në flakën e kryengritjes së vitit 1912 e mbrojti shkollën shqipe nëpërmjet 14 kërkesave që ndryshe njihen edhe si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, brenda të cilave i kushtoi rëndësi të madhe çështjes së arsimit dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, duke e ndarë arsimin laik nga ai fetar (pika 5, 6, 7 dhe 8) të dalë nga Kuvendi i Ferizaj (gusht 1912).

Në artikullin me titull “Shqipëria e Re” të botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë” në Sofje, më 22 tetor të vitit 1912, vlerësohej lart veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës në luftën e vazhdueshme për liri dhe të drejta kombëtare të shqiptarëve duke i dhënë atij epitetin e “një nga më të mëdhenj atdhetar…”.

Edhe pas largimit të sundimit osman nga Shqipëria, Hasan Prishtina nuk u ndal asnjëherë në përhapjen e mësimit shqip në tokat shqiptare. Në vitin 1915, me iniciativën e tij hapet një shkollë në gjuhën shqipe në Vuçitërnë. Pastaj, gjatë Luftës së Parë Botërore, në pjesën e territorit që ishte nën ndikim të Austro-Hungarisë, hapja e shkollës në gjuhën shqipe nuk pengohej. Në këtë kohë në Gjakovë hapet Kursi Pedagogjik për rikualifikimin e mësuesve të shkollës osmane që të jepnin mësim në shkollën shqipe. Vetëm në vitin e parë u rikualifikaun rreth 40 mësues për shkollën shqipe. Njëkohësisht filloi mbajtja e kurseve të natës për zhdukjen e analfabetizmit. Hasan Prishtina kishte pranuar se nën sundimin e Vjenës shqiptarët patën përparime në shumë fusha, por edhe në atë arsimore, ku gjatë viteve 1916-1918 u hapën qindra shkolla në viset shqiptare.

Ai punoi për hapjen e shkollës shqipe edhe në zonën e pushtimit bullgar. Në fund të vitit 1917, kishte aktivizuar Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për mbrojtje nga pushtuesi bullgar dhe hapjen e mësimit shqip në ato vise.Hasan Prishtina mbante kontakte me atdhetarët shqiptarë anekënd botës dhe ju ndihmonte studentëve shqiptarë. Kështu në një letërkëmbim me Sotir Kolenë që jetonte në Zvicër, i shkruante për ndihmën që u kishte dhënë disa studentëve shqiptarë që i kishte takuar në Vjenë, të cilët kishin mbetur pa të holla, me ç’rast ua kishte hequr atyre të gjitha shpenzimet e studimeve.

Angazhimi i Hasan Prishtinës për hapjen e shkollave shqipe vazhdoi edhe më tej. Kështu, më 1 qershor 1921 nga Ministri i Arsimit të Shqipërisë, kërkoi që të hapen shkolla shqipe në tërë vendin e sidomos në Malësi ngase andej nuk kishte asnjë shkollë. Ai kërkonte nga qeveria shqiptare që sa më parë të hapet së paku një shkollë në Lurë, në të cilën do të mësojnë së paku 100 djem shqiptarë.

Edhe gjatë sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, Hasan Prishtina kishte reaguar për ndalimin e shkollës shqipe nga pushtuesit sllavë. Kështu, më 15 mars 1927, i kishte dërguar Lidhjes së Kombeve një promemorie të hollësishëm mbi gjendjen në Kosovë duke përfshirë edhe arsimin. Hasan Prishtina në këtë dokument trajtoi gjerë arsimin e shqiptarëve nën sundimin Mbretërisë së SKS, ku ndër të tjera theksoi: “Prova më e qartë për keqtrajtimin e pakicave shqiptare në Mbretërinë e SKS-së, është fakti se në atë një milion shqiptarë janë të gjithë pa shkolla shqipe. Më shumë se çfarëdo tjetër kjo ankesë tregon se qeveria e mbretërisë së SKS-së ka për qëllim të shkatërrojë popullin shqiptar në kufijtë e shtetit të vet”.

Krejt në fund, kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe me program kombëtar, reflektoi në rezultate të dëshmuara e të suksesshme, të cilat ndihmuan në ngritjen e vetëdijes dhe atdhedashurisë së shqiptarëve.