Hidromorava

Haradinaj i kujton Thaçit përkrahjen në Parlament

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Integrimi i serbëve të komunave veriore duhet të kalojë përmes ofrimit të vetëqeverisjes lokale sipas Planit të presidentit Ahtisaari, thotë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, përkitazi me takimet në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë Ivica Dacic, thotë se “është me interes që temat të përshpejtohen dhe të zgjidhen”

Para takimit të Brukselit ishte thënë se do të kërkohet një zgjidhje për shuarjen e strukturave të sigurisë që Serbia ka ngritur në pjesën veriore. Haradinaj thotë për Radio Evropa e Lirë se veprimtaria e të ashtuquajturave struktura të sigurisë në veri është joligjore dhe nuk ka bazë ligjore.

“Serbia obligohet në bazë të parimeve dhe obligimeve të veta për avancim në procesin integrues të BE-së që të respektojë ligjet edhe parimet ligjore. Atë që po bën Kosova është se duke pasur parasysh ndjeshmërinë e zhvillimeve dhe temave, për të cilat po flasim, po reflekton një kujdes të madh që të vijmë deri te zgjidhjet e duhura në mënyrë që qytetarët e veriut të integrohen në juridiksionin, rendin dhe ligjin dhe në të gjitha ato që i parasheh Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit e integruar në Kushtetutën e Kosovës, e që është një vetëqeverisje komunale”, shprehet kreu i AAK-së, duke shtuar se zbatimi i zgjidhjeve të parapara në Pakon e Ahtisaarit është zgjidhja e duhur.

Uji Dea

Kur është te vullneti që të përfshihet në marrjen, siç ka thënë ai, të përgjegjësive qeverisëse, pra te koalicioni i mundshëm PDK-AAK, Haradinaj thotë se punon çdo ditë “për mundësinë që t’i japim Kosovës një qeverisje efektive”.

“Këtë mundësi ia kam ofruar edhe kryeministrit aktual, Thaçi, dhe PDK-së, si mundësi që ata t’ia japin dikujt përgjegjësitë, në mënyrë që të nxirret vendi nga gjendja e tashme. Në fillim ka pasur një entuziazëm në këtë mënyrë të punës, por më vonë ndryshuan qëndrimet. Më vjen keq pse ka ndodhur kështu, sepse do të ishte një mundësi e mirë që t’i jepnim një dinamikë të re qeverisëse dhe politikë të re vendit në zhvillimet e brendshme, e cila nuk do të ndikonte në obligimet ndërkombëtare të Kosovës, as në dialogun me Serbinë, e as në obligimet tjera që i ka Kosova, si agjenda për BE-në, pastaj në reformat e brendshme e të tjera. Por, përkundrazi do të ishte një përpjekje në këto procese”.

Haradinaj thotë se Kosova duhet t’i mbajë zgjedhjet komunale në kohën e paraparë dhe të mos e ndryshohet agjendën zgjedhore.
“Po ashtu, spektri politik duhet të arrijë një dakordim për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Ne nuk po kërkojmë zgjedhje për Aleancën, por për Kosovën, për gjithë spektrin politik. Mendoj se Qeveria Thaçi duhet të bëjë vetë një analizë se a është në rregull të vazhdohet me qeverisje në trendët e tashëm dhe me besimin çfarë ka në Parlamentin e Kosovës dhe me peshën e temave. Por, mendoj se vendimi ose iniciativa i takon PDK-së, pasi që mbajnë përgjegjësitë e para që të vlerësojnë dhe të ftojnë në një analizë të përbashkët spektrin politik. Sa na përket neve, si Aleancë, ne mendojmë se sa më shpejt që mbahen zgjedhjet parlamentare, të rregullta dhe dakorduara politikisht, do të jetë më mirë për Kosovën”. /Indeksonline/