RCCOLA

Hapet shikimi publik për rindërtimin kadastral në Lladovë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Lladova është njëri nga tri fshatrat e komunës së Gjilanit, bashkë me Zhegrën dhe Malishevën, që është përzgjedhur në projektin e Bankës Botërore për rindërtimin kadastral, në kuadër të një projekti që udhëhiqet nga Agjencioni Kadastral i Kosovës dhe realizohet në terren nga kompania “Lorenci” e Shqipërisë.

Të martën në këtë fshat është hapur shikimi publik, ku është prezantuar pjesa grafike dhe tekstuale e gjendjes para dhe pas regjistrimit të pronave në terren, por ka munguar interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këtë proces shumë të rëndësishëm për ta.

Gani Neziri, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ka thënë se rindërtimi kadastral është një punë e madhe dhe e mirë që bëhet për qytetarët e këtyre tri zonave. Duke mos përjashtuar mundësinë që gjatë punës të ketë edhe gabime, ai i ka inkurajuar qytetarët që vërejtjet eventuale t`i paraqesin në kohën e duhur, që fillon sot dhe zgjat dy muaj.

Neziri i ka siguruar qytetarët e Lladovës, por edhe ata të Zhegrës, të cilët kanë shprehur shqetësime sa i përket pronës publike, nga frika se ajo mund të tjetërsohet gjatë këtij procesi të rindërtimit kadastral, se kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë.

Hidromorava

Ilir Krasniqi, zv/kryetar i komisionit për rindërtim kadastral, ka thënë se qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi që iu ofrohet për të definuar të drejtën pronësore, kurse Hasim Pacolli, anëtar i komisionit për çështje teknike, tha se vërejtjet e qytetarëve do t`i shqyrtohen nga komisioni përkatës dhe ato do të korrigjohen, në rastet kur janë të argumentuara.

Me sqarime plotësuese kontribuuan edhe Bedrush Latifi nga MMPH, Bashkim Shaqiri, anëtar i komisionit, Avni Ahmeti, zyrtar i AAK-së dhe të tjerë.
Lorenc Zani, kryeshef i kompanisë gjeodete “Lorenci”, ka thënë se projekti për rindërtimin kadastral ka filluar në qershor 2012 dhe muaj pas muaji janë bërë matjet në këtë zonë. Kemi incizuar secilin prej pretendimeve të qytetarëve mbi të drejtën e pronësisë në këtë zonë dhe gjendjen e përgjithshme e kemi paraqitur në një hartë grafike, e cila do të bëhet përfundimtare pasi të përfundojë shikimi publik.

Duke kërkuar nga qytetarët që të ndjekin me vëmendje periudhën e shikimit publik, Zani ka premtuar se procesi do të jetë transparent. Korrigjimet do të bëhen në bazë të ankesave të qytetarëve, të cilat do të shqyrtohen dhe analizohen rast pas rasti nga komisioni përkatës. “Pas dy muajve, gjendja e regjistruar në terren, i dorëzohet Drejtorisë së Kadastrës në Gjilan”, ka thënë Zani.

Habib Mahmuti dhe Xhabir Ymeri, dy nga qytetarët, të cilët kanë marrë pjesë në shikim publik, kanë paraqitur vërejtjet e tyre konkrete për pronat e tyre familjare./rajonipress/