Hapet ekspozita e titulluar “Shtëpitë e vjetra arbneshe”

Kamenicë – Ka filluar manifestimi kulturor tradicional ”Lulëkuqet e Prillit ,” me hapjen foto ekspozitës “shtëpitë e vjetra arbneshe “, dhe të dy filmave dokumentarë ”Përshëndetje nga Arbanasi” dhe”Nëpërmjet Arbanasit” të autorit arbnesh nga Zara Bernard Kotlar.
Në emër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport”, manifestimin e hapi koordinatori për kulturë i kësaj drejtorie Nazim Maliqi.
Ai foli për rëndësinë e manifestimit, që i kshtohet një beteje të lavdishme kundër ushtrisë dhe paramilitarëve të Milosheviqit, si edhe i foli ca fjalë për foto ekspozitën. “Për këtë foto ekspozitë duhet falënderuar Sylejman Morinës, i cili merret një kohë të gjatë me arbneshët e Zarës, dhe publikon në shtypin e përditshëm dhe revista që botohen në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi dhe diasporë. Falë miqësisë që e ka me autorin u realizua ky projekt kulturor. Me ketë foto ekspozitë për një moment u afruam me njerëzit e
gjakut tonë”.
Sylejman Morina, foli për terë veprimtarinë e krijimtarinë e Bernard Kotllarit, e në veçanti për ekspozitën, duke i cituar, si shkrimtarin dhe publicistin e njohur zaras , Abdullah Seferoviqin , Drago Mariqin, Mr.Ivica Mateshiqin që kanë çmuar lartë vlerat artistike të kësaj foto ekspozite.
Piktori akademik mr. Ahmet Ibrahimi, tha se trashëgimia kulturore e arbreshëve të Zarës është një margaritar në kulturën dalmatine. Kjo trashëgimi shpirtërore dhe materiale në mënyrë specifike shprehet edhe në arkitekturën e ndërtimit të objekteve të banimit te arbreshët e Zarës. Kultura materiale në përgjithësi e bartë frymën arkitekturës së trojeve shqiptare . Në shikim të parë të duket që je në ambient të Shkodrës apo Ana Malit. Elementet arkitektonike, si muret e oborreve, dyert e oborreve, fasadat e shtëpive me gur, shkallët, janë identike me ato tradicionale të hapësirave shqiptare .Kjo frymë e materializuar në Arbnesh(Arbanas), dëshmon kontinuitetin dhe kujtesën historike të trashëguar me besnikëri nga arbreshët. Edhe pse kemi elemente të stilit dalmatin të ndërtimit.Në përgjithësi, kjo kulturë materiale ka ruajtur origjinalitetin dhe stilin e veçantë të ndërtimit në eksterier.
Një theks të veçantë do kisha përmend artin fotografik të z. Bernard i cili me një kolor të veçantë shpreh origjinalitetin dhe ekspresivitetin e motivit, përmes ngjyrave që i japin një natyrë të veçantë dhe përrallore, që lidhen ngushtë me shpirtin dhe vokacionin autorit. Uroj për ketë dhe falënderoi që shfaqje të tilla të kemi edhe herëve tjera, sepse ato i lidhin njerëzit me kulturën dhe trashëgimin materiale.
Isa Morina i cili jeton në Zvicër, e që këtyre ditëve po qëndron në vendlindje u shpreh se kjo foto ekspozitë na rikthen prapa 2-3 shekuj te vëllezërit tanë arbnesh. “Patëm rastin të shohim vëllezërit arbnesh që kishin marr me vete kulturën e ndërtimit të shtëpive nga Shestani e Brisku etj. Ato shtëpi i kishin ndërtuar në brigjet e arta të Adriatikut, ku dikur jetonin fiset ilire. Përjetuam edhe kënaqësi me video filmat dokumentarë, kemi shpresë që ndonjë ditë do të takohemi drejtpërsëdrejti edhe me autorin Bernardin” tha Morina.
Ndryshe ekspozita do të jetë e hapur deri me dy maj 2013./rajonipress/