Hapësirat shqiptare: Qeverisje pa moral, politika të dështuara, liderë që nuk dorëhiqen

Nga Lisen Bashkurti – Bota shqiptare në hapësirat e saj në Ballkan po përballet me sfidat e tranzicionit të gjatë. Në Shqipëri drejt konsolidimit të demokracisë. Në Kosovë drejt shtet-formimit. Në Maqedoninë e Veriut drejt integrimit të gjithanshëm në shtetin ku jetojnë. Në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës drejt afirmimit të identitetit etno-kulturor dhe social-ekonomik. Në të gjithë rastet është politika shqiptare që ka ndikuar dhe po ndikon në ecurinë e këtyre proceseve.

Etërit e politikës dhe të shkencave politike, Aristoteli, Platoni, Sokrati, Laswell e të tjerë deri në kohët tona e definojnë politikën si “tërësi veprimtarish që lidhen me vendim-marrjen në grup, ose si forma të tjera të pushtetit ndërmjet individëve për ndarjen e burimeve dhe statuseve”; si “marrëveshje midis popullit, që të mund të jetojnë së bashku në grupe të caktuara, duke pasur një formë qeverisje”; ose “si diçka që lidhet me qytetin dhe qytetarët”; ose e definojnë politikën “si vendime qeverie me theks lidhjen midis qëllimeve politike dhe mënyrave politike të përdorura për realizimin e tyre”; ose e lidhin politikën me “idetë më të fuqishme të të drejtave e njeriut në kohën tonë”.

Rrjedhur nga këto përcaktime mbi politikën definohet edhe politikani, si një person aktiv në grupe, organizata apo parti politike që mban ose kërkon të mbajë një pozicion në qeveri. Qëllimet e politikanit lidhen me mbështetjen dhe krijimin e ligjeve ose politikave që qeverisin një territor dhe që shtrihen mbi popullin që ka lindur dhe zhvillon identitetin dhe statusin e tij etno-kulturor dhe social-ekonomik në atë territor dhe nën ato ligje dhe politika.

Pavarësisht hapësirave, statuseve dhe niveleve të zhvillimit e gjithë hapësira shqiptare në Ballkan po përballet me disa sfida të përbashkëta. Këto sfida kanë të bëjnë me nevojën e kapërcimit cilësor të politikës dhe politikanëve shqiptar, kapërcim i cili po vonohet dhe pengohet nga vetë politika dhe politikanët që po zënë myk ndër tempujt e pushtetit, të ndotur nga humbja e moralit, të ndryshkur nga pengimi i rotacioneve demokratike, të inkriminuar e korruptuar nga kultura e mosndëshkimit nga drejtësia. E megjithatë, tre institucioneve të pastrimit të politikës dhe politikanëve, moralit, rotacionit dhe drejtësisë nuk i shpëton dot as hapësira shqiptare në Ballkan.

Institucioni i moralit është nga më themelorët për politikën dhe politikanët. Morali si kategori universale ndan të mirën nga e keqja, të dobishmen nga e dëmshmja, të ndershmen nga e pandershmja, legjitimen nga jolegjitimja, të ligjshmen nga e kundraligjshmja, shoqëroren nga egoistja. Morali është tejet i lidhur me politikën dhe politikanët. Çdo moral ka politikën e vet, por asnjë politikë nuk mund të mbijetojë pa moral. Kur politika ose politikanët humbasin moralin atëherë politika dhe politikani kanë humbur të drejtën, të dobishme dhe legjitimitetin të ekzistojnë.

Morali është institucion më vete. Morali përgjithësisht dhe në politikë veçanërisht lidhet me marrëdhëniet njerëzore, me vlerat njerëzore, me dobishmërinë njerëzore, me drejtësinë njerëzore. Rënia e moralit do të thotë ndërprerja e lidhjes së politikës me njerëzit, do të thotë cenimi ose shkelja e vlerave njerëzore, do të thotë humbja e dobishmërisë shoqërore, do të thotë mungesa e drejtësisë shoqërore.

Institucioni i moralit në politikë është gjykim njerëzor, opinional, sa përceptimor aq dhe real i qytetarëve mbi politikën dhe politikanët. Përsa kohë institucioni i moralit buron nga vlerësimi, gjykimi, opinioni dhe perceptimi i shoqërisë për politikën dhe politikanët, ky institucioni është dhe duhet të jetë vetëreflektues, vetëreagues, vetëkorrigjues ose vetëdorëheqës.

Politika dhe politikanët aktual në botën shqiptare përgjithësisht nuk e njohin dhe as nuk e respektojnë institucionin e moralit. Është kjo arsyeja që politika dhe politikanët e botës shqiptare në Ballkan nuk vetëreflektojnë ndaj rënies së moralit, nuk vetëreagojnë ndaj vlerësimeve, gjykimeve dhe opinioneve të qytetarëve, nuk vetëkorrigjohen nga mendimi kritik politik, opinional, mediatik apo ndërkombëtar dhe thuajse nuk e njohin vetëdorëheqjen për shkaqe morale.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, politika dhe politikanët kanë rrëshqitur prej kohe nga tërësia e parimeve, standardeve dhe parimeve morale që rrjedhin nga kodi i politikë-bërjes, vendim-marrjes dhe implementimit që kanë baza në një filozofi të caktuar, në një besim fetar, në një kulturë ose në standarde universalisht të njohura dhe të respektuara rreth koncepteve të së “mirës’ dhe të së “drejtës”.

Qeveritë, politika dhe politikanët shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë mungesë të theksuar etike politike, e njohur si moralitet politik ose etikë publike. Qeverive, politikës shqiptare dhe politikanëve shqiptarë të këtyre vendeve u mungon dukshëm praktika e bërjes së gjykimit moral rreth mendimeve, qëndrimeve dhe veprimeve politike të aktorëve politik.

Qeverive dhe politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut u mungon dukshëm moraliteti në dy fusha: së pari, në etikën e proceseve ose të zyrës, që ka të bëjë me zyrtarët publik dhe, së dyti, me metodat që ato përdorin në punët publike. Politika është çështje etike. Qeveritarët, politikanët shqiptarë aktual në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, në masën më të madhe nuk e konsiderojnë si të tillë.

Në mënyrë të veçantë vitet e fundit në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut janë shtuar gjykimet kritike, opinionet qortuese dhe perceptimet negative për Qeveritë dhe liderët që drejtojnë agjencitë ekzekutive në këto vende. Qeveritë, qeveritarët dhe politikanët shqiptarë po akuzohen për veprimtari kriminale ose të lidhura me krimin, si vrasje, droga, trafiqe të paligjshme, vjedhje, dhunime e përdhunime, gënjeshtra e mashtrime, shkelje premtimesh dhe shantazhimesh mbi kundërshtarët politikë, biznese, administratë publike dhe media. Këto dukuri janë moralisht të ndaluara, janë moralisht të papranueshme, janë dukuri që nuk duhen bërë kurrsesi dhe aq më pak nuk duhen përsëritur pambarimisht.

Qeveria Rama në Tiranë dhe drejtuesit kryesorë të saj janë kampionë në rënien e moralitetit në zyrë, në mënyrën sesi po punojnë zyrtarët e tyre publikë dhe në metodat e drejtimit që po ndjekin në qeverisje. Ndërkohë qeveritë e viteve të fundit në Kosovë dhe liderët e tyre si Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe pasuesit e tyre po udhëheqin dukshëm pa moralitetin e duhur, duke u ndeshur në rritje me mendim kritik qytetar, me opinione përherë e më qortuese dhe me perceptime gjithnjë e me negative. Përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mënyrë të veçantë Ali Ahmeti e Menduh Thaçi po gjykohen gjithnjë e më shumë nga qytetarët humbje të moralitetit në politikë, po përballen me opinione gjithnjë e më kritike dhe po ballafaqohen me perceptime gjithnjë e më negative.

Disa prej këtyre liderëve si Rama, Thaçi apo Ahmeti kapen pas rezultateve të zgjedhjeve. Por, tanimë dihet e njihet ndërkombëtarisht se tranzicionet e tejzgjatura në Ballkanin Perëndimor po krijojnë demokraci hibride. Në demokracitë hibrite, zgjedhjet nuk janë gjithnjë indeksi më real i moralitetin në politikë. Madje, si në rastin e Shqipërisë, por aty këtu edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet janë indeksi më i dukshëm i mungesë së demokracisë.

Liderët e lartpërmendur shqiptarë si Rama, Thaçi, Mustafa, Ahmeti dhe shumë kolltukmbajtës së tyre drejtojnë prej dekadash partitë, prej shumë mandatesh qeverisin, kanë lënë një mal dështimesh, kanë krijuar shumë zhgënjime e dëshpërime në popull, në intelektual dhe rini. Me këtë krizë morale që kanë prodhuar këto liderë aktualë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë krijuar patalogjinë sociale të braktisjes së trojeve shqiptare.

Kurrë ma parë nuk ka pasur një patalogji sociale të braktisjes së trojeve shqiptare si në këto vitet e fundit. Patalogjia sociale e braktisjes së trojeve shqiptare është akuza më e rëndë morale mbi këta liderë politik. Por, megjithatë, asnjë nga liderët e lartpërmendur nuk e ka parë të arsyeshme të vetëkorrigjohet dhe aq më pak të vetëdorëhiqet nga politika.
Të gjithë liderët a lartpërmendur kanë zënë myk ndër zyra. Ata janë të gatshëm të qeverisin këto troje edhe pa popull. Ata po injorojnë përballjen me një krizë të thellë morale. Ata po e hanë turpin me bukë. Kjo krizë e krijuar prej tyre sa më shumë të zgjasë aq më shumë do jetë varrmihëse për vetë ato si dhe do shtojë agoninë e hapësirave shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetkë.

Pavarësisht hapësirave, statuseve dhe niveleve të zhvillimit e gjithë hapësira shqiptare në Ballkan po përballet me disa sfida të përbashkëta. Hapësira politike shqiptare në Ballkan ka nevojë kapërcimin cilësor, kapërcim të cilin po vonojnë dhe pengojnë vetë qeveritë, politika dhe politikanët që po zënë myk ndër tempujt e pushtetit, të ndotur përherë e më shumë nga humbja e moralit, të kalbur nga pengimi i rotacioneve demokratike, të inkriminuar e korruptuar deri në fyt nga kultura e mosndëshkimit nga drejtësia.

E megjithatë, tre institucioneve të pastrimit të qeverisjeve, politikës dhe politikanëve siç janë morali, rotacioni politik dhe ndëshkimi i drejtësisë nuk i shpëton dot as hapësira shqiptare në Ballkan. Deri tani institucioni moral nuk po funksionon tek këto liderë. Prandaj mesa duket po hyjnë në punë dy institucionet e tjera, rotacioni politik dhe ndëshkimi para drejtësisë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).