RCCOLA

Haliti priti në takim ambasadorin gjerman Rohde

/ 4 minuta lexim

Viti – Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim Jӧrn Rohde, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, i cili gjithashtu morri pjesë në një ceremoni rasti në këtë komunë ku u bë nënshkrimi dy marrëveshjeve mes komunës së Vitisë dhe asaj të Kllokotit, e që ka për qëllim bashkëpunimin ndëretnik, si dhe atë për bashkëpunim ne interes të qytetarëve të të dyja komunave.

Në cilësinë e nikoqirit të këtij takimi, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, u shpreh i kënaqur të jetë mikpritës, aq më tepër ku prezent është edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jӧrn Rohde. “Të dyja marrëveshjet janë tejet të rëndësishme, me që do të ndihmoj të dyja komunat, edhe të Vitisë dhe atë të Kllokotit, për të promovuar marrëdhëniet ndëretnike. Ne edhe më parë kemi bashkëpunuar me komunën e Kllokotit, me që kjo na lidh edhe në aspektin gjeografik, e përpos bashkëpunimit kemi bërë edhe plane të përbashkëta për të ardhmen”.

Haliti, ndër tjerash e njoftoi ambasadorin për takime të ndryshme në regjionin e lindjes, duke i cilësuar si mjaft të frytshme, sidomos ato me GIZ-in gjerman për menaxhimin e mbeturinave, por edhe projekte të tjera që kanë për qëllim mirëqenien qytetare ne regjionin e lindjes.

Gjithashtu e njoftoi edhe për bashkëpunimin e mirë disa vjeçar me komunën e Kirhainit të Gjermanisë, ku janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta me këtë komunë.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jӧrn Rohde, është shprehur falënderues për gatishmërinë për nënshkrim të këtyre marrëveshjeve që kanë të bëjnë me komunitetet, ndërkohë ka falënderuar edhe QKSS-në për punën e mirë dhe përkushtimin deri tani. Projektin e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm me që parasheh gjashtë nisma nga ku pritet rezultate konkrete. “Andaj, falënderoj kryetarin Haliti dhe kryetarin e Kllokotit Bogdanoviq për angazhimin efektiv të tyre”, ka theksuar ambasadori Rohde.

Kurse kryetari i komunës së Kllokotit Vladana Bogdanoviç, njoftoi se deri më tani kanë pasur mbështetje nga Institucionet Komunale të Vitisë, pasi siç u shpreh ai ende komuna e Kllokotit është në konsolidim e sipër. “Kemi pasur përkrahje në fushën e shërbimeve publike, atë të ofiqarisë dhe shumë fusha të tjera. I jemi falënderues komunës së Vitisë, respektivisht kryetarit Haliti, për të na ndihmuar”, ka thënë Bogdanoviq.

Në takim foli edhe Mentor Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) i cili edhe nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me kryetarin e Vitisë Sokol Haliti.

Eco Higjiena

Ndërkaq përfaqësuesi i KFOR-it amerikan, Ray Riedinger, u shpreh se në emër të komandantit regjional të Lindjes, përshëndet iniciativat për marrëveshje mes komunës së Kllokotit dhe asaj të Vitisë.

Marrëveshja e bashkëpunimit ndër komunal në mes të dy komunave u nënshkrua në fushat e përgjithshme si: infrastrukturë rrugore, ofrimi i shërbimeve juridike, ekonomi, bujqësi, shëndetësi, arsim, shërbimin e zjarrfikës dhe shërbime të tjera.

Përndryshe dhe më parë komuna e Vitisë ju ka ofruar shërbime të shumta banorëve të komunës së Kllokotit në veçanti në fushën e emergjencave ku shpesh herë Zjarrfikësit vitias kanë bërë intervenime të shumta.

Gjithashtu u bë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për themelimin e Forumit të Komunitetit për Interes Publik nga kryetarët e të dyja komunave Viti-Kllokot me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Ky memorandum i bashkëpunimit, parasheh realizimin e projektit që ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëpunimin ndëretnik mes komunës së Vitisë dhe komunës së Kllokotit. Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe Shpat Balaj – Koordinator i projektit FIERC.

E në fund, Haliti i ka ndarë një mirënjohje ambasadorit gjerman Rohde, duke e falënderuar atë dhe popullin gjerman për kontributin e dhënë ndër vite për vendin e në veçanti për Vitinë./rajonipress/