UBT

Halimi: Rama në Beograd, të kontribuojë për Luginën Preshevën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Deputeti i vetëm Shqiptar në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, e cilëson absurde deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivan Mrkiç, se Shqiptarët në Preshevë gëzojnë të gjitha të drejtat, ndërsa pakica Serbe që jeton në Shqipëri ende nuk është pranuar si duhet.

Në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri, Halimi shprehet se të rinjtë shqiptarë po largohen çdo ditë nga Presheva dhe Bujanovci, për shkak të diskriminimit që reflektohet edhe në nivelin e lartë të papunësisë.

I pyetur se çfarë presin shqiptarët e Preshevës nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Serbi, ai tha se kjo vizitë duhet të jetë një kontribut për një zgjidhje më efikase të problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Nuk po respektohet marrëveshja për amnisti ndaj ish ushtarëve të UÇPMB-së, nuk po mundësohet kthimi i të zhvendosurve shqiptarë, papunësia në vend që të zvogëlohej është rritur duke bërë që të rinjtë të kërkojnë azil në vendet evropiane. Nuk është marrë asnjë masë nga qeveria në Beograd për të ndryshuar kushtet, qoftë edhe për një për qind, të popullatës Shqiptare. Të rinjtë e Preshevës po gjejnë më shume vende pune në Tiranë dhe Prishtinë, sesa në Preshevë e Bujanovc”, deklaron ai.

Mobi Casa

Halimi ndalet edhe te mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

“Takimi i dy qeverive, duke qenë se është i pari me karakteristikë historike dhe se meriton të quhet i tillë. Fakti që në agjendën e këtij takimi ishte edhe Fondi për Luginën e Preshevës, kjo për ne ka një rëndësi të veçantë. Ka pasur komente të ndryshme gjatë këtyre ditëve për pjesën e 100 mijë eurove për maternitetin e Preshevës, por për mua ka shumë rëndësi, sepse Fondi përveç aspektit financiar do të ketë edhe karakterin e vet politik”, thotë ai.

Në lidhje me deklaratën e liderit të Parisë Demokratike te Maqedonisë, Menduh Thaçi, se ky takim duhet të ishte fokusuar më tepër te shqiptarët e Maqedonisë sesa te ata të Preshevës, Halimi thotë: “Në Maqedoni ka probleme dhe ekziston nevoja për ndihmë nga të dy qeveritë, si ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, por në Maqedoni shqiptarët janë pjesë e qeverisë. Kanë poste të rëndësishme ministrore. Kolegu im të cilin e njoh prej një kohe të gjatë, Menduh Thaçi, e ka thënë atë deklaratë në nxitim e sipër. Ndërsa, Medvegja është para spastrimit etnik. Nga 5.500 Shqiptarë që ishin regjistruar në vitin 1981, tashmë atje ndodhen vetëm 700 shqiptarë. Ky rrezik është i pranishëm edhe në Bujanovc dhe në Preshevë”. /Telegrafi/