RCCOLA

Halil Kqiku tërë jetën në shërbim të Kosovës

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Lexojeni shkrimin e Rajonipress botuar në vitin 2015 ku Halil Kqiku flet për të gjitha periudhat e tij duke filluar nga viti 1980 e tutje.

Halil Kqiku është emër i njohur për Gjilanin e Anamoravën. Aktiviteti i tij, veprimtaria e bujshme dhe e pastër kombëtare bëjnë që ai të mbetet një figurë e respektuar dhe e nderuar. Nëse shikohet biografia e Halil Kqikut del se ai tërë kohën ka punuar e vepruar për interes të çështjes kombëtare, për të mirën e gjeneratave të reja dhe për një të ardhme më të mirë kombëtare. Punojë e veprojë larg familjes e me shumë rreziqe. Sakrifikojë shumë edhe mundin e djersën dhe asnjëherë nuk është dorëzuar para asnjë pushtuesi e asnjë klike sllave.

Halil Kqiku me krenari flet për të gjitha periudhat e tij për rajonipress.
Halil Kqiku dhe puna e tij atdhetare ka disa etapa. E fillon me vitet e 80-ta, për të vazhduar pastaj në vitet 1989-1990, duke vazhduar me vitet 1994 e deri tek viti i luftës çlirimtare. Për të gjitha këto vite Kqiku flet me shumë saktësi e kompetencë. Ka bërë punë tejet të dobishme e vetëmohuese.

Kqiku edhe pse larg vendlindjes dhe në rolin e mërgimtarit sërish gjendet në ballë të punëve të mëdha që zhvillohen në diasporë. Edhe në mërgim ai shndërrohet në një motor dhe koordinator meqë organizon shumë aktivitete e veprimtari patriotike.
“Jam krenar me punën time dhe angazhimin tim duke përfshirë të gjitha fazat. Nuk jam dorëzuar asnjëherë, as atëherë kur më kanë detyruar e torturuar pushtuesi e Udbashët. Përkundrazi këto padrejtësi e tortura kanë bërë që unë të kalitem edhe më shumë dhe të jem pjesë e të shumë sakrificave” shprehet Kqiku.

Halili flet me shumë emocione për vitet e mëhershme kur ishte në ballë të protestave, por nuk harron as keqtrajtimet e shumta që e detyruan të largohet nga Kosova e familja. “Isha këmbëngulës e vetëmohues. Fatmirësisht ideja ime dhe koncepti im për një të ardhme liridashëse për Kosovën kanë bërë që unë sërish të triumfojë dhe të jam këtu ku jam sot. Ato vite të pakëndshme për mua ia bëjë halla Kosovës e popullit tim” shton Kqiku.

Kqiku thotë se Kosova dhe institucionet e saja duhet të jenë më aktive me mërgatën. “Nuk guxojmë për asnjë moment që ta harrojmë rolin që ka diaspora. Mërgata duhet të organizohet, të ndihmohet e përkrahet sepse ndodhet në një situatë shumë konfuze. I kam të njohura të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, por ato janë të pamjaftueshme sepse diaspora ka resurse të shumta që mund të shfrytëzohen për nevojat e zhvillimit të Kosovës” thotë Kqiku.

Halili pas shumë aktiviteteve që ka zhvilluar në të mirë të Kosovës dhe çështjes shqiptare, dhe pasi ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë më të rë të Kosovës, me shumë pasion i është kthyer leximit, pikturave grafike dhe arteve tjera të bukura. Ka vizituar shumë galeri gjithandej europës, shkruan kritikë arti pamor. Ka botuar monografinë për piktorin me përmasa europiane Gjelosh Gjokaj dhe më gjerë, ka edhe disa vepra në dorëshkrim në tema të ndryshme që presin të botohen në një të ardhme të afërt.

Por ajo çka është e rëndësishme Halil Kqiku është kthyer në një ambasador të Kosovës për diasporën sepse edhe atje e ka ngjallur jetën. Thotë se shpejt do të realizojë një dokumentar nga veprimtaria e tij ilegale dhe puna e tij dhe e shumë shokëve të kohës që kanë punuar për këto ditë të mira për Kosovën.

Kqiku me të drejtë mund të mburret me tërë ato vite të mira e të këqija, me tërë ato katrahura që e përcollën me vite të tëra. Thotë se ia ka vlejtur sepse Kosova tani është shtet dhe ky shtet i ka bijtë e saj të devotshëm që asnjëherë nuk hamendën për të punuar për popullin e saj përfundon Kqiku.

Kush është Halil Kqiku
Halil Xh. Kqiku u lind më 1962 në Velegllavë të Dardanës, derisa që nga vitet 70-ta ka jetuar në Gjilan ku dhe ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqiptare. Në pamundësi të punësohet në profesionin e tij, disa vite punon në Kombinatin e duhanit në Gjilan.

Uji Dea

Nga vitet e 80-ta Halili kyçet në lëvizjet e atëhershme atdhetare…ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981 që u organizuan në Gjilan dhe që kryesisht ishin të rinjtë e shkollave të mesme.

Aktivisht me veprimtari merret në pjesën e dytë të viteve 80-ta… Ishte në ballë të gjithave aktiviteteve që u zhvilluan dhe organizuan në atë kohë. Me suprimimin e autonomisë së vitit 1974, me 1989 nga regjimi i egër i Sllobodan Millosheviqit, në Kosovë filloi një riorganizim i ri në të gjitha fushat, si në politikë, arsim, kulturë organizim sindikal, humanitet etj.

Halil Kqiku është njëri ndër themeluesit e ish Parlamentit Rinor, e ish Partisë Parlamentare, i këshillit të Pajtimit për Anamoravë, i shoqatës për zhdukjen e analfabetizmit “Motrat Qiriazi” i sindikatës së pavarur për brenda kombinatit të duhanit, i këshillit komunal për kulturë…Ndihmoi të themelohen parti, shoqata, shoqëri kulturore amatore.

Kishte bërë listën për paraformacionet ushtarake me veprimtarë të zgjedhur, ishte në kontakt me qindra veprimtarë anembanë hapësirave shqiptare, kishte kontakte të rregullta me Zahir Pajazitin dhe Remzi Hoxhën dhe të tjerë. Burgoset në dhjetor të 1994 dhe torturohet mizorisht nga UDB-ja famëkeqe, edhe pse asgjë si kishte dhënë “hetuesisë” në gjyqin e organizuar nga regjimi i asaj kohe mbahen 14 seanca gjyqësore dhe sërish dënohet me burgim.

Pas daljes nga burgu shërbimet sekrete serbe dy herë kishin tentuar ta aksidentojnë në komunikacion, i ngushtohet veprimtaria dhe kalon në Gjermani.

Në Gjermani vetëm pas dy tre ditësh, ripërtërinë lidhjet me veprimtarët e të gjithave Organizatave Çlirimtare, por edhe me oficerët e karrierës që shumica vepronin në perëndim.

Është themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës për krahinën Schëaben në prag të luftës që do pasonte në Kosovë, është themelues po ashtu për këtë regjion i fondit “Vendlindja Thërret”.

Organizoi qindra vullnetarë që iu bashkuan luftës Çlirimtare. Pas luftës Halili ju kthye fëmijëve të tij që deri atëherë nuk kishte mundësi të merrej me ta dhe nuk e kishte pa rritën e tyre.

Halili u kthye në pasionet e vjetra, leximi, piktura grafika dhe artet tjera të bukura. Ka vizituar shumë galeri gjithandej europës, shkruan kritikë arti pamor. Ka botuar monografinë për piktorin me përmasa europiane dhe më gjerë, ka edhe disa vepra në dorëshkrim në tema të ndryshme që presin të botohen në një të ardhme të afërt./rajonipress/