Eko Higjiena

Një zë kritik për qytetin: Selatin Mehmeti si shembull i qytetarit të angazhuar

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në jetën publike të qytetit të Gjilan, përveç figurave institucionale, shpesh dallohen edhe individë nga shoqëria civile që përmes mendimit kritik dhe angazhimit qytetar kontribuojnë në debatin publik. Një prej tyre është edhe Selatin Mehmeti, i njohur si pronar i librarisë ABC, por edhe si një komentues aktiv i çështjeve që lidhen me zhvillimin urban, mbrojtjen e ambientit dhe përmirësimin e jetës në qytet.

Në qytetin e Gjilanit, ku jeta urbane shpesh përballet me sfida të përditshme dhe me nevojën për më shumë vetëdije qytetare, zëri i disa individëve nga shoqëria civile bëhet i rëndësishëm për të ruajtur ekuilibrin mes kritikës dhe përgjegjësisë.

Një ndër këta zëra është edhe Selatin Mehmeti, një qytetar që nuk e ka zgjedhur heshtjen si rrugë të lehtë. Me një frymë reflektuese dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj qytetit ku jeton, ai shpesh ngre zërin kundër padrejtësive, qoftë kur ato burojnë nga pushteti, qoftë kur vijnë nga vetë sjellja e pakujdesshme e qytetarëve.

Për të, qyteti është një hapësirë e përbashkët që duhet mbrojtur me vetëdije dhe kulturë. Prandaj ai reagon po aq fuqishëm ndaj dukurive që dëmtojnë jetën urbane – si hedhja e mbeturinave në rrugë, zhurmat e panevojshme gjatë natës apo mungesa e respektit për hapësirën publike. Në këtë mënyrë, Mehmeti përfaqëson një model të qytetarit aktiv, që e do qytetin jo vetëm me fjalë, por edhe me qëndrime të qarta dhe me guximin për të folur kur shumë të tjerë zgjedhin të heshtin

I njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe argumentuese, Mehmeti shpesh paraqet ide dhe sugjerime konkrete për rregullimin e hapësirave publike, përmirësimin e infrastrukturës së lagjeve dhe ruajtjen e mjedisit. Përmes komenteve dhe opinioneve të tij, ai ka ngritur vazhdimisht çështje që lidhen me pastërtinë e qytetit, gjelbërimin urban dhe përgjegjësinë qytetare ndaj hapësirës publike.

Si adhurues i natyrës dhe ambientit, ai shpesh thekson rëndësinë e krijimit të më shumë hapësirave të gjelbra dhe të një kulture më të madhe qytetare për mbrojtjen e mjedisit. Në qëndrimet e tij publike, Mehmeti nënvizon se një qytet modern nuk ndërtohet vetëm me ndërtesa dhe rrugë, por edhe me kujdes për natyrën, për hapësirat e përbashkëta dhe për cilësinë e jetës së banorëve.

Kur qytetaria bëhet mision: Selatin Mehmeti dhe guximi për të folur

Angazhimi i tij si zë kritik nga shoqëria civile është vlerësuar nga shumë qytetarë si një kontribut në debatet për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. Përmes ideve dhe sugjerimeve që shpesh i ndan në publik, Selatin Mehmeti synon të nxisë ndërgjegjësimin qytetar dhe dialogun për një Gjilan më të pastër, më të gjelbër dhe më funksional për të gjithë banorët e tij.

Një rol të veçantë në jetën kulturore të qytetit e ka edhe Libraria ABC, një nga hapësirat më të njohura të librit në Gjilan. E pajisur me një fond të pasur botimesh, kjo librari ofron një gamë të gjerë titujsh nga fusha të ndryshme, letërsi artistike, libra shkencorë, botime për fëmijë dhe tekste shkollore. Me një koncept modern të organizimit të hapësirës dhe me përkushtim ndaj lexuesit, Libraria ABC është shndërruar në një pikë të rëndësishme takimi për dashamirët e librit, nxënësit, studentët dhe intelektualët e qytetit. Për shumë lexues, kjo librari nuk është vetëm vend për të blerë libra, por edhe një hapësirë ku kultura e leximit dhe dashuria për librin vazhdojnë të kultivohen çdo ditë.

Selatin Mehmeti realizon film për mbrojtjen e qenve endacakë, synon përfaqësimin e Kosovës në festivale

ARKATANA

Selatin Mehmeti, gjithashtu vazhdon të angazhohet në mënyrë aktive për mbrojtjen dhe trajtimin më të mirë të qenve endacakë. Përveç reagimeve dhe aktiviteteve të vazhdueshme në komunitet, ai ka realizuar edhe një film dokumentaro-artistik që trajton pikërisht këtë problem shoqëror.

Sipas Mehmetit, filmi i tij është përzgjedhur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në mesin e filmave më të mirë të metrazhit të shkurtër, duke hapur rrugën për përfaqësimin e Kosovë në festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit.

Ai shprehet se përmes këtij projekti synon të sensibilizojë opinionin publik dhe institucionet për trajtimin më human të qenve endacakë. “Shpresoj që filmi të vlerësohet edhe me ndonjë çmim në festivale, por mbi të gjitha që kjo të ndihmojë në realizimin e një strehimoreje për qenët endacakë”, thekson Mehmeti.

Sipas tij, pikërisht nevoja për krijimin e një strehimoreje dhe trajtimin më të përgjegjshëm të kësaj çështjeje ka qenë edhe motivi kryesor për realizimin e këtij filmi.

Sa është aktiv me komente dhe opinione Selatin Mehmeti e dëshmon edhe postimi tij i fundit që flet për mungesën e sirenave dhe alarmeve në kohë lufte.

Ne nuk kemi as sirena alarmi në qytetet tona për rast të ndonjë sulmi eventual, e të mos flasim për strehimore apo sisteme mbrojtjeje raketore. Për çudi, askush nuk e diskuton këtë çështje, sikur të jetonim në një paqe absolute dhe të mos kishim nevojë të përgatitemi për asgjë.

Bota duket se është në prag të konflikteve të reja, ndërsa ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim as një president. Ai thuajse do të mbanë çantën me kodet e armëve bërthamore, prandaj zgjedhja e tij është bërë kaq e vështirë.

Zoti na ruajt prej vetvetes, sepse nga të tjerët na ruan Amerika ka shkruar me ironi Selatin Mehmeti./rajonipress/